Do ta paguajnë!

Anne Bayefsky

Për dekada me radhë, Kombet e Bashkuara janë tallur me Shtetet e Bashkuara. Demonizimi i shtetit çifut – antisemitizmi modern – ka qenë një prej prioriteteve të politikës së Kombeve të Bashkuara, një qëndrim tërësisht anti-etik kundrejt vlerave dhe interesave amerikane. Vota e Asamblesë së Përgjithshme më 21 dhjetor që dënonte implementimin e ligjit amerikan të Donald Trump, i cili njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit do të jetë hera e fundit që Shtetet e Bashkuara tolerojnë një situatë të tillë.
Le të qartësojmë pak se si ngjarjet degraduan deri në këtë pikë. Mbledhja e ditës së enjte ishte hera e 17-të që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka mbajtur të ashtuquajturin sesion special emergjencë “të 10-të” për situatën e Izraelit që në vitin 1997. Kjo për shkak se sesioni i “10-të” është në fakt permanent. Në fund të mbledhjes, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme theksoi se, sesioni thjesht do të shtyhej.
Por çfarë do të thotë për njerëzit e zakonshëm ky marifet i Kombeve të Bashkuara? Që nuk ka pasur kurrë asnjë sesion special emergjence të Asamblesë së Përgjithshme për asgjë tjetër veçse për të sulmuar Izraelin në 20 vitet e fundit. Mbi 500 mijë të vdekurit dhe 7 milionë të dëbuarit nga Siria gjatë shtatë viteve nuk kanë qenë kurrë aq të rëndësishëm sa për të merituar një sesion special emergjence. Nuk e kanë merituar as një milion të vdekurit në Ruanda, as dy milionw të vdekurit në Sudan gjatë dy dekadave të fundit, asgjë tjetër nuk meriton një sesion emergjence.
Çështja e ditës së enjte nuk ishte Jeruzalemi. Çështja ishte vetëm urrejta ndaj popullit hebre. Rezoluta ishte e 21-ta e Asamblesë së Përgjithshme që godet dhe sulmon Izraelin me pretendimin se ka dhunuar të drejtat dhe ligjet. Ka patur vetëm një rezolutë për Korenë e Veriut, një për Iranin dhe një për Shtetet e Bashkuara, e cila e kritikonte për politikën në lidhje me Kubën. Së bashku, ka pasur vetëm 9 rezoluta të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dhunimin e të drejtave të njeriut për disa shtete specifike në të gjithë botën. 21 të tjera vetëm për Izraelin.
Loja ka të bëjë me Jeruzalemin dhe kufijtë e vitit 1967, por në fund luhet për kufijtë e vitit 1948 dhe legjitimitetin e shtetit hebre. Çështja ditën e enjte nuk ishte vetëm për Donald Trumpin. Departamenti amerikan i Shtetit prodhon një raport vjetor në lidhje me “votën e besimit” në Asamblenë e Përgjithshme – me pak fjalë sa herë vendet e tjera votojnë njëlloj me Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2016, duke numëruar draftet finale të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme, për të cilat është përdorur votim dhe Shtetet e Bashkuara kanë votuar me “po” ose “jo”, “vota e besimit” për Shtetet e Bashkuara ishte në nivelin e 37 për qind.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, foli më hapur se kurrë për atë që në fund është çështja më e rëndësishme: për paratë. Në lidhje me “sulmin” e ditës së enjte kundër Shteteve të Bashkuara, ajo i theksoi Asamblesë së Përgjithshme se, Shtetet e Bashkuara janë “duke paguar më shumë se kushdo tjetër”, por për çfarë? “Për privilegjin e mungesës së respektit”. Ajo, me mbështetjen e Presidentit Trump, shkuan edhe më tej. Ata kanë premtuar se këtë radhë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë për të ndenjur më të nënshtruar teksa mazhoranca e Kombeve të Bashkuara janë shtete që shtypin popullin në vendet e tyre.
Teksa fliste përpara votimit në një takim me kabinetin, Presidenti Trump tha: “Nuk kemi për të lënë askënd të përfitojë më nga ne”. Haley deklaroi hapur të njëjtin mesazh: “Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend mirë këtë ditë, kur u sulmua padrejtësisht në Asamblenë e Përgjithshme për aktin e vetëm të ushtrimit të të drejtës që i takon si shtet sovran. Do ta mbajmë mend mirë, kur të na kërkoni përsëri për të dhënë kontributin më të madh në botë për Kombet e Bashkuara”.
Vota e ditës së enjte, që u mbyll me 128 pro, 9 kundër, 35 abstenime – tregon se një pjesë e mirë e vendeve, bashkë me ata që nuk u shfaqën në votim, kanë marrë paralajmërimin e administratës se liria nuk vjen pa asnjë çmim. Megjithatë janë shifrat ato që tregojnë historinë e Kombeve të Bashkuara. Cilido të ketë qenë misioni i organizatës në shekullin XX, në shekullin XXI janë taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara ata që po paguajnë për një institucion të drejtuar dhe në pronësi të vendeve anti-amerikane dhe jo-demokrate. Nuk ka kohë më të mirë se kjo për t’i dhënë fund kësaj maskarade.
Gjithçka ka ndodhur pikërisht në periudhën, kur Shteteve të Bashkuara do t’i kërkohet edhe një herë të japë kontributin më të madh në botë për Kombet e Bashkuara. Komiteti i buxhetit të Asamblesë së Përgjithshme është mbledhur për të vendosur në lidhje me financimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara – një entitet i “të drejtave të njeriut” i përbërë nga shtete si Katari, Kina, Kuba, Arabia Saudite dhe Venezuela. Financimi do të përfshijë edhe pagesën e listës së zezë të kompanive amerikane që bëjnë biznes me Izraelin, bashkë një sërë programesh të tjera anti-amerikane.
Administrata Trump duhet të votojë kundër financimit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në nivel komiteti. Kur rezoluta të miratohet, gjithsesi – dhe të rikthehet përsëri bashkë me programet e tjera anti-amerikane dhe anti-Izrael të Asamblesë së Përgjithshme – administrata Trump duhet të votojë kundër të gjithë buxhetit 2018-2019 të Kombeve të Bashkuara.
Ky vendim ka një precendet të pastër. Më 22 dhjetor 2007, administrata Bush votoi kundër buxhetit 2008-2009 të Kombeve të Bashkuara, pasi Asambleja e Përgjithshme vendosi të paguante për një tjetër manifestim urrejtjeje anti-semitike në konferencën e turpshme Durban të racizmit në vitin 2001.
Ja se çfarë duhet të ndodhë pas votimit: Të vendoset një pezullim i përkohshëm i financimit të Shteteve të Bashkuara për OKB-në, përveç të ndonjë rasti urgjent për misione humanitare. Të ngrihet një komitet për të shqyrtuar të gjitha kontributet e Shteteve të Bashkuara në organizatë – tashmë pothuajse 10 miliardë dollarë në vit nga të gjitha burimet qeveritare – dhe të vendoset se çfarë përputhet vërtetë me vlerat dhe interesat amerikane. Të spostohen kontributet nga kategoria buxheti “i zakonshëm” tek kontributet “vullnetare” për t’i kontrolluar ato më imtësisht. Dhe në fund, të transferohet ambasada në Jeruzalem, duke ndryshuar emërtimin mbi një ndërtesë në Jeruzalem në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Koha për të treguar se si mbahen premtimet, nuk ka qenë kurrë më e volitshme, z.President!

Haley: “Këtë do ta mbajmë mend!”

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara për Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, kërcënoi të enjten Asamblenë e Përgjithshme se do të tërheqë financimin e Shteteve të Bashkuara nga organizata ndërkombëtare në kundërpërgjigje të rezolutës famëkeqe që dënonte vendimin e Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend mirë këtë ditë, kur u sulmua padrejtësisht në Asamblenë e Përgjithshme për aktin e vetëm të ushtrimit të të drejtës që i takon si shtet sovran. Do ta mbajmë mend kur shtetet të vijnë të na kërkojnë ndihmë një nga një, siç bëjmë shpesh, që të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim influencën tonë për përfitimet e tyre”, paralajmëroi ajo.
Rezoluta që u miratua me rezultatin 128-9, shprehu keqardhje të madhe për thirrjen e bërë nga Presidenti Trump dhe thirrjet që të gjitha shtetet të pengojnë vendosjen e misioneve diplomatike në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Ishte një votë e spansorizuar nga Turqia dhe Jemeni, pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton mbi një rezolutë të tillë në Këshillin e Sigurimit. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme.
Deklarata e ambasadores Haley ishte më e ashpra që ka bërë deri tani në karrierën e saj si ambasadore, edhe pse vazhdimisht ka kritikuar zyrtarët e Kombëve të Bashkuara për paragjykimet anti-Izrael dhe anti-amerikane të organizatës. Ajo ka theksuar shpesh kontributet e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara në organizatë dhe ka kërkuar që të vlerësohen më shumë interesat amerikane.
Ndërs,a Haley i ka vënë gjithmonë në dukje paragjykimet e Kombeve të Bashkuara, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme është ndryshe për shkak se sulmon drejtpërdrejt një vendim të Shteteve të Bashkuara dhe politikën amerikane dhe kërkon të turpërojë Amerikën. Haley ka theksuar shpesh kontrastin ndërmjet trajtimit që i bëhet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, krahasuar me atë të vendeve që shkelin sistematikisht të drejtat e njeriut si Kuba, Venezuela dhe Arabia Saudite – të tre vende anëtare të Këshillit të të Drejatve të Njeriut.
Administrata Trump ka shfaqur vullnetin e fortë për t’i mbështetur fjalët e ashpra me vepra. Në tetor, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga UNESCO, njësia kulturore e Kombeve të Bashkuara, për shkak të qendrimit të përhershëm anti-Izrael të njësisë. Deklarata e Haley fliste për përgjegjshmërinë demokratike dhe kritikoi ashpër vendet që kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara, por nuk e kanë për përgjegjshmëri.
“Amerika do të vendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. Kjo është ajo që duan populli amerikan dhe kjo është gjëja më e drejtë për t’u bërë. Votimi në Kombet e Bashkuara nuk do ta ndryshojë këtë, por do të bëjë ndryshim për mënyrën se si populli amerikan shikon Kombet e Bashkuara dhe se si shikojmë vendet që nuk na respektojnë në këtë organizatë. Vota juaj do të mbahet mend!”
Deklarata e Haley vjen gjithashtu një ditë, pasi Presdienti Trump paralajmëroi se do të tërheqë financimin e “vendeve që marrin paratë e amerikanëve dhe votojnë kundër tyre”. “Ata marrim qindra miliona dollarë, madje miliarda, dhe më pas votojnë kundër nesh. Ne do ta shohim votën e tyre”, tha ai. “Le të votojnë kundër nesh, do të kursejmë shumë para. Nuk na intereson shumë”.
Ditën e enjte, ambasadori izraelit, Danny Danon, shprehu mbështetjen e tij për ambasadoren Haley, duke përshkruar ata që mbështetën rezolutën si “kukulla” për lidershipin palestinez. “Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë kukulla që tërhiqen me fije nga palestinezët”, tha Danon. “Jemi si marioneta që kërceni teksa lidershipi palestinez ju shikon dhe talet me ju”.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakZgjedhjet 2018
Artikulli tjetërDiplomati, Nesho: Ky vendim, këmbanë alarmi