Gazeta austriake Der Standard: Kulmi i protestave në Shqipëri, policia sulmoi protestuesit

Gazeta austriake Der Standart ka publikuar dje një artikull për protestën e opozitës më 16 shkurt. Exit.Al sjell më poshtë artikullin e plotë.
Shumë motive për të protestuar kundër qeverisë në Tiranë
Mijëra qytëtarë protestojnë në rrugë, sepse tarifat e tyre të shkollimit janë shumë të larta, ose sepse ata do të marrin shumë pak para për shtëpitë që do t’u shembin. Protestat në Shqipëri janë shtuar përpara zgjedhjeve të qershorit.
Tymi i bardhë i bombave me gaz lotsjellës përshkoi ashpër qiellin blu të ndritshëm të pranverës. Të shtunën, opozita shqiptare e drejtuar nga Partia Demokratike (PD) zhvilloi një protest në Tiranë, kundër qeverisë socialiste të udhëhequr nga Edi Rama. Disa policë dhe protestues u plagosën nga përleshjet. Protestuesit u përpoqën t’i mësynin ndërtesës së qeverisë dhe policia përdori gaz lotsjellës.
Protesta e së shtunës ishte kulmi i muajve të protestave nga grupe të ndryshme shoqërore kundër veprimeve shpesh jotransparente dhe arbitrare të autoriteteve. Prandaj protestat nuk janë vetëm prelud i zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen në qershor. Në muajt e fundit, studentët në Tiranë kanë protestuar rregullisht në rrugë kundrejt tarifave të larta të shkollimit dhe kushteve të papranueshme në konviktet të tyre.
Kompensimet e munguara
Një tjetër lëvizje proteste u zhvillua kundër projektit për të ndërtuar një rrugë të re në qytet. Për rrugën e Unazës rreth qytetit duhet të shkatërrohen banesa. 300 familjet e prekura ankohen se nuk do të marrin kompensim të mjaftueshëm financiar. Për disa javë, ata bllokuan rrugët në Tiranë. Artistët dhe aktivistët, gjithashtu, protestuan kundër shkatërrimit të planifikuar të Teatrit Kombëtar në zemër të qytetit. Planet për Teatrin e Ri Kombëtar nxitën kritika dhe protestuesit u ankuan se kriteret për një tender të hapur nuk u përmbushën

Për të njëjtat arsye, opozita kritikon gjithashtu edhe projekte të tjera qeveritare: krijimin e kompanisë ajrore Air Albania dhe aeroportin e planifikuar në Vlorë, të cilat do të realizohen me ndihmën e investitorëve turq. Ndërkohë, ministri i jashtëm holandez, Stef Blok është gjithashtu i përfshirë në kauzë. Sipas ministrit Blok, zërat janë se projektet Air Albania dhe ai për aeroportin e Vlorës shkelin Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) midis BE dhe Shqipërisë. Komisioni Evropian, gjithashtu, dëshiron të diskutojë në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet e tenderimit publik me qeverinë në Tiranë.
Fillimi i bisedimeve të pranimit në BE
Nuk është e qartë nëse vendet e BE do të votojnë për hapjen e negociatave në Këshillin e BE-së qershorin e ardhshëm; Franca dhe Holanda janë rreptësisht kundër çdo zgjerimi. Shqipëria, megjithatë, shihet në një “grup” me Maqedoninë e Veriut. Për shkak të marrëveshjes historike me Greqinë për emrin, shumë vetë argumentojnë se bisedimet e pranimit duhet të nisin së paku me Maqedoninë e Veriut.
Vitet e fundit, Edi Rama e zgjeroi edhe më shumë pushtetin e socialistëve, ndërsa opozita, edhe për shkak të gabimeve të saj, pati dobësim. Por Rama ka filluar, gjithashtu, një reformë të rëndësishme gjyqësore. Shumë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar kanë lënë postet e tyre. Megjithatë, prej muajsh tashmë, Gjykata Kushtetuese nuk është më funksionale për shkak të gjyqtarëve të larguar. Reforma gjyqësore në mënyrë indirekte krijoi një vakum ligjor, të cilin disa e kanë shfrytëzuar politikisht.
Avancimi i idesë së Shqipërisë së madhe
Rama, që gjithnjë e më shumë po ashpërson tonet për një Shqipëri të Madhe dhe po e çon Kosovën drejt bashkimit me Shqipërinë, edhe pse një gjë e tillë do të shkelte Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisarit- plan i njohur për pozitën e vet dominuese. Kohët e fundit, Rama shkarkoi ministrin e jashtëm të mirënjohur, Ditmir Bushati, pjesërisht sepse ai kishte kundërshtuar shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Një shkëmbim i tillë e territoreve, që do të shkelte Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisarit, nxitet nga pjesë të administratës së Trump-it dhe nga lobistë evropianë. Duke qenë se demarkacioni i ri do të bazohej në kritere etnike – të cilat BE-ja dhe i gjithë Perëndimi i kanë përjashtuar deri tani – ai po shkakton frika të mëdha në rajon.

Artikulli paraprakProtesta, Zëri i Amerikës: Qytetarë të irrituar sulmuan portën e Kryeministrisë
Artikulli tjetërPaloka: Po e them tani për herë të parë, kam dëshmitare Spiropallën!