Fier, fermerët në protestë për prodhimet që po u kalben

Fermerët e Varibopit në Cakran protestuan në autostradën Levan–Tepelenë duke hedhur bostan e prodhime bujqësore pasi thonë se janë mashtruar nga Bashkia e Fierit dhe ish-Komuna e Cakranit. Sipas fermerëve, drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Fier në fillimviti u tha që të mbillnin bostan, bamje, domate për salcë sepse tregu ishte gati për shitje, por kjo ka rezultuar mashtrim pasi prodhimet po kalben në arë. Ekonomisti kontabël Kujtim Hila shpjegon skemën e përdorur, që sipas tij, është mashtrim. Ai shprehet se: “Thanë keni tregun të garantuar. Erdhën këtu në janar, shkurt. Vinin dy herë në ditë saqë bënë shkresat. Morën subvencionet dhe ikën”. Bilbil Koçiaj është një agronom me arsim të lartë, ai ka kultivuar sipërfaqe të tëra me domate për salcë dhe tani që prodhimi është në arë askush nuk shkon t’ia marrë. Agronomi Koçiaj u shpreh se: “Domatja është e saktë dhe e mirë. Gramoz Ruçi të vijë të shikojë gjendjen reale, sepse ka marrë votën”. Sajmir Xhema është një tjetër fermer nga fshati Vjosë. Ai ka marrë kredi 4 milionë lekë për të kultivuar bostan. S’ka treg për shitje, ndaj dhe ka marrë karrocën me kalë dhe shet shtëpi më shtëpi. Fermeri Xhema shprehet se: “Nuk kemi nxjerrë dot as fidanin që kemi hedhur”. Fermerët apelojnë se në qoftë se qeveria dhe kryeministri Rama nuk japin zgjidhje tani në sezon vere do të bllokojnë autostradën Levan–Tepelenë duke hedhur bostan e prodhime bujqësore. Drejtori i Bujqësisë së Bashkisë Fier, Astrit Aliaj ka sqaruar se është e vërtetë që janë kontaktuar fermerët e Varibopit, Adës, Kafaraj, Frakullës, por sipas tij, këta fermerë në fillim të muajit qershor janë njoftuar që të çonin bostanin në pikën e grumbullimit Kafaraj, por ata nuk pranuan çmimin, i cili ishte nga 10-14 lekë kilogrami. Ky afat ishte deri më 10 korrik me çekët, pohon Aliaj.

Artikulli paraprakBetonizimi Veliaj, vlera e pallateve në janar-mars i kalon 120 mln euro
Artikulli tjetërRënie drastike e investimeve