Mediu: Rama-Kokëdhima po grabisin pronat e 123 familjeve në Dhërmi

Bashkia e Himarës, nën urdhrin politik të Kryeministrisë, kërkon të fillojë shpronësimin dhe shtetëzimin, duke iu marrë tokën e trashëguar 123 familjeve të fshatit Dhërmi, me pretendimin se ata nuk kanë qenë banues të zonës në vitin 1991, kur u imponua Ligji komunist 7501. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka denoncuar grabitjen e tokave që sipas tij, qevereia po u bën familjeve në Dhërmi. Përmes një deklarate për mediat, Mediu tha dje se, “mafia e tokave në bregdet” po iu merr pronat familjeve autoktone, pronarëve të ligjshëm dhe do t’ua japë klientëve të pushtetit, deputetëve, siç ndodhi me heqjen e 18,000 ha tokë nga fondi i kompensimit, me vendim qeverie në vitin 2013. Ai sqaroi se në vitin 1991 edhe pse u kërkua të imponohej Ligji 7501 në mbi 60% të territorit të Shqipërisë, duke respektuar të drejtën e pronësisë dhe shenjtërinë e saj, toka u nda fshatçe, duke respektuar pronësinë e vjetër, si ndërmjet familjeve dhe trashgimtarëve brenda të njëjtës familje. “Këto zona asnjëherë në këto 25 vite nuk kanë pasur konflikte për të drejtën pronësore, sepse e kanë zgjidhur atë jo sipas ligjit komunist 7501, por sipas të drejtës së pronësisë. Pse shteti kërkon të ndërhyjë në Jug, në zonën e bregdetit, dhe nuk ndërhyn në pjesën tjetër të Shqipërisë, në Veri apo Veri-Lindje? Ka vetëm një arsye; interesi i madh për të uzurpuar bregdetin dhe përfituar pronat e pronarëve, në mënyrë të padrejtë dhe korruptive. Dje, përfaqësues të Parlamentit, zoti Dule konkretisht, kanë denoncuar publikisht një fakt tjetër, dhunën dhe veprimet e paligjshme në Bashkinë e Himarës, të urdhëruara nga Rama dhe Kokëdhima”, thekson Mediu. Kryetari i PR thotë se, pas këtij vendimi fshihet një tjetër synim djallëzor i qeverisë. Kreu i republikanëve i bëri thirrje pronarëve të ligjshëm të ngrihen kundër këtij veprimi të qeverisë, që ai e cilëson mafioz dhe korruptiv. Sipas tij, ky shtet i cili rend për të legalizuar vjedhjen dhe paligjshmërinë, bën të kundërtën me pronarët legjitim, i shpronëson dhe i grabit ata. “Për të sqaruar më konkretish, ju bqj me dije se: Ligji 7501 i shpronësoi pronarët e ligjshëm dhe u dha tokë vetëm atyre që ndodheshin në fshat në datën 01.08.1991. Në shumë raste, banorët e fshatrave ranë në marrëveshje komunitare, që toka të shkonte tek i zoti, pra tek pronarët e para vitit 1946. I tillë ishte rasti i komunitetit Dhërmias. Ata i ndanë tokat sipas kufijve të vjetër, dhe pa asnjë konflikt mes tyre. Këtë e vendosën “fshatçe”, si i thonë, dhe e zbatuan. Ata as e lakmuan tokën e njërit-tjetrit dhe as e diskriminuan bashkëfshatarin që ndodhej në atë kohë në qytet. Në Dhërmi çdo familje mori tokën që kishte patur trashëgimi nga babai, gjyshi, stërgjyshi. Mori atë copë tokë që nuk ka guxuar t’ja heqë as turku për 500 vjet, e madje as Enver Hoxha. Që nga 1991 e deri tani, në këtë fshat nuk ka patur asnjë pretendim mes pronarëve të ligjshëm për tokat e trashëguara. Në fakt ky ishte një model që duhej promovuar. Sidoqoftë, këtë vendim konsensual të këtij komuniteti për të marrë secili tokën e të parëve të vet, e kanë respektuar të gjitha qeveritë deri më sot, të majta e të djathta. Kjo Qeveri po u thotë këtyre familjeve që “unë nuk pyes për vullnetin tuaj komunitar, unë nuk pyes për asgjë: unë jua marr tokën, sepse kështu dua”. Kjo arrogancë e qeverisë i ka lënë këto 123 familje pa asnjë përkrahje. Të vetmen përkrahje që ato familje kanë është e drejta e pronës që buron nga Zoti, e drejta e pronës si liri dhe e drejtë hyjnore e njeriut. Por Ligji, këto familje i ka braktisur, dhe për më tepër,     qeveria po i poshtëron.  Qeveria Rama-Meta ka edhe një synim tjetër djallëzor me këtë vendim. Ajo pretendon se një pjesë e tokave të 123 familjeve Dhërmiase që po shtetëzohen, mund të shkojnë për “kompensim fizik” të ish-pronarëve, ndërkohë që siç thashë më sipër, 18,000 ha që ishin për kompensim fizik në bregdet dhe zona të tjera të rëndësishme, i rimori si qeveri për t`i shpërndarë dhe përdorur për interesa korruptive. Partia Republikane e dënon ashpër këtë proçes të iniciuar nga qeveria dhe Bashkia Himarë. PR kërkon që pronarët e ligjshëm të ngrihen kundër këtij veprimi mafioz dhe korruptiv të qeverisë, duke mbështetur në çdo moment të drejtat e tyre të ligjshme”.

Artikulli paraprakEksportet në pikiatë, rënie me 12.8% gjatë marsit
Artikulli tjetërEdi Rama lideri më kot në Europë