Zgjedhjet 2018

James M. Lindsay

Miliona njerëz në të gjithë botën kanë votuar gjatë këtij viti. Francezët zgjodhën Emmanuel Macron si president, ndërsa koreano-jugorët zgjodhën Moon Jae-in. Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, fitoi një madat tjetër me një marzh më të gjërë mbështetjeje. Turqia votoi për të rritur autoritetin kushtetues të Presidentit Recep Tayyip Erdogan në një referendum popullor.
Theresa May në Britani humbi mazhorancën e saj parlamentare, ndërsa Shinzo Abe në Japoni arriti të korrte një fitore të jashtëzakonshme. Kancelarja gjermane Angela Merkele çoi partinë e saj përsëri drejt fitores, por tani po përpiqet të formojë një koalicion qeveritar. Referendumi i shumëdebatuar për pavarësi në Katalonjë shkaktoi një krizë kushtetuese në Spanjë dhe një tjetër referendum pavarësi e debatuar në Kurdistanin e Irakut shkaktoi tensione të mëdha politike. Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje po kaq të rëndësishme që do të trondisin politikën ndërkombëtare dhe mund të kenë pasoja të mëdha përtej kufirit të vendit përkatës.

Zgjedhjet presidenciale në Egjipt (shkurt-maj)
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi u ngjit në pushtet në korrik të vitit 2013, pasi kishte rrëzuar paraardhësin e tij, Mohammed Morsi, në një grusht ushtarak. Sisi u zgjodh më pas president në vitin 2014 me 96 për qind të votave, një avantazh tepër i dyshimtë për zgjedhje të lira e të ndershme. Gjasat janë që Sisi do të vazhdojë sundimin e tij edhe pse nuk ka arritur të mbajë premtimet për të rritur ekonominë, është akuzuar për abuzim me të drejtat e njëriut dhe i ka detyruar egjiptianët të jetojnë në gjendje të jashtëzakonshme që në prill të vitit 2016.
Për shkak të tendencës autoritare të regjimit të Sisit, administrata Trump ka prerë gati 100 milionë dolarë ndihma ekonomike për Egjiptin në muajin gusht. Popullariteti i Sisit ka rënë shumë. Khaled Ali, lideri i njohur i opozitës, i cili ka deklaruar kandidaturën e tij muajin e kaluar, tha në muajin qershor se: “Po të kemi zgjedhje të ndershme, kushdo mund ta mundë Sisin”. Pas kësaj deklarate, Ali u dënua menjëherë me 3 muaj burgim për “prishje të mirësjelljes publike”. Ky dënim me siguri do ta pengojë kandidaturën e tij, pasi Kushtetuta egjiptiane nuk lejon kandidaturën e asnjë personi të dënuar për “paturpësi publike”.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi (18 mars)
Njëlloj si Presidenti Sisi, Vladimir Putin ka shumë mundësi të fitojë zgjedhjet. Në rastin e Putinit, fitorja do të sillte mandatin e tij të katërt. Ai ka shërbyer dy mandate 4-vjeçare si president ndërmjet viteve 2000-2008 dhe më pas fitoi një mandat 6-vjeçar në vitin 2016. Ish-agjenti i KGB-së ka një mbështetje publike prej 80 për qind, pavarësisht ekonomisë së ngadaltë dhe sanksioneve perëndimore. Politika e ashpër e jashtme, veçanërisht në Ukrainë dhe Siri, padyshim kontribon shumë në popullaritetin e tij.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes që gëzon, Putini nuk i lë asgjë rastësisë. Ai ka kufizuar në maksimum lirinë e medias dhe ka dënuar me burg kundërshtarët politikë, gjë që e kufizon ndjeshëm numrin e kandidaturave kundër tij. Alexei Navalny, një nga liderët më të famshëm të opozitës ruse, është penguar të kandidojë për shkak të dënimit të tij për “krime ekonomike”. Ksenia Sobchak, e quajtur ndryshe “Paris Hilton” e Rusisë, është vajza 30-vjeçare e këshilltarit politik të Putinit, ka hequr dorë nga gara. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një kritike e aprovuar nga Kremlini dhe kohët e fundit është takuar me Putinit dhe ka thënë se nuk ka ndërmend ta kritikojë gjatë fushatës. Është e vështirë të fitosh zgjedhje pa kritikuar kundërshtarin.

Zgjedhjet parlamentare në Irak (12 maj)
Nëse Parlamenti iraken do të aprovojë rekomandimet e Komisionit Zgjedhor, votuesit e Irakut do të shkojnë drejt kutive të votimit në pranverë për të zgjedhur parlamentin e ri. Kanë shumë gjëra për të shqyrtuar. 15 vite pas pushtimit të Shteteve të Bashkuara, Iraku vazhdon të jetë një vend i rrezikshëm. ISIS e ka humbur Kalifatin, por vazhdon të jetë një kërcënim i madh. Vota e shtatorit nga kurdët për të formuar Kurdistanin e Irakut ngre pikëpyetje për të ardhmen e integritetit territorial të vendit. Përçarjet dhe përleshjet e dy partive të mëdha Shia, Këshilli Suprem i Islamik dhe Lëvizja Sdriste, shton një tjetër hallkë kompleksiteti. Edhe sikur zgjedhjet të kalojnë pa probleme, politikanët irakenë mund të përfundojnë si gjithmonë në luftë për të formuar një koalicion qeveritar. Kushdo që të dalë në krye të lëmshit, do të duhet të shërojë një vend me shumë fraktura dhe me shumë probleme.

Zgjedhjet e përgjithshme në Itali (jo më vonë se 20 maj)
Italianëve u pëlqejnë shumë qeveritë, kanë pasur plot 65 të ndryshme, që kur Italia u shpall republikë në vitin 1945. Bëhet fjalë për pothuajse një qeveri në çdo vit. Teksa italianët mendojnë për qeverinë numër 66, sondazhet tregojnë se Lëvizja me Pesë Yje hahet kokë më kokë me Partinë Demokratike të Qendrës së Majtë të kryeministrit Paolo Gentiloni. A mund të ketë rezultate të mira një parti e djathë populiste euroskeptike, siç ka ndodhur edhe në vend të tjera të Europës? Ka mundësi.
Italianët janë të pakënaqur nga papunësia e lartë, borxhi i madh qeveritar dhe kriza e refugjatëve. Nëse L5Y arrin të dalë në krye, Luigi Di Maio do të ishte kandidati i ardhshëm për kryeministër. 31-vjeçari do të përballej me një sfidë të menjëhershme dhe nuk po flasim për faktin se nuk ka punuar asnjëherë në jetën e tij. Gentiloni miratoi këtë vit një ligj zgjedhor që e bën të vështirë për çdo parti të fitojë mazhorancë të lartë. Ndërkohë, L5Y thotë se nuk do të japë asnjë vend në kabinet për të formuar koalicion qeveritar. Partitë e tjera natyrisht nuk do të jenë dakord që të formojnë qeveri me këto kushte, kështu Di Maio dhe kolegët e tij mund të përfundojnë jashtë qeverisë edhe nëse fitojnë më shumë vota se partitë e tjera.

Zgjedhjet e përgjithshme në Pakistan (90 ditë nga 5 qershori)
Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif dha dorëheqjen në muajin korrik, pasi Gjykata e Lartë e dënoi me marrëveshje të dyshimta financiare që dolën në dritë pas çështjes “Panama Papers”. Para shpërthimit të skandalit, partia e Sharif Liga Muslimane, dukej e pozicionuar shumë mirë për zgjedhjet e vitit 2018. Tani e ardhmja e partisë është e paqartë. Partia e opozitës është Tehreek-e-Insaf (Lëvizja për Drejtësi e Pakistanit), që drejtohet nga ish-lojtari i kriketit, Imran Khan. Partia duket në pozicion më të fortë krahasuar me një vit më parë, por ndoshta kjo nuk ka rëndësi.
Partia e Popullit të Pakistanit, partia politike demokratike më e vjetër e vendit, mund të kthehet në faktor. Cilado parti të fitojë nuk do të ndryshojë faktin se ushtria dominon qeverinë e Pakistanit dhe pak gjëra mund të bëhen pa aprovimin e saj. Pakistanezët madje pretendojnë se zgjedhjet do t’i fitojë ajo parti që merr miratimin e ushtrisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sido që të jetë, viti 2013 ishte kalimi i parë demokratik i pushtetit në historinë e Pakistanit, pra zgjedhjet e vitit 2018 do të jenë tepër të rëndësishme.

Zgjedhjet presidenciale në Meksikë (1 korrik)
Meksika u diskutua shumë gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane, falë Presidentit Trump. Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa do të diskutohet gjithashtu gjatë zgjedhjeve të vitit 2018 në Meksikë. Presidenti Enrique Peña Nieto, i cili ndalohet me Kushtetutë të kandidojë në zgjedhje, është treguar i kujdesshëm në marrëdhënien e tij me Donald Trump. Kjo është pritur keq në Meksikë. Kandidati kryesor është ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Meksikës, Andres Manual Lopez Obrador. “AMLO” siç quhet ai ndryshe, është renditur i dyti në dy zgjedhjet e mëparshme presidenciale dhe humbi zgjedhjet e debatuara të vitit 2006 me më pak se 1 për qind të votave. Si lideri i partisë së majtë Lëvizja e Rigjenerimit Kombëtar “MORENA”, ai është zotuar se do të luftojë kundër politikës së Trumpit kundrejt Meksikës. Por, njëlloj si Trump, AMLO është edhe një kundërshtar i marrëveshjes NAFTA, edhe pse platforma e partisë flet më shumë për përmirësimin e tregtisë, jo kundërshtimin e plotë të marrëveshjes. Një tjetër kandidate është Margarita Zavala, gruaja e ish-presidentit Felipe Calderon. E quajtur ndonjëherë si “Hillary Clinton e Meksikës”, Zavala është ndarë kohët e fundit nga partia e bashkëshortit të saj, Partia Kombëtare e Veprimit, për të formuar një të sajën.

Zgjedhjet e përgjithshme në Brazil (7 dhe 28 tetor)
Vitet e fundit kanë qenë të vështirë për Brezilin. Ekonomia është ngadalësuar dhe papunësia është nivelin më të lartë të 20 viteve të fundit. Presidentja Dilma Rousseff humbi votën e besimit vitin e kaluar, ish-presidenti Luiz Inacio Lula da Silva u dënua për pastrim parash verën e kaluar, presidenti në detyrë Michel Temer është akuzuar formalisht për shantazh dhe pengim të drejtësisë dhe një skandal korrupsioni ka mbuluar të gjithë elitën politike të Brazilit. Jo çuditërisht, një sondazh i kohëve të fundit tregoi se 87 për qind e brazilianëve mendonin se ishte “thelbësore” që kandidatët të mos ishin prekur nga akuzat e korrupsionit.
Megjithatë, Lula, lideri i partisë së majtë, deri tani është në krye të sondazheve, por nëse ai humbet gjyqin e apelit, do të marrë rrugën drejt burgut, jo presidencës. Kandidatët që mund të jenë më konkurrues në rast të largimit të Lulës, janë Jair Bolsonaro,, kongresmen i të djathtës estreme, i njohur për shpërthimet e tij homofobe dhe seksiste, ose Marina Silva, e cila konsiderohej si kandidate fituese në vitin 2014. Kushdo që të fitojë, do të trashëgojë një politikë të mbushur me probleme dhe publik tepër dyshues rreth politikanëve të tij.

Zgjedhjet e Mesmandatit të Shteteve të Bashkuara (6 nëntor)
Zgjedhjet e Mesmandatit në Shtetet e Bashkuara zakonisht nuk përfundojnë në favor të partisë së presidentit në fuqi. Gjatë shtatë dekadave të fundit, partia e presidentit ka humbur mesatarisht 25 vende kongresi gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ndonjëherë rezultatet janë akoma më të këqija. Presidenti Obama i humbi demokratëve plot 65 vende në zgjedhjet e vitit 2010. Kjo do të thotë se viti i ardhshëm do të jetë i keq për republikanët? Aspak.
Sipas ndarjes së distrikteve mund të pritet që kandidatët demokratë të fitojnë më tepër vota se republikanët, por përsëri mund të përfundojnë me më pak vende në kongres. Për sa i përklet senatit, demokratët duhet të mbrojnë të 38 vendet që rrezikojnë në vitin 2018. Gjërat janë akoma më të vështira për demokratët, pasi duhet të mbrojnë 10 vende në shtetet që Donald Trump ka dalë fitimtar në vitin 2016, ndërsa vetëm një senator republikan do të garojë në një shtet të fituar nga Hillary Clinton. Natyrisht zgjedhjet janë ende larg dhe deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra që mund të dëmtojnë secilën parti.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRrugët e mëdha të së kaluarës për të kuptuar të ardhmen
Artikulli tjetërDo ta paguajnë!