Interi s’kishte klane

Roberto Mançini, ish-trajneri i zikaltërve, ka folur rreth gjendjes së Serisë A, të së shkuarës së tij, por edhe për të ardhmen e tij. “Është shumë e vështirë të fitosh gjashtë kampionate radhazi. Juventusi ka një përbërje shumë të fortë, që ua bën dhe më të lehtë të rinjve që të ambientohen si me kampionatin ashtu edhe me skemat. Formacioni nuk ka shumë rëndësi, në fillim kanë fituar me skemën 3-5-2 dhe, më pas, e kanë ndërruar. Do arrijnë të fitojnë akoma? Nëse ekipet e tjera vazhdojnë me këto ritme, sigurisht që po. Roma është skuadra që është më pranë Juventusit, për sa u përket lojtarëve dhe këtë sezon arritën të dytët.
‘Zonja e Vjetër’ ka marrë vetëm dy pikë në tri ndeshjet e fundit përpara Krotones, jo sepse kanë pësuar rënie, por kur ke 7-8 pikë avantazh ndaj ekipit ndjekës është mjaft normale të bësh rrotacion, edhe për faktin që kanë një trofe akoma më të rëndësishëm për t’u fokusuar, si Liga e Kampionëve. Roma është më afër tyre sesa Napoli, që edhe pse është një ekip që të kënaq me lojën e tyre, nuk janë aq të gatshëm sa ekipi kryeqytetas”, u shpreh Mançini.
Mançini ka folur edhe për fitoren e Interit kundër Lacios 1-3 në stadiumin “Olimpiko”. “Nuk arrita ta ndjek ndeshjen, por më vjen shumë mirë që ka fituar Interi, pasi Lacio e ka arritur objektivin që kishte. E përgëzoj Vekin dhe lojtarët për këtë fitore”, tha ai.
Ish-trajneri i Interit është pyetur për një rikthim në Milano. “Të rikthehem te zikaltrit? Unë kam thënë që asnjëherë nuk i dihet dhe menjëherë gazetat kanë shkruar se do kthehem tek Interi. Mendoja se zikaltrit ishin në gjendje të luftonin për skudeton këtë sezon, edhe pse mund të mos ia dilnin. Sa isha unë trajner i Interit, ekipi nuk ishte i ndarë në klane, Auzilio i është referuar këtij viti. Ne ishim të parët pas 20 javësh në kampionat, edhe pse në fund e mbyllëm në pozicionin e katërt. Nëse do të kishim një pronar solid dhe inteligjent…
Kur ishim në krye të tabelës duhet të blinim disa lojtarë të rëndësishëm dhe më vonë mora vesh që duhet të shisnim disa nga lojtarët tanë më të mirë për shkak të ‘Fair Play’-t, kjo gjë nuk është aspak serioze. Ky nuk është Interi dhe kur futesh në një vorbull bëhet akoma dhe më e vështirë. Sabatini? Ai nuk është një lojtar, zikaltërve u nevojiten 3-4 blerje që të jenë kualitative, lojtarë me grintë. Ndërhyrjet nevojiten në të gjitha repartet, por akoma vazhdoj të mendoj se është një skuadër që mund të luftojë për të fituar në të ardhmen”, tha Mançini.
Për finale e Champions ai shesh favorit i Rela Madridin. “Mendoj se finalja e Kardifit do të jetë 55 për qind e Realit dhe 45 për qind e Juventusit. Reali është një ekip që ka lojtarë që mund ta zgjidhin ndeshjen në çdo moment, nga Ramos e deri te sulmi. Madrilenët lënë disa hapësira mbrapa dhe Higuain me Dibalan mund t’i ndëshkojnë”, tha Mançini.

Artikulli paraprakPD dënon sulmin terrorist në Manchester
Artikulli tjetërGjashtë ministrat e rinj betohen në Presidencë