Epidemia e fruthit, 271 raste kanë rezultuar pozitivë, shtohet numri i të rriturve

Epidemia e fruthit ka marrë të tjera përmasa. Përveç fëmijëve nën 1 vjeç, të cilët janë prekur për shkak se nuk kanë mbushur moshën për vaksinë, janë shtuar edhe rastet e të rriturve të prekur nga virusi. 271 rastet kanë rezultuar pozitivë përsa i takon të prekurve me fruth, nga të cilët përqindja më e madhe me 64% janë fëmijë nën 1 vjeç të pavaksinuar. Përveç foshnjave, ka rritje të numrit të personave të rritur që i përkasin brezit të viteve ’80-’90. Në Shërbimin infektiv në QSUT çdo ditë paraqiten mesatarisht 7 raste me simptoma të fruthit, ku një pjesë e tyre rezultojnë pozitiv. “Vetëm këto dy javë në mars kemi pasur 50 raste me simptoma të fruthit”, thotë doktor Arjan Harxhi. Mjekët thonë se këto janë raste që ose nuk e kanë bërë vaksinën ose nuk kanë kirjuar antitrupa mjaftueshëm, çka bën që kur bie në kontakt me virusin të infektohen. Aktualisht ka vetëm 7 raste të rënda të shtruar në Infektiv. “Janë me pneumoni, po shyqyr nuk ka pasur raste me encefalit”, thotë Dr. Harxhi. Numri i rasteve të prekur gjithsej ka mbërritur në 271 ku shumicën e përbëjnë fëmijët nën 1 vjeç. Rastet jo të rënda të infektuar me fruth kthehen në shtëpi duke u këshilluar nga mjekët që të izolohen në mënyrë që të mos infektojnë familjarët e tjerë. Por a respektohet kjo nga të gjithë, mbetet për t’u parë. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik insistojnë në vaksinimin e të gjithë personave që i përkasin fashës së viteve ‘80-‘90 dhe po ashtu edhe të atyre që dyshojnë se kanë bërë vetëm një dozë të vaksinës.

Artikulli paraprakEmery: Neymar nuk do të largohet nga PSG
Artikulli tjetërArtistët kundër projektit: Paqartësi për skenën dhe sallën qendrore