Debat në Komisionin e Ekonomisë, nga po vjen rënia e euros

Gjatë gjashtë mujorit të parë të 2017-ës, euro arrit në tregun vendas nivelin më të ulët të nëntë viteve, duke u këmbyer në 27 qershor (dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare) në nivelin e 131.9 lekëve. Sipas opozitës kursi i këmbimit, i cili u reflektua edhe në uljen e borxhit, u ndikua prej aktivitetit të jashtëligjshëm në vend. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, Edmond Spaho, deputet i Partisë Demokratike, tha se në buxhetin faktik të 2017-ës niveli i borxhit do të arrijë në 71 për qind. Për 2018-ën, një ndër rreziqet që ndikonin në nivelin e borxhit, sipas ministrit Ahmetaj, ishin luhatjet e kursit të këmbimit. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, ministri argumentoi se borxhi në valutë do të mbahej në nivelet optimale, pa kaluar nivelin e 55 për qind të totalit të borxhit. Por sipas zotit Edmond Spaho, ulja e nivelit të borxhit publik në gjashtë mujorin e parë të 2017-ës në nivelin e 68 për qindëve nuk ishte asgjë tjetër, përveç se reflektim i rivlerësimit të borxhit me kursin e këmbimit. Ministri Ahmetaj e argumentoi me nivelin e mbivlerësuar të dollarit.

 

Artikulli paraprakFMN ul parashikimin për kërkesën e brendshme dhe investimet e Shqipërisë
Artikulli tjetërDebati Rama-“Top Channel” për të devijuar vëmendjen nga krimi