Kapen 40 kg drogë në Itali, arrestohet vajza shqiptare

40 kg marijuanë janë sekuestruar nga policia italiane në Rapallo, në provincën e Genovas dhe një e re shqiptare është arrestuar, raportonin dje mediat lokale. Gjatë një feste Halloween-i për fëmijët, efektivët e angazhuar në një shërbim normal të sigurisë, pikasën një veturë, një “Renault Megane Sw”, që ndryshe nga makinat e tjera të parkuara, ishte plotësisht e mbuluar nga gjethet. Dyshimi lindi kryesisht nga era e fortë e marijuanës që vinte nga bagazhi i mjetit.
Efektivët vendosën që të ruanin mjetin dhe pas disa orë pritjeje, automjetit iu afrua një shqiptare 24-vjeçare që e hapi derën e makinës dhe u fut në të, por u ndalua menjëherë nga policia.
Përveç ngarkesës së konsiderueshme të drogës të fshehur në bagazh, karabinierët i kanë gjetur së resë, një biletë me shifra, emra dhe tregues kilogramësh, që dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm. 24-vjeçarja, e cila rezultonte pa letra qëndrimi në shtetin fqinj është arrestuar. Identiteti i saj, aktualisht nuk bëhet i ditur.

Artikulli paraprakGjenerali jugosllav gjykohet si spiun i SHBA
Artikulli tjetërProkuroria greke: Jo vetëvrasje, por krim vdekja e Marnikollajt