Gjashtë ministrat e rinj betohen në Presidencë

Zv/kryeministrja Mandia dhe ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm, Helga Vukaj, ministre e Financave, Mirela Karabina, ministre e Arsimit, Gazmend Bardhi, ministër i Drejtësisë, Xhulieta Kërtusha, ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë u betuan dje para Presidentit Nishani. Nga sot, ata nisin punën në krye të dikastereve përkatëse. Emërimi i ministrave të rinj teknikë do të garantojë eliminimin e çdo lloj mundësie apo hapësire të përdorimit të këtyre dikastereve në funksion të procesit zgjedhor. Kalimi i këtyre ministrive nën drejtim teknik do të garantojë po ashtu mospërdorimin me urdhër përmes shantazheve dhe presioneve të administratës publike për të tjetërsuar vullnetin e tyre në ditën e votimit. Përmes marrëveshjes së 18 majit, palët kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita dhe mazhoranca kanë konfirmuar vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës. Gjithashtu, angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Drejtimi i gjashtë ministrive kyçe në procesin zgjedhor, siç është Ministria e Brendshme, e cila ka në ngarkesë procesin e listave zgjedhore dhe shumë pika kyçe të administrimit të zgjedhjeve do të kalojnë të gjitha nën drejtimin e ekspertëve. Kandidatura e propozuar nga PD-ja për postin e zv.kryeministrit është Ledina Mandia, e lindur në Shkodër. Ajo ka mbaruar Fakultetit Juridik në qytetin e Shkodrës. Më pas ka punuar si pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Më pas në karrierën e saj, Mandia ka qenë Avokate e Shtetit. Pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama, Mandia u largua nga kjo detyrë dhe u emërua në Presidencë, si këshilltare juridike.

Artikulli paraprakInteri s’kishte klane
Artikulli tjetërLiverpuli kërkon portier