FMN ul parashikimin për kërkesën e brendshme dhe investimet e Shqipërisë

Krahas uljes së pritshmërive për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2018-2019, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në ulje edhe parashikimet për kërkesën e brendshme dhe investimet bruto, në një sinjal se në afatin e mesëm vendi do të ketë të vështirë të gjenerojë burime të reja të rritjes, pas përfundimit të projekteve të mëdha të TAP dhe HEC-it të Devollit. Sipas krahasimeve të tabelave të “Pasqyrës Ekonomike Globale” të tetorit 2017 dhe prillit 2017, rezulton se pritshmëria për rritje ekonomike për vitet 2018 dhe 2019 është ulur me 0.4 pikë përqindje për secilin vit, për të arritur përkatësisht në 3.7% dhe 3.8%.
Ky pesimizëm i FMN-së duket se ka ardhur nga rishikimi i pritshmërive për investimet bruto dhe kërkesën e brendshme. Për kërkesën e brendshme FMN ka ulur parashikimin që për vitin 2017, me minus 0.8 pikë përqindje, në 3.7% në dy vitet e mëpasshme, 2018 dhe 2019 ai është ulur me 0.5 pikë përqindje për çdo vit dhe pritet të jetë shumë më i ulët, në 1.4% në 2018-ën dhe 2.1% në 2019-ën.
Në të njëjtën linjë janë ulur dhe pritshmëritë për investimet bruto. Për vitin 2018, investimet bruto pritet të arrijnë në 24.5% të PBB-së dhe në 2019-ën në 24.4 (-3% dhe -2.2% më pak). Edhe për 2017-ën FMN pret që rritja e investimeve të jetë 24.8% e PBB, me një ulje prej 3.9 pikë përqindjeje.
Në një intervistë për “Monitor”, Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, ka pohuar se mbarimi i investimeve të mëdha është arsyeja kryesore për rishikimin në ulje të pritshmërive për rritjen ekonomike. “Ne presim që rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë dhe që rritja vjetore e PBB-së do të arrijë në 4% në afatin e mesëm. Vitet e fundit, rritja është nxitur nga Investimet e Huaja të mëdha Direkte. Cikli i tyre i investimeve do të fillojë të ngadalësohet në 2018-ën. Por, rimëkëmbja e kredisë private, zgjerimi në investimet publike dhe një rritje e besimit pritet që të mbështesin rimëkëmbjen e vazhdueshme”.

Artikulli paraprakBizneset e vogla: Nuk do lejojmë vendosjen e TVSH-së
Artikulli tjetërDebat në Komisionin e Ekonomisë, nga po vjen rënia e euros