Financimi i terrorizmit, BSH ndryshon rregulloren për bankat

Banka e Shqipërisë me vendim të saj urdhëron bankat të shtojnë vigjilencën për klientët dhe të verifikojnë marrëdhëniet me ta, po ashtu edhe transaksionet e kryera. Vendimi i BSH vjen me qëllim parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Bankave u kërkohet të kontrollojnë klientët e rinj dhe ekzitues në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit të shpallur nga OKB dhe refuzojnë çdo transaksion për të cilin nuk jepen infomacionet e kërkuara sipas ndryshimeve të bëra në rregullore. Banka e Shqipërisë ndryshon rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit për bankat. Në rregulloren e re qartësohet për bankat se duhet të hartojnë rregulla dhe procedura të nevojshme për zbatimin e masave kundër financimit të terrorizmit ku detajohen hapat që duhet të ndjekin, rolin e strukturave të subjekteve në këtë proces, si dhe autoritetin ku duhet të raportojnë me qëllim sigurimin e parandalimin e lëvizjes dhe përdorimit të fondeve të personave dhe subjekteve të përfshirë në financimin e terrorizmit apo prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Më tej, subjektet përpara se të vendosin marrëdhënie biznesi ose të kryejnë transaksione në emër apo për llogari të klientëve të rinj apo ekzistues, konsultojnë listën e përditësuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe njoftojnë Bankën e Shqipërisë sipas ligjit. Po ashtu, bankat duhet të bëjnë një monitorim të vazhdueshëm të marrëdhënies së biznesit me klientin, nëpërmjet mbledhjes së informacionit mbi qëllimin dhe natyrën e kësaj marrëdhënie dhe krijimin e profilit të rrezikut të tij. Por edhe analizën e transaksioneve të kryera gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj marrëdhënie për të siguruar se ato janë në përputhje me njohuritë që subjekti ka për klientin, veprimtarinë dhe burimin e fondeve të tij.
Bankat duhet të kërkojnë informacion për çdo transfertë për udhëruesin dhe përfituesin, si emër, mbiemër, adresa, dokumentet e identikimit, IBAN, institucionin financiar të përfshirë. Nëse ky informacion i mohohet bankës, automatikisht duhet refuzuar edhe transaksioni dhe njoftuar autoriteti përgjegjës. Është Departamenti i Mbikëqyrjes në BSH që do të ndjekë zbatimin e këtij vendimi.
Ndërsa janë hartuar edhe formularët përkatës nga BSH për bankat ku do të raportohen të dhënat e kërkuara brenda 30 ditëve pas mbylljes së vitit kalendarik, ndërsa për vitin 2016 subjektet do të raportojnë të dhënat e fundit brenda datës 30 qershor 2017.

Artikulli paraprakOSBE: Krimi tek zgjedhjet, populli kundër establishmentit
Artikulli tjetërTransporti, ushqimet, qiraja e lëndët djegëse më të shtrenjtat gjatë marsit