Manjani denoncon pazaret Rama-Bler

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka denoncuar dje pazaret e kryeministrit Rama me gruan e Toni Bler për pronat. Duke marrë shkas nga vendimmarrja e vazhdueshme e Gjykatës së Strasburgut kundër interesit të shtetit tonë dhe në favor të pronarëve të pronave, Manjani shprehet se, lajmi që Gjykata e Strasburgut ka vendosur dëmshpërblim të rëndë për financat tona publike, nuk është aspak i mirë. Këto çështje në fakt ishin shqyrtuar nga kjo gjykatë që vjet në mars, ndërkohë që Gjykata jonë Kushtetuese kishte çelur gjykimin për kushtetuetshmërinë e ligjit të ri për Trajtimin e Pronës.
“Gjykata Kushtetuese ka pranuar përfundimisht që formula e kompensimit financiar është plotësisht kushtetuese dhe e drejtë. Gjithashtu Gjykata shfuqizoi dy paragrafë që i hap rrugë kthimit fizik të pronës së lirë për të gjithë ato kërkesa që janë të patrajtuar ende nga Agjensia e Trajtimit të Pronës (ATP). Vlerësoj se Gjykata Kushtetuese korrektoi një gabim domethënës, pra të lejimit të kthimit të pronës së lirë pronarit të saj”, shkruan Manjani në një postim në Facebook.
Më tej, Manjani shprehet se, qeveria, jo të gjitha agjensitë e saj, është ende e paqartë mbi strategjinë që do ndjekë pas këtij vendimi. Pra, pyetja që ngrihet është: do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kthimin fizik të pronës pronarëve apo jo? Nëse po, në ç’masë? “Mbi këtë bazë do të duhet të mbahet edhe qëndrimi zyrtar i shtetit përpara Gjykatës së Strasburgut, e cila do të shqyrtojë këtë ligj tonin nëpërmjet shqyrtimit të një ose dy çështjeve nga lista e gjatë e aplikantëve atje. Por ndërkohë ende qeveria nuk ka një qëndrim mbi pyetjet që janë ngritur tashmë. Sigurisht, kjo situatë kaotike (pa shkak të arsyeshëm) shfrytëzohet më së miri nga avokatët dhe Gjykata e Strasburgut vazhdon të ndëshkojë Shqipërinë, ndonëse ende me çështje të vjetra”, shprehet Manjani.
Ai shprehet më tej se, Avokatura e Shtetit tonë është në fakt pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Interpretimet e saj për këtë situatë janë të gabuara dhe me qëllime të paqarta. Kërkesat e saj të vetme janë të merret studio ligjore e gruas së Tony Blair që të na mbrojë në Strasburg. Kërkesa këto të rrëzuara sistematikisht nga ministri i Drejtësisë si të pamotivuara nga ligji.
“Kujtoj se për këtë çështje kisha propozuar një VKM që e zgjidhte një herë e mirë përzgjedhjen e studiove të avokatisë. Ky projekt fle ende në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Qartësisht ky është zyrtari që mbron Avokaten aktuale të Shtetit dhe nxit përzgjedhjen selektive të studiove private. Kjo ishte në fakt arsyeja përse i refuzova të gjitha propozimet për përzgjedhje studiosh pa tender dhe kuturu. Tani qeveria duhet të mbledhë mendjen dhe t’u kthejë pronarëve pronat e lira, ashtu siç urdhëron në fakt Gjykata Kushtetuese! Sa më shpejt ta bëjë këtë gjë, aq më e mirë do të jetë zgjidhja e kësaj çështjeje ngërç për shoqërinë, financat e shtetit dhe ekonomisë kombëtare. Gjithnjë kam mbështetur pikëpamjen e kthimit fizik të pronës së lirë. Vetëm kjo në fakt është rivendosje reale e të drejtës së cënuar”, shkruan Manjani.
Ish-ministri Manjani shkruan më tej se, kompensimi financiar duhet të ishte mjet i jashtëzakonshëm dhe i drejtë sipas formulës që ka ligji i ri tashmë, që zbatohet në kushtet, kur prona është e zënë faktikisht dhe jo kur pritet të zihet nga zaptuesit e rinj (qofshin këta edhe me leje ndërtimi). “Shoqëria nuk mund të paguajë para për kompensim, kur prona është e lirë. Është absurd qëndrimi i Kryeministrit që të mos kthehet prona e lirë pronarit, se medemek kjo iu dashka dhënë sipërmarrësve për fshatra turistikë! Nga ana tjetër edhe më absurde bëhet padrejtësia, kur me leje legalizimi qeveria vlerëson vetëm zaptuesit e pronës së tjetrit.
Prandaj duhet sa me shpejt të zbatohet vendimi që prona e lirë t’i kthehet pronarit. Në shumicën e rasteve rezulton, se ky kthim është 100% ose afërsisht aq. Nuk kemi pse të hezitojmë për të vënë në vend një padrejtësi që rëndon financiarisht shumë breza. Këtë qëndrim pret dhe Strasburgu dhe nuk besoj se ka nevojë për studio avokatie private për të spjeguar kaq thjeshtë këtë gjë! Në të kundërt, vetëm do shtohet fatura financiare, të cilën askush nuk ja ka borxh sot e në të ardhmen shtetit që qeveriset keq!”, përfundon Manjani.

Artikulli paraprakPërlotet Pack: Humba vajzën për shkak të drogës, ndalojeni atë
Artikulli tjetërDo të jetë një betejë paqësore