Eurostat: Shqipëria, vendi më i varfër në Europë

Edhe në vitin 2015, Shqipëria renditet si vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me rreth 30% të mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat janë përditësuar së fundmi nga Eurostat dhe bazohen në metodën e fuqisë blerëse, e cila rregullon vlerat bazuar në diferencat e çmimeve mes vendeve dhe madhësisë së ekonomive, në mënyrë që të vlerësohen standardet e jetesës.
Nga shtetet fqinjë, të ardhurat për frymë të Serbisë janë sa rreth 37% e mesatares europiane, ndërsa të Maqedonisë rreth 36%. Për Shqipërinë, në raport me vitin 2005, është bërë shumë pak progres në rritjen e të ardhurave për frymë në raport me mesataren europiane me vetëm disa pikë përqindjeje.
Shteti më i pasur mes vendeve të Bashkimit Europian ëshë Luksemburgu, të ardhurat mesatare të së cilit janë 2.7 herë mbi mesataren europiane (që pjesërisht shpjegohet nga rëndësia e punonjësve përtej kufirit nga Belgjika, Franca dhe Gjermania). Nga ana tjetër, PBB për frymë ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së në Bullgari.
Të dhënat sugjerojnë se për anëtarët e rinj të BE-së ka pasur një proces konvergjence (ritme rritjeje më të shpejta të të ardhurave në raport me mesataren e BE-së). Pjesa më e madhe e shteteve anëtare që hynë në BE më 2004, 2007 ose 2013 kanë lëvizur nga pozicioni poshtë mesatares së BE-së më 2005, në afër mesatares së BE-së më 2015-n, pavarësisht një stepjeje gjatë krizës ekonomike dhe financiare.
Qipro dhe Slovenia ishin përjashtime, deri tani, teksa ata lëvizën më tej poshtë mesatares së BE-së gjatë dekadës së fundit. Të njëjtën tendencë kanë pasur dhe anëtaret më të vjetra të BE-së, Greqia dhe Portugalia. Edhe Italia e Spanja kanë lëvizur nga një nivel më i lartë se mesatarja europiane, në poshtë tij gjatë dekadës së fundit.

2.2% e popullsisë jetojnë në mjerim

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë shpreh shqetësimin se shumë familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërkohë që nuk ka asnjë zhvillim për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik nga ana e strukturave qeveritare, të ngarkuara me këtë detyrim ligjor.
Në këto kushte, pas insistimit të vazhdueshëm 5-vjeçar pa rezultate konkrete, institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me ekspertë të pavarur të fushës ka nisur punën për shpalljen e këtij minimumi jetik në Shqipëri. Ky angazhim mbështetet në një studim të thelluar, realizuar nga ekspertë të ekonomisë, mbi bazë të një metodologjie bashkëkohore dhe të dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore. Shpallja dhe njohja e këtij minimumi jetik nga ana e strukturave qeveritare përgjegjëse do të ndihmonte shtresat më të varfra, si dhe të gjitha kategoritë e personave vulnerabël për të arritur një standard dinjitoz jetese.
Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të varfërisë rezulton se rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë), si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Aktualisht, rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.
Më 17 tetor të vitit 1987, mbi 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë, dhunës e urisë. Që atëherë 17 tetori rikujtohet për angazhimin që t’i jepet fund varfërisë. 17 tetori u njoh si ditë zyrtare më 1993 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987 në shumë vende.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërFarsa e qeverisë me “rritjen e pagave”