Rënie drastike e investimeve

Importet u rritën me 5.4 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit, por zëri më i rëndësishëm i tyre, ai i makineri-pajisjeve u ul. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në qershor, bizneset shqiptare importuan rreth 1 miliard lekë më pak makineri dhe pajisje. Më konkretisht sipas INSTAT, nëse në qershor të vitit të kaluar kompanitë shqiptare importuan 13.2 miliardë lekë makineri dhe pajisje, në qershor të këtij viti shifra ishte 12.3 miliardë.
Importet e makinerive dhe pajisjeve janë të lidhura direkt me investimet e reja në ekonomi. Rënia e tyre tregon se biznesi ka ulur investimet duke frenuar punësimin dhe rritjen e ekonomisë.
Rënia e importit të makineri-pajisjeve nuk është treguesi i vetëm se bizneset kanë ulur investimet e reja. Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë raportoi se ndërmarrjet në dy sektorë kyç të ekonomisë, shërbimet dhe industria kanë ulur normën e shfrytëzimit të kapaciteve për shkak të rënies së shitjeve. “Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve shënoi rënie me 8.1 pikë përqindje në tremujorin e dytë, duke qëndruar rreth nivelit 71.7%. Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj”, deklaroi Banka e Shqipërisë.
Shërbimet janë sektori më i madh i ekonomisë shqiptare duke dhënë mbi gjysmën e prodhimit kombëtar. Ulja e kapaciteve prodhuese nga bizneset e këtij sektori nënkupton frenim të aktivitetit ekonomik dhe rënie të punësimit në tremujorin e dytë. Sipas Bankës së Shqipërisë, e njëjta dukuri ka ndodhur edhe në sektorin e industrisë. “Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.5 pikë përqindje kundrejt vlerës së tremujorit të mëparshëm”, raporton BSH.

Artikulli paraprakFier, fermerët në protestë për prodhimet që po u kalben
Artikulli tjetër90% e studentëve: Arsimi i korruptuar