Artistët kundër projektit: Paqartësi për skenën dhe sallën qendrore

Pas prezantimit të projektit të ri për godinën e Teatrit Kombëtar, një grup i sindikatës së artistëve të skenës u mbodhën sot për të diskutuar rreth tij.
“Kemi një mbledhje për të diskutuar për projektin e djeshëm. Ne që s’ishim, ne armiqtë e klasës. Urdhër nga drejtori nuk lejojnë të hyjnë në godinën e TK. Dmth aty ku ne punojmë nuk lejohemi të hyjmë. Një projekt, i cili nuk ka lidhje me klasikun e TK. Me qelq e pamë TK, shiheshin aktorët se si visheshin, se si zhvisheshin, do të futen nga poshtë kur ti zerë shiu. U kënaqëm ne”, thotë aktori Arben Derhemi.
Artistët ndajnë mendime të ndryshme rreth projektit, por pothuajse të gjithë bien dakord që janë të paqartë për skenën dhe sallën qëndrore të teatrit në projekt.
“Kryeministri e deklaroi qartë që ky është një projekt për TK. Do të realizohet, nuk ka kthim mbrapa. Pashë edhe projektin në tërësi. Ishte atraktiv. Por, paqartësinë time e kam, sepse nuk pashë parametrat e sallës kryesore të sallës së TK”, thotë Helidon Fino.
“Kur kam qenë në projektin e turbinës dhe TOB është dhënë me detaje nga arkitekti salla, prapaskenat, ku do rrijë garderoba, ku do rrijë aktori, ku do punohet”, thotë aktorja Erjona Kakeli.

“Sigurisht që nuk ishim të ftuar. Ishin të ftuar disa të tjerë, kolegët tanë. Shumë mirë që ishin, por nëpërmjet mediave pamë një shfaqje shumë të shëmtuar të kryeministrit, një tallje që ai bëri me të gjithë komunitetin tonë dhe një arrogancë të paparë”, thotë Anila Bisha.
Artistët gjithashtu shprehen edhe kundër partneritetit publik privat, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ashtu siç të hënën e deklaroi edhe aktori i mirënjohur Rober Ndrenika.
“Kaq i pafuqishëm qenka nga ana financiare sa të ndërtojë një teatër siç i takon dhe siç është dinjiteti i shtetit shqiptar për një Teatër Kombëtar, një opera kombëtare, një galeri kombëtare, të denjë për Shqipërinë europiane të shek XXI? Unë mendoj se jo”, thotë Neritan Liçaj.
Projekti i Teatrit Kombëtar është konceptuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels, një ndër më të famshmit sot në botë për arkitekturën bashkëkohore. Ai deklaroi një teatër me sipërfaqe të trefishuar, gjashtë hapësira, dy salla eksperimentale, përveç asaj qëndrore, një teatër veror me taracë dhe një shesh poshtë ndërtesës unike, që do të përdoret për performanca artistike.

Artikulli paraprakEpidemia e fruthit, 271 raste kanë rezultuar pozitivë, shtohet numri i të rriturve
Artikulli tjetërTeatri i ri me 4 kulla, arkitektët: Humbim një vlerë historike