Fatura e tatimit mbi pronat! Shqiptarët do të paguajnë më shumë vitin e ardhshëm

Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ligjin për buxhetin të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro. Sipas tabelave të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit. Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka zyrtarizuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Por, taksën do ta paguajnë edhe ata të cilët nuk kanë marrë në dorë një dokument ligjor për legalizimin, por kanë aplikuar në këtë proces. Të paktën 350 mijë ndërtime janë në proces legalizimi dhe ende nuk kanë marrë leje. Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë, duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit, kjo kategori do të paguajë 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Aktualisht në Shqipëri, ka qytetarë që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 10-mujorin e këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 4.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në vitet e fundit.

Artikulli paraprakRriten rastet e raportimit të pastrimit të parave
Artikulli tjetërInceneratorët, 200 milionë euro nuk zgjidhin situatën me mbetjet