Diplomati, Nesho: Ky vendim, këmbanë alarmi

Diplomati i karrierës Agim Nesho komenton votën e djeshme të Shqipërisë kundër SHBA-ve. Për Neshon, i cili ka shërbyer për vite me radhë si ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ky rast tregoi që qeveria Rama mund ta përdorë SHBA-në kur i duhet të “kapë” drejtësinë, por mund të jetë kundër saj kur ka interesa të tjera.
“Duke vlerësuar që qeveria shqiptare është shumë e vëmendshme ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, mendoj që presioni nga forca të tjera rajonale si Turqia mund të ketë influencuar në një vendimmarrje të tillë të gabuar. Këtë presion Turqia (si paraqitëse e kësaj rezolute) e ka bërë edhe në të shkuarën, por qeveria Berisha i ka rezistuar presionit dhe ka ruajtur integritetin e saj”, shpjegon më tej diplomati në intervistën për “Hashtag.al”.
Për të sigurisht që personi më i prekur dhe i zhgënjyer nga votimi i Shqipërisë në OKB kundër SHBA-ve duhet të jetë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.

-Shqipëria ka votuar dje kundër SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Si e komentoni pozicionimin e Shqipërisë? A mund të zgjidhte të abstenonte? A mendoni se është luftë personale dhe shfaqje e forcës së votës së Ramës kundrejt Trump-it apo pozicionim pro vendeve si Turqia?
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dje, miratoi një rezolutë të paraqitur nga Turqia dhe Jemeni dhe bashkë-sponsorizuar nga Venezuela kundër njohjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Jeruzalemit, si kryeqytet të shtetit të Izraelit. Ndryshe nga rezolutat e tjera që paraqiten në Asamblenë e OKB-së për konfliktin izraelo-palestinez, kjo rezolutë kishte karakter të njëanshëm dhe bazohej në dënimin e qëndrimit të administratës amerikane dhe dekretit të Presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet.
Si e tillë dhe me ngarkesat politike që mbarte me vete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan se do të ishin të vëmendshëm për pozicionet që do të mbanin shtetet e tjera aleate dhe bashkëpunëtore të SHBA-së ndaj kësaj rezolute. Për më tepër, që përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane shpjeguan që qëndrimi i tyre bazohej në njohjen e vendimit të Kongresit Amerikan të vitit 1995, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen aty të ambasadës amerikane.
Në këtë votë për një rezolutë politike fatkeqësisht Shqipëria zgjodhi të votonte kundër partnerit tonë strategjik, SHBA-ve.
Minimalisht Shqipëria duhet të abstenonte, si shumë vende të rëndësishme si Kanadaja, Australia, Kroacia, Çekia, Polonia, Rumania, etj., të cilat e vlerësuan rezolutën politikisht dhe ruajtën interesat e vendeve të tyre në raport me Uashingtonin.
Argumenti që përdori ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, se vota jonë do t’i bashkëngjitej BE-së, nuk është bindëse për arsye se vetë BE-ja ishte e ndarë në qëndrimin e saj.
Vendet e rëndësishme europiane si Franca, Gjermania kanë mbajtur qëndrim pro rezolutës për arsye të rolit të tyre negociues në konfliktin në Lindjen e Mesme, si anëtarë të Kuartetit Ndërkombëtar si dhe pragmatizmit për të mos t’ia lënë rolin e ndërmjetësuesit për të ardhmen, fuqive të tjera jo-perëndimore si Rusia, Kina, etj.
Shqipëria për vetë rolin e saj të vogël në arenën ndërkombëtare nuk mund të zgjidhte të sakrifikonte aleatin tonë kryesor strategjik për njohjen e përkrahjen e çështjes tonë kombëtare, duke u bërë shtesë e një liste, ku qëndrimi ynë është vetëm një numër.
Duke vlerësuar që qeveria shqiptare është shumë e vëmendshme ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, mendoj që presioni nga forca të tjera rajonale si Turqia mund të ketë influencuar në një vendimmarrje të tillë të gabuar. Këtë presion Turqia (si paraqitëse e kësaj rezolute) e ka bërë edhe në të shkuarën, por qeveria Berisha i ka rezistuar presionit dhe ka ruajtur integritetin e saj.

-Zyra e shtypit të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ka deklaruar se është në koherencë me qëndrimin në një linjë të Bashkimit Europian. A është kjo një lëvizje e re e qeverisë sonë për të bërë të pamundurën për t’u anëtarësuar në BE apo justifikimi i radhës?
Deklarata e MPEJ-së shqiptare kërkon të justifikojë qëndrimin e saj të gabuar, duke vënë përpara BE-në dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë ku politika e jashtme duhet t’i bashkëngjitet qëndrimit me ato të BE-së.
Në votimin e rezolutës për statusin e Jeruzalemit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vota e BE-së ishte e ndarë, pra nuk kemi të bëjmë me një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Europian.
Njihet një praktikë diplomatike në OKB, që kur BE është e ndarë në qëndrimin e saj vendet anëtare të saj dhe vendet aspirante për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian votojnë, duke mbrojtur interesat kombëtare. Fatkeqësisht diplomacia shqiptare zgjodhi si primare interesat e vendeve të Lidhjes Islamike se sa interesat e kombit shqiptar me aleatin tonë të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, sa mendoni se do ndikojë kjo votë kundër tyre në të ardhmen? Ambasadorja amerikane në OKB ka deklaruar se nuk do ta harrojnë, madje ka thënë se do ta kujtojnë sa herë ne të kërkojmë para…
Kjo nuk është thjesht një deklaratë e Ambasadores së SHBA-së në OKB. Kjo deklaratë u bë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Sigurisht që vota politike për rezolutën anti-amerikane në OKB do të mbahet shënim me vëmendje nga administrata amerikane, sidomos sot që ka një përqasje të ndryshme gjeo-strategjike të botës.
Mendoni për një moment sikur SHBA-të të zvogëlojnë përkrahjen ndaj Kosovës dhe të lejojnë të lulëzojnë skenarë të rinj serbo-rus në Ballkan për një zgjidhje tjetër gjeo-strategjike? Ku do të mbështetet diplomacia shqiptare? Tek vendet islamike, shumica e të cilave nuk e njeh Kosovën, apo te disa vende të Europës, të cilat kanë treguar që janë indiferente ose të pazonja për të ruajtur ekuilibrat europianë? Pra, diplomacia shqiptare në rastin më të mirë është treguar miope dhe në rastin më të keq kundër interesave të kombit shqiptar.

-Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, mbështeti hapur Edi Ramën për një zhvillim shumë të rëndësishëm, zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Sa mendoni se do ta ketë të vështirë Lu t’i shpjegojë administratës së tij qëndrimin kundër të Ramës?
Sigurisht, personi më i prekur dhe më i zhgënjyer nga ky proces duhet të jetë ambasadori Lu, i cili i ka dhënë mbështetje pa rezerva qeverisë Rama.
I çorientuar me politikën shqiptare dhe para një regjimi demagogjik, me gjithë dëshirën e mirë për përparimin e Shqipërisë, duhet të dëgjonte këshillën e filozofit dhe mendimtarit të njohur shqiptar Fatos Lubonja, që me përkrahjen e regjimit Rama mund të çosh në krijimin e një regjimi autoritar në Shqipëri, i cili pasi të jetë konsoliduar do të gjejë alternativa të tjera për të zgjatur ekzistencën e tij.
Ky rast tregoi që qeveria Rama mund ta përdorë SHBA-në kur i duhet të “kapë” drejtësinë, por mund të jetë kundër saj kur ka interesa të tjera.

-Së fundmi, Presidenca jonë ka reaguar, duke deklaruar se nuk është informuar dhe nuk është konsultuar për votën kundër SHBA-ve, duke komentuar se kjo votë nuk është një qëndrim shtetëror. Si duhet të funksiononte në një situatë normale?
Qëndrimi i Presidencës është i drejtë, por i pamjaftueshëm.
Në një shtet kur politika e tij e jashtme për qëndrimet më të rëndësishme nuk është konsensuale dhe e bashkuar, kjo duhet të zgjojë këmbanat e alarmit. Për më tepër që politika ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ekzistenciale për kombin shqiptar dhe nuk mund t’i lihet eksperimenteve dhe interesave të çastit.

Intervistoi: Hashtag.al

Artikulli paraprakDo ta paguajnë!
Artikulli tjetërMediu: Vota mund të cënojë rëndë marrëdhëniet me SHBA