Erdogan takohet me Papën në Vatikan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua sot me Papa Françeskun në Vatikan për bisedime që pritej të përqendroheshin te statusi i Jerusalemit dhe lufta kundër terrorizmit.
Zoti Erdogan është Presidenti i parë turk që viziton Vatikanin në 59 vjet. Papa u takua me të gjatë vizitës që bëri në Stamboll në vitin 2014.
Në prag të nisjes për në Vatikan, Presidenti Erdogan tha se, Shtetet e Bashkuara janë “të vetme” në vendimin e tyre për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Zoti Erdogan dhe Papa Françesku kanë shprehur shqetësim ndaj këtij vendimi, që shumë aleatë të SHBA thonë se mund të çojë në dështimin e përpjekjeve për paqen në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë në Romë forcat e rendit u përplasën me kurdët dhe mbështetësit e tyre, që kishin organizuar një demonstratë të paautorizuar kundër vizitës së Presidentit turk.
Rreth 3500 forca të policisë ishin mobilizuar në Romë dhe autoritetet kishin shpallur një zonë të ndaluar për demonstruesit pranë Vatikanit, hotelit të zotit Erdogan dhe ndërtesat ku ai do të takohej me presidentin dhe kryeministrin e Italisë.

Artikulli paraprakGrupi rebel sirian i lidhur me al-Kaidën merr përgjegjësinë për rrëzimin avionit rus
Artikulli tjetërKërkohet burgim i përjetshëm për azilkërkuesin afgan që vrau gruan e konvertuar