Gjenerali jugosllav gjykohet si spiun i SHBA

Momcilo Perisiç, ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Jugosllave dhe zv/kryeministër i Serbisë, doli në gjyq të mërkurën në Gjykatën e Lartë në Beograd nën dyshimin se i ka dhënë sekrete shtetërore Shteteve të Bashkuara.
Perisiç, i cili po gjykohet bashkë me dy burra të tjerë, nënkolonelin Miodrag Sekuliç dhe civilin Vladan Vlajkoviç, e ka deklaruar veten të pafajshëm.
Gjyqi ishte i mbyllur për publikun, pasi Prokuroria tha se, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria serbe donin që dokumentet që pretendohet se i janë kaluar SHBA-së të vazhdojnë të mbeten konfidenciale.
Megjithatë, mbrojtja protestoi kundër vendimit të gjykatës për ta mbajtur gjyqin me dyer të mbyllura, duke u shprehur se dokumentet mund të shihen në faqen e internetit të Gjykatës se Hagës, raportoi televizioni publik serb “RTS”.
Prokurori ushtarak ngriti akuza kundër Perisiçit në vitin 2002, gjatë kohës që ai shërbente si kreu i Komisionit parlamentar për Siguri, duke e akuzuar atë se i ka dhënë të dhëna sekrete një diplomati amerikan në një hotel në Serbinë Qendrore.
Sipas raporteve të mediave, Perisiç u takua me diplomatin amerikan, John David Neighbor dhe i dha atij dokumente ushtarake për pjesëmarrjen e ushtrisë në luftërat në Kroaci dhe Bosnje.
Të dy u arrestuan, por Neighbor u lirua shpejt për shkak se ai kishte imunitet diplomatik dhe SHBA mohoi menjëherë t’i ishte dorëzuar ndonjë e dhënë sekrete.
Çështja u mbikëqyr nga gjykata ushtarake e Beogradit deri në vitin 2005, kur ajo u transferua në një gjykatë të rregullt në kryeqytetin serb, por procedurat u pezulluan kur Perisiç u dërgua në Hagë për gjykim.
Ai u lirua nga akuza për krime lufte nga Gjykata e Hagës në vitin 2013.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës vendosi se Perisiç nuk ishte përgjegjës për mizori të kohës së luftës të kryera nga Ushtria serbe e Bosnjës në Sarajevë dhe Srebrenicë, sepse ajo nuk ishte nën komandën e Ushtrisë Jugosllave.
Ajo e deklaroi atë të pafajshëm për mosndëshkimin e vartësve të tij që morën pjesë në bombardimin e kryeqytetit kroat, Zagrebit.
Duke folur për akuzat për spiunazh në intervistën e tij të vetme për mediat pas lirimit të tij nga akuzat për krime lufte, ai tha nëse arriti të fitonte një çështje në Gjykatën e Hagës, ai mund të fitonte edhe në një gjykatë serbe.

Artikulli paraprakKreu i Këshillit i akuzuar për lidhje me mafien synon “Notin”
Artikulli tjetërKapen 40 kg drogë në Itali, arrestohet vajza shqiptare