Inceneratorët, 200 milionë euro nuk zgjidhin situatën me mbetjet

Investimi prej 200 milionë eurosh për ndërtimin e inceneratorëve nuk e zgjidh situatën e krijuar nga mbetjet në vendin tonë. Kështu ka deklaruar për Televizionin SCAN kreu i Departamentit për Mjedisin në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi. Sipas Malltezit e vetmja zgjidhje për të shmangur ndotjen mjedisore është zbatimi i ligjit dhe i strategjisë për trajtimin e mbetjeve, hallkat e së cilës sipas tij janë shpërfillur, duke kaluar direkt tek incenerimi, që jo vetëm rrit koston financiarë të trajtimit të mbetjeve, por mund të sjellë pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve. “Është një praktikë, e cila ndodh, por gjithsesi qoftë nga strategjia jonë e mbetjeve, qoftë nga strategjia evropiane e trajtimit të mbetjeve, është hallka e parafundit që duhet ndjekur. Pra ne duhet të fillojmë me reduktimin, rikuperimin, riciklimin, më pas mund të shkojmë me rikuperimin energjetik ku përfshihen edhe inceneratorët dhe e fundit groposja apo lanfillimi. Ne japim zero lekë për tre hallkat e para që duhet të ishin fokusi kryesor sipas ligjit shqiptar, sipas direktivës së BE, strategjisë dhe hierarkisë së mbetjeve. Tre hallka marrin zero euro, hallka e parafundit 200 milionë euro”, u shpreh Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit, të PD. Malltezi nënvizoi nevojën për ndërtimin e landfilleve të vegjël, ku aktualisht vetëm 3 janë sipas standardeve. “Kemi nevojë për landfille të vogla. E vetmja gjë është se duhet respektuar strategjia e mbetjeve, rendi prioritar i tyre. Më pas ne duhet të respektojmë standardet e BE, duam të jemi seriozë për në BE”, tha kreu i Departamentit të Mjedisit të PD. Malltezi e cilësoi hap pozitiv ndërgjegjësimin e qytetarëve në operacionin për pastrimin e Shqipërisë, nismë e ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, që do të zgjasë 6 muaj.

Artikulli paraprakFatura e tatimit mbi pronat! Shqiptarët do të paguajnë më shumë vitin e ardhshëm
Artikulli tjetërKallëzohet në Prokurori ish-drejtori i ALUIZNI-t dhe 2 ish-zyrtarë