Do të jetë një betejë paqësore

Lulzim BASHA

Dua të jap një përshëndetje të veçantë për mikeshën e ftuar të nderit sot znj. Doris Pack, kryetaren e Lidhjes e Forumit të Grave në Partinë Popullore Europiane.
Dhe dua t’u them, siç kam pasur rastin ta ndaj disa herë me ju në takime të ndryshme, se ajo është një luftëtare e pamposhtme në arenën europiane për të drejtat e grave në përgjithësi, për të drejtat dhe liritë e grave shqiptare në veçanti. Dhe është një shtytje e rëndësishme që Partia Popullore Europiane, familja jonë politike, e cila sot faktikisht ka pushtetin në Bashkimin Europian, duke patur grupin më të madh parlamentar, Presidentin e Unionit, Presidentin e Komisionit dhe së fundmi edhe presidentin e Parlamentit Europian, të japë kontribut të jashtëzakonshëm në betejën e Partisë Demokratike, të demokratëve e në veçanti të grave demokrate, për një Shqipëri të zhvilluar, moderne dhe europiane.
Faleminderit znj.Pack, jeni një luftëtare e pakompromistë kundër së keqes.
Në një kohë sfidash të mëdha globale, ju gjithmonë keni gjetur kohën, energjinë dhe vëmendjen për t’i kushtuar Shqipërisë dhe halleve të saj të mëdha e të shtuara në këto 4 vite, pasionin tuaj dhe forcën e argumentit tuaj, çka ka ndihmuar në ndërgjegjësimin e Europës për problemet që Shqipëria ka, në mesazhet e qartë që Europa ka dhënë e në veçanti po jep këto javë.
E në veçanti, mesazhin e madh se fati i Shqipërisë, fati europian i saj është i lidhur pazgjidhshmërisht me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me kthimin e pushtetit te qytetarët, të cilët përmes votës së tyre të lirë e të patjetërsueshme, kanë të drejtën të zgjedhin dhe të shkarkojnë pushtetarët siç duan dhe siç vendosin ata.
Dhe kjo sfidë e madhe ka mbledhur shqiptarët anembanë vendit. Sot isha në Shkodër, më përpara në Vlorë, në Kavajë, në Durrës, në Fier, në Lushnjë, në Tiranë, në Elbasan dhe, me 18 shkurt, Shqipëria do të vijë këtu, do të mblidhemi si asnjëherë më parë. Të shtunën në orën 12:00, shqiptarët dhe shqiptaret do të bashkohen jo në një protestë thjesht dhe vetëm të thirrur nga opozita, por në një manifestim madhështor, popullor, për të paralajmëruar fillimin e një lëvizje të re. E një lëvizje të madhe popullore, e cila do të definojë kuptimin e demokracisë shqiptare.
27 vite pas hapjes së vendit, 26 vite pas zgjedhjeve të para pluraliste, demokracia është marrë peng, ajo nuk funksionon më si e tillë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
Ekonomia e tregut është marrë peng, ajo nuk garanton liritë për të konkuruar. Shëndetësia është marrë peng nga një grusht oligarkësh që vjedhin paratë e taksapaguesve, ndërkohë që spitalet dergjen pa ilaçe, pa pajisje, me mjekë të keqpaguar.
Me arsimin në kolaps total, ku fëmijët e shqiptarëve dhe të shqiptareve shpenzojnë më shumë orë rrugëve sesa çdo fëmijë tjetër europian, sepse nuk ka vend të zhvilluar europian që i nxjerr fëmijët në 11:30 apo 12:00 nga shkolla, duke shtuar barrën e jashtëzakonshme ekonomike, shoqërore e të gjithanshme mbi nënat, mbi prindërit, mbi gjyshërit, pa ju dhënë asnjë mundësi për të ndihmuar në punën e domosdoshme e të vështirë dhe fisnike të rritjes së fëmijëve.
Në lëvizjet e mia në Shqipëri kam dëgjuar në të vërtetë shumë halle dhe probleme, i kam ndjerë jo thjesht si kryetar i opozitës, si njeri me përgjegjësi politike dhe publike, por edhe si qytetar, edhe si bir nëne, edhe si bashkëshort, edhe si baba i dy vajzave të vogla.
E di sa i madh është ankthi i përditshëm i shqiptarëve, e në veçanti i grave shqiptare që mbajnë barrën disporpocionale të halleve familjare.
Ky ankth buron në radhë të parë nga pamundësia, nga pamundësia për të siguruar mjetet e nevojshme me të cilat mbahet familja. Sepse ato që janë në punë nuk ia dalin dot me rrogat e ulëta, fuqia blerëse e të cilave ka rënë si rezultat i rritjes së taksave, i rritjes së çmimeve, i rritjes së komoditeteve bazë, si energjia elektrike, karburanti dhe gjithçka që lidhet me to.
Por mijëra e mijëra gra të tjera nuk kanë fare punë, enden prej muajsh dhe vitesh në kërkim të një premtimi që kurrë nuk u bë realitet për 300 mijë vende pune, ku të paktën 150 mijë, duhet të ishin hapur për gratë.
Dhe takoj shpesh të tjera gra, të tjera nëna, të tjera vajza, të cilat ose ndajnë të njëjtin problem, ose sapo kanë pësuar një problem edhe më të rëndë; sepse kanë humbur vendin e punës, sepse kompania ku punësoheshin ka falimentuar, sepse firma sipërmarrëse, biznesi familjar ka mbyllur qepenat, sepse një pushtet i korruptuar dhe i inkriminuar deri në palcë i ka hequr nga administrata jo sepse ishin të paafta, por sepse ishin të pamposhtura për të kryer detyrën sipas ligjit dhe jo sipas tekave politike të pushtetarëve të lidhur me krimin.
Pasiguria i shtohet pamundësisë. Pasiguria për të nesërmen, pasiguria e shërbimeve publike të rëna përtokë në cilësinë e tyre, pasiguria e ligjit që, në vend që t’i mbrojë familjet tona, fëmijët tanë, qytetarët në tërësi dhe gratë në veçanti, i godet ato me forcën e një shteti arrogant arbitrar, i cili ka marrë përsipër të godasë çdo qytetar që është në rregull me vlerat, normat dhe ligjin e të mbrojë çdo hajdut, të korruptuar e kriminel, madje ta promovojë anëtar të Parlamentit, ta bëjë kryetar bashkie e ta ngjisë në pushtet, në majë të shoqërisë.
Ankthi dhe pasiguria shtohet nga hipokrizia e pushtetit, i cili e ka gojën plot nga mëngjesi deri në darkë me demagogji dhe propaganda, sikur i digjet xhani për gratë, por në fakt gratë janë sot më të persekutuarat e këtij pushteti të papërgjegjshëm të inkriminuar, të paaftë që ka zhytur Shqipërinë në krizë ekonomike shoqërore dhe psikologjike, që ka marrë peng të ardhmen e vendit, që ka marrë peng resurset e vendit dhe që dëshiron të marrë peng votën e qytetarëve shqiptarë, duke i mohuar atyre të vetmin instrument ndryshimi, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në këto dy botë jetojnë sot shqiptarët. Shumica dërrmuese prej tyre në botën e halleve dhe problemeve të jashtëzakonshme të panumërta, të ankthit të përditshëm dhe në botën tjetër, një grusht pasunarësh dhe pushtetarësh, të cilët janë pasuruar jo për meritë të tyre, por sepse kanë veset më të këqija dhe përfaqësojnë llumin e shoqërisë.
Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara kështu. Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke ulur në bash të vendit të paaftin, gënjeshtarin, hajdutin, kriminelin, e duke i mbyllur dyert për të talentuarin për të talentuarën, punëtoren, krijuesen, intelektualët. E kundërta është sekreti i shoqërive të përparuara tek të cilat sot qindra mijëra shqiptarë emigrojnë apo duan të emigrojnë në vende, ku nuk flitet shqip, ku shpeshherë jetojnë për muaj e vite në ilegalitet, por arrijnë të ndërtojnë jetën e tyre, sepse janë vende që nderojnë punën dhe u japin njerëzve mundësi të çajnë përpara në bazë të talentit që kanë, në bazë të djersës që janë të gatshëm të derdhin. Ky është çelësi i përparimit për Shqipërinë. Dhe kjo kërkon një përmbysje të madhe, një përmbysje të madhe të asaj që sot sundon, sundon politikën, sundon ekonominë, sundon mediat, sundon shoqëritë. Dhe ngritjen e vlerave, e vlerave me të cilat na keni rritur ju nënat shqiptare, vlerat e ndershmërisë të punës, vlerat e konkurencës së lirë, vlerat e barazisë para ligjit, normat me të cilat është ndërtuar Evropa ku duam të shkojmë. Kjo është beteja. Unë ju jap fjalën, se në këtë betejë PD me forcën kurajon dhe mençurinë e grave demokrate është e gatshme t’u japë shqiptarëve, jo thjesht një propozim, por rrugën e daljes nga kriza që na ka pllakosur.
Duke çliruar politikën, nga të korruptuarit dhe kriminelët, në radhë të parë brenda vetes sonë. Lista e deputetëve të ardhshëm të PD do të jetë një listë e pastër si kristali, ku zonjat dhe zotërinjtë, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që do të përfaqësojnë PD, do t’i nënshtrohen dhe do të kalojnë me sukses, vettingun, të vërtetin para qytetarëve, para demokratëve, pa asnjë lidhje me krimin, pa asnjë njollë korrupsioni, asnjë njollë bashkëpunimi me organet e diktaturës. Nesër, këto miliona euro premtoj se do të kthehen në xhepat tuaj përmes vendeve të punës dhe investimeve që ndihmojnë cilësinë e jetës tuaj.
Unë kam një propozim europian për fëmijët tanë, për fëmijët e shqiptarëve. Fëmijët e shqiptarëve njësoj si fëmijët e Europës do të jenë në shkollë jo thjesht dhe vetëm për tre apo katër orë në ditë, do t’i heq fëmijët e shqiptarëve, fëmijët tuaj, fëmijët tanë nga rrugët. Shkollat shqiptare përmes një mbështetje të drejtpërdrejtë financiare do të financohen në dy vitet e para të qeverisjes time dhe më pas me mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për çdo fëmijë shqiptar muaj për muaj me lekë në dorë për çdo familje, do të mundësojmë që fëmijët, edhe pas orarit mësimor, të qëndrojnë deri në orën 15:30 apo deri në orën 16:00 për të ndjekur aktivitete kulturore dhe sportive nën vëzhgimin e mësuesve.
Në shkolla me standarde, me mensa ku shërbehet dreka dhe ku fëmijët ndihen po aq komodë sa në shpitë e tyre.
Ky është zotimi im dhe unë do ta bëj realitet.
Kjo do të ndihmojë që mijëra gra të mos e kenë sikletin nga njëra anë e punës, e kushteve të punës dhe rrogës së ulët, dhe nga ana tjetër kur del fëmija nga shkolla, çfarë do gjejë në shtëpi dhe çfarë do të bëjë në shtëpi. Këto shqetësime, të cilat janë të shumëfishta në një shoqëri me një deficit, me një borxh kaq të madh ndaj grave shqiptare do të lehtësohen, nuk është se do të marrin fund, do të lehtësohen kur shkollat shqiptare të kthehen në qendra, të cilat kujdesen për fëmijët e shqiptarëve deri sa prindërit e tyre, e në veçanti nënat e tyre të kthehen nga puna.
Ankthi dhe pasiguria projektohen edhe nga një pushtet që ka një fytyrë, zë dhe sjellje arrogante dhe harbute.
Arroganca dhe harbutëria nuk janë shenja të trimërisë dhe aq më pak të burrërisë. Nuk ka rëndësi nëse shfaqen brenda familjes, në dhomën e shtëpive tona, apo shfaqen në ekran me fytyra petka dhe grada pushtetarësh, ato në fakt janë shenja burracakërie, janë shenja frikacakësh.
Kjo me mua do të marrë fund. Me qeverisjen time, askush nuk do të ketë ankth nga aktet e paparashikueshme të pushtetit, nga brutaliteti i pushtetit, nga moskomunikimi i pushtetit, duke nisur nga vetë unë. Komunikimi, konsultimi, parashikueshmëria e vendimmarrjes, vendimmarrje që vetëm i shërben interesit publik, do të jenë rregulli i ri i qeverisjes së re që po vjen e në veçanti në raport me gratë dhe interesit të grave.
Më 18 shkurt, bashkohemi për t’i thënë se kurrë nuk do ta pranojmë që vendi të futet edhe një herë në një errësirë të tejzgjatur ankthi, dhune dhe terrori.
Më 18 shkurt, ne do të marrim së bashku një vendim të madh dhe unë do ta ngul me gozhdën e drejtësisë në derën e Kryeministrisë, për t’i bërë të ditur pushtetit të korruptuar e të inkriminuar, se ditët kur ata diktojnë kundër Kushtetutës dhe kundër Ligjit ndaj shumicës dërrmuese të shqiptarëve, po marrin fund.
Shqiptarët të bashkuar do të marrin në dorë, fatet e tyre. Më 18 shkurt frika do të vdesë, shqiptarët do të bashkohen dhe të gjithë bashkë do të diktojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri të qytetarëve.
Rinia është në ballë të kësaj beteje, por jam i bindur se edhe gratë shqiptare do të jenë në ballë të kësaj beteje.
Kjo do të jetë një betejë paqësore, madhështore, popullore, por që do të projektojë fuqinë e pathyeshme të bashkimit, ndaj ju ftoj të vini kështu siç jeni, ju dhe qindra mijëra gra, nëna, motra, të bëheni pjesë dhe t’i jepni hijeshi bashkimit të madh popullor të 18 shkurtit, të bëheni pjesë e ndryshimit të madh që po vjen dhe nuk ndalet.

Artikulli paraprakManjani denoncon pazaret Rama-Bler
Artikulli tjetërFaqja e pare