Eksportet në pikiatë, rënie me 12.8% gjatë marsit

Eksportet shqiptare ranë me 12.8 për qind në muajin mars krahasuar te njëjtin muaj të vitit paraardhës duke shënuar një nga rezultatet më të dobëta të viteve të fundit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i statistikave tregojnë se gjatë muajit të kaluar kompanitë shqiptare eksportuan jashtë 19.3 miliardë lekë mallra nga 22.1 miliardë që ishte shifra në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky është muaji i tetë me radhë që eksportet ulen në terma vjetorë çka përbën një tjetër rekord negativ. Ndërsa si tremujor, për periudhën janar mars, eksportet kanë rënë me 5 miliardë lekë ose 8.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Të dhënat tregojnë se ky është viti i dytë me radhe që eksportet vazhdojnë të bien, duke ndikuar negativisht ekonominë shqiptare. Rënia më e madhe e eksporteve i dedikohet dy grupeve. Ato janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia si dhe grupi i materialeve të ndërtimit. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë, eksportet e këtyre dy grupeve së bashku ishin 10 miliardë më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rënia  e madhe në këto dy grupe ka qenë e pamundur të rikuperohet nga ecuria pozitive e fasonit dhe eksporteve bujqësore. Sipas INSTAT, të dy këto zëra kanë shënuar rritje në tremujorin e parë, por pa mundur të kompensojnë plotësisht rënien e naftës dhe materialeve të ndërtimit. Ndërsa eksportet kanë rënë, shkëmbimet tregtare kanë pasur një ecuri më të mirë në kahun e importeve. Sipas INSTAT, për tremujorin e parë importet u rritën me 3.8 për qind, nga 118.5 miliardë lekë që ishin vjet në 123.1 miliardë lekë këtë vit.

Artikulli paraprakRama dhe krimi njohin vetëm gjuhën e forcës
Artikulli tjetërMediu: Rama-Kokëdhima po grabisin pronat e 123 familjeve në Dhërmi