Betonizimi Veliaj, vlera e pallateve në janar-mars i kalon 120 mln euro

Vlera në shitje e objekteve që kanë marrë leje të ndërtohen në tremujorin e parë në kryeqytet i kalon të 16 miliardë lekë ose 120 milionë eurot. Shifra u zbardh nga Ministria e Financave, teksa raportoi se në tremujorin e parë të këtij viti, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 1.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Duke marrë në konsideratë se kjo taksë në Bashkinë e Tiranës paguhet 8% e çmimit të shitjes së objektit në momentin që merret leja, vlera e lejeve të dhëna shkon 16.2 miliardë lekë, ose më shumë se 120 milionë euro, duke marrë në konsideratë kursin aktual të këmbimit. Bumi i ndërtimeve që ka përfshirë Tiranën nuk po financohet me kredi bankare si para krizës së vitit 2008. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë për qytetin e Tiranës është rritur me vetëm 3 milionë euro, teksa shihet se 10 milionë euro, ndërtuesit i kanë paguar vetëm taksa. Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit, me një rënie vjetore 4.7%, por në kryeqytet, numri i lejeve ka shënuar një rritje vjetore 138%. Sipas të dhënave nga INSTAT, në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje vitin e kaluar. Gjithashtu, lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017, u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit. Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m². Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve të miratuara për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Pak ditë më parë, Eurostat njoftoi se numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3%, ndërsa në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167%.

Europa, 10.3% rritje për lejet e ndërtimit, Shqipëria, 167%

Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB. Nga ana tjetër shumë vende të Europës, ato më të zhvilluara po përballen me shtim të popullatës prej emigracionit nga vendet e Lindjes se Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut. Mirëpo në paradoks me këto zhvillime Shqipëria ndodhet para një bumi ndërtimesh. Përveç lejeve të dhëna deri më tani është lajmëruar ndërtimi i të paktën 15 kullave shumëkatëshe, tre prej të cilave pritet të nisin punë që këtë vit. Tendenca ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2, nga të cilat 43 leje ishin në Tiranë. Eurostat shpjegon se indeksi i lejeve të ndërtimit u rrit në shumicën e shteteve anëtare të BE-së në mes të tremujorit të parë të vitit 2014 dhe tremujorit të parë të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe, rritjet më të larta u regjistruan në Hungari, ku numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 157%. Më tej në renditje vjen Portugalia me një rritje 39 për qind krahasuar me 2015, më pas Maqedonia dhe Serbia me një rritje me nga 26% secila. Holanda dhe Rumania ishin të vetmet që pësuan rënie të numrit të lejeve të dhëna për ndërtim, respektivisht me 4.7 dhe 1.7%, ndërsa rritje të vogël të numrit të lejeve patën shtete të tilla, Greqia dhe Çekia.

Lejet e ndërtimit trefishohen në Tiranë

Trefishohen lejet e ndërtimit në Tiranë. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Gjatë tremujorit të parë 2017, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë Qarku i Tiranës me 42,6% dhe i Vlorës me 15,8%. Në Vlorë janë 16 leje në tremujorin e parë, ndërsa në Durrës u dhanë 12 leje, në Berat 5 leje, në Elbasan dhe në Fier nga 7 leje. Në dy vitet e fundit, rekordin për lejet e ndërtimit të dhëna e mban tremujori i dytë 2015, me 99 të tilla, kohë që përkon me muajt e fundit përpara ndryshimit të pushtetit lokal (zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj u zhvilluan në qershor 2015). Tirana së fundmi po zgjerohet fort nga pjesa e veriore e saj. Në vijë të drejtë me ndërtimet e reja në zonën “Siri Kodra”, një bllok i madh pallatesh “Fiori di Bosko” po ndërtohet në zonën e “Don Boskos” nga kompania EDIL-Al. Ndërsa më tej në fushën e aviacionit ka nisur të ndërtohet kompleksi “Turdiu” me investitor kompaninë Kastrati. Në planet e hershme të zhvillimit të Tiranës, planifikohej që kryeqyteti të zgjerohej në anën veriore, nga Alliasi në drejtim të Laprakës, për shkak të lehtësive më të mëdha të furnizimit me ujë të qytetit të madh.

Artikulli paraprakVdekjet nga kequshqyerja rritje me 122 për qind më 2016
Artikulli tjetërFier, fermerët në protestë për prodhimet që po u kalben