“Dora e fortë” e Trump kundër “bandës linçuese” të zotit Mueller

Matthew Whitaker, i caktuar nga presidenti amerikan Donald Trump si Prokuror i Përgjithshëm në detyrë dhe i cili tani mbikqyr hetimin e lidhjeve të zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Trump me Rusinë në vitin 2016, shpesh u ka bërë jehonë sulmeve të presidentit ndaj hetimit.
49 vjeçari Whitaker filloi punën në Departamentin e Drejtësisë vitin e kaluar si shef i personelit i Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, pasi kishte shprehur kundërshtimin e tij për hetimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller ndaj ndërhyrjes së Rusisë dhe për të përcaktuar nëse presidenti Trump kishte penguar drejtësinë, kur u përpoq të frenonte hetimin.
Presidenti Trump e shkarkoi zotin Sessions të mërkurën, pasi e kishte krtitikuar për mbi një vit, lidhur me tërheqjen e tij nga mbikqyrja e hetimit të zotit Mueller, duke ia lënë këtë rol Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein. Tani zoti Whitaker mbikqyr hetimin që ka kritikuar, gjë që i ka bërë demokratët të kërkojnë që ai të tërhiqet nga mbikqyrja e zotit Mueller.
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë nuk ka dhënë shenja se ka në plan të heqë dorë nga kontrolli mbi hetimin e Departamentittë Shtetit, duke thënë se është “i përkushtuar ta udhëheqë me drejtësi Departamentin, me standardet më të larta etike, duke respektuar shtetin ligjor dhe duke vendosur drejtësinë për gjithë amerikanët”.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway tha të enjten se nuk sheh ndonjë arsye se pse zoti Whitaker duhet të heqë dorë nga mbikqyrja e hetimit, për shkak të komenteve që ka bërë si qytetar privat.
Whitaker, ish-prokuror federal në shtetin e Ijovas, ka përmendur mënyra se si mund të cungohet hetimi i zotit Mueller, pa e shkarkuar atë, përfshirë eliminimin e fondeve.

Në një koment në korrik 2017 në CNN, para se të fillonte punpën në Departamentin e Drejtësisë, zoti Whitaker përshkruante një skenar sipas së cilit, zoti Trump mund ta shkarkonte zotin Sessions dhe ta zëvendësonte me një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm, dhe në fakt kështu ndodhi. Në komente në television, Whitaker, la të kuptohej se personi që do të ishte në postin e përkohshëm mund të shkurtonte fondet e hetimit në mënyrë që procesi pothuajse të bllokohej.
Një muaj më pas, zoti Whitaker sugjeronte në Twitter një artikull editorial në gazetën “Philadelphia Inquirer” të titulluar “Shënim për avokatin e zotit Trump: Mos bashkëpuno me bandën linçuese të zotit Mueller”.
Në një tjetër opinion për CNN-in, ai shkruante se zoti Trump “kishte shumë të drejtë” kur thoshte se nëse prokurori Mueller fillonte të hetonte financat e Presidentit dhe familjes së tij, ky do të ishte një tejkalim i kompetencave të hetimit.
Zoti Whitaker i ka quajtur njoftimet për zgjerimin e objektivit të hetimit “shumë shqetësuese”.
Gjykatësit federalë kanë arritur në përfundimin se zoti Mueller nuk e ka tejkaluar autoritetin e tij, duke thënë se kompetencat e tij si prokuror i posaçëm ia lejonin hetimin “për çdo çështje, që del ose mund të dale drejtpërdrejt nga hetimi”, një pikëpamje që zoti Whitaker e kishte kundërshtuar në një opinion për CNN –in.
Ai tha se zgjerimi i hetimit “do të ngrinte shqetësime serioze” se hetimi “ishte thjesht një gjueti shtrigash”, një shprehje e përdorur shpesh nga Presidenti Trump.
Kritikët e emërimit të zotit Whitaker, shprehën shqetësim të menjëhershëm se ai mund të përpiqej të sabotonte hetimin e zotit Mueller.
Kongresmeni demokrat nga Kalifornia, Adam Schiff tha se “Presidenti Trump sapo shkarkoi Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions. Ai do një Prokuror të Përgjithshëm që t’u shërbejë interesave të tij, jo publikut. Hetimi i zotit Mueller dhe pavarësia e Departamentit të Drejtësisë duhet të mbrohen. Whitaker dhe çdo Ii emëruar tjetër duhet të angazhohen që t’i bëjnë të dyja”.

Artikulli paraprakDeputeti Shehaj, në SHBA për të tërhequr eshtrat e Mid’hat Frashërit
Artikulli tjetërKush do të jetë pasuesi i Merkel? Në CDU ka nisur një luftë e fortë