Ditët e fundit të luftës për Shtëpinë e Bardhë

Amerikanët do të zgjedhin presidentin e ri më 8 nëntor, kur do të shprehin preferencën e tyre jo vetëm në lidhje me politikat ekonomike dhe të jashtme të kandidatëve, por edhe në lidhje me karakterin që shikojnë tek secili kandidat. Korrespondenti Jim Malone shpjegon në vazhdim se si tema e karakterit ka dominuar në fushatën e sivjetshme:
Në ditët e fundit të fushatës, dy pretendentët për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton dhe Donald Trump janë përqendruar në kritika ndaj të metave të kundërshtarit.
Rihapja e procesit hetimor të FBI-së në lidhje me serverin privat të e-mail-eve që përdorte zonja Clinton gjatë kohës kur ishte sekretare Shteti e ka kthyer në qendër të vëmendjes temën e besueshmërisë së kandidatëve. Zoti Trump u hodh menjëherë në sulm:
“Ky është skandali më i madh politik që nga Watergate dhe të gjithë shpresojnë me shpirt që drejtësia më së fundi do të vihet në vend”, tha zoti Trump.
Zonja Clinton mund të jetë në mbrojtje këto ditë, por ajo vazhdon të hedhë kritika në lidhje me karakterin e kandidatit Trump:
“Donald Trumpi vazhdon të trumpetojë frikën, duke njollosur demokracinë tonë dhe duke ofenduar një pas një grupe të ndryshme amerikanësh”, tha zonja Clinton.
Fushata presidenciale shpesh përqendrohet në çështje si ekonomia, politika e jashtme dhe imigracioni. Por ky vit është ndryshe, thotë eksperti Matt Dallek:
“Kjo garë është kthyer në një debat kryesisht mbi karakterin dhe personalitetin. Mendoj se tema e karakterit do të mbetet në qendër të debatit. Nuk mendoj se do të fashitet dhe madje në një shkallë të pazakontë, temat në lidhje me politikat e kandidatëve nuk janë aq qendrore sa zakonisht”, thotë analisti.
Anketat tregojnë se shumë votues kanë mëdyshje për besueshmërinë e zonjës Clinton, por një numër edhe më i madh shqetësohen se zoti Trump nuk ka temperamentin e duhur për president.
Ky perceptim i të metave të kandidatëve ka dominuar fushatën, thotë analisti Patrick Hickey:
“Mendoj se këto janë zgjedhje shumë të pazakonta, pasi të dy kandidatët shihen negativisht nga shumica e amerikanëve. Zakonisht kjo ndodh vetëm me njërin prej kandidatëve”.
Mëdyshjet për karakterin e kandidatëve kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë fushatës. Donald Trump sulmoi zonjën Clinton për çështjen e e-mail-eve në debatin e dytë presidencial:
“Nëse fitoj do të udhëzoj prokurorin e Përgjithshëm të emërojë një prokuror special për të analizuar këtë punën tënde”.
Në debatin e tretë ishte zonja Clinton ajo që u hodh në sulm lidhur me komentet fyese të zotit Trump ndaj grave:
“Donaldi mendon se duke i poshtëruar gratë duket më i rëndësishëm. Ai i sulmon duke goditur dinjitetin, vlerësimin e tyre për veten. Nuk mendoj se ka ndonjë grua që nuk e di se sa e rëndë është kjo”.
Si rezultat i gjithë këtyre sulmeve mbi karakterin, ka gjasa që rezultati i zgjedhjeve të varet nga mobilizimi i votuesve për të dalë ditën e zgjedhjeve, thotë analisti Hickey.
“Këto janë zgjedhje ku votohet kundër një kandidati, jo pro një kandidati të caktuar, prandaj pjesëmarrja në votime do të ketë shumë rëndësi, pra ka rëndësi se cila palë nxjerr zgjedhësit për të hedhur votën”.
Një ndër fushatat elektorale më të gjata dhe më antagoniste në Shtetet e Bashkuara mbyllet të martën e ardhshme, një fakt shumë i mirëpritur për një pjesë të madhe të amerikanëve.

Fushata në shtetet e pavendosura

Kandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Hillary Clinton po i përqendrojnë të enjten përpjekjet e tyre në Karolinën e Veriut dhe Florida, dy shtete që shihen nga të dyja fushatat si jetike për të fituar zgjedhjet e 8 nëntorit.
Zoti Trump ka katër tubime të planifikuara gjatë ditës përgjatë bregut lindor duke filluar në qytetin Jacksonville në veri të Floridës dhe duke shkuar më pas në lindje të Pensilvanisë dhe duke përfunduar ditën me dy ndalesa në Karolinën e Veriut.
Ndërkohë, zonja Clinton ka dy tubime të planifikuara në Karolinën Veriore, të parën në Greenville dhe më pas në Raleigh. Presidenti Barack Obama do të bëjë fushatë për zonjën Clinton në Florida, me një ndalesë herët në mëngjes në Miami dhe një tjetër në Jacksonville, vetëm 50 kilometra larg dhe në të njëjtën kohë me aktivitetin e zotit Trump.
Anketat e fundit nga të dyja shtetet tregojnë se kandidatët kanë pothuajse të njëjtën mbështetje ndërsa i vjen fundi fushatës. Megjithatë duket se fushata e zotit Trump është favorizuar nga rritja e mbështetjes, duke mbyllur një hendek prej 4 për qind në Florida dhe tre për qind në Karolinën e Veriut, që nga fillimi i javës së kaluar, sipas përllogaritjes së një mesatareje të sondazheve të Real Clear Politics.
Karolina e Veriut dhe Florida konsiderohen shtete të pavendosura, sepse ndryshe nga shtetet e tjera mund të votojnë ose për njërën parti ose tjetrën në zgjedhjet presidenciale.
Për shembull, Karolina e Veriut votoi për zotin Obama në vitin 2008, por në vitin 2012 mbështeti republikanin Mitt Romney.
Florida votoi dy herë për republikanin, George W. Bush më 2000 dhe 2004, por votoi për zotin Obama më 2008 dhe 2012. Përfundimi i 2012-ës u përcaktua nga një diferencë prej vetëm 0.9 për qind.
Të mërkurën zoti Trump tha se një presidencë Clinton do të krijonte një krizë të stërgjatur dhe se çështja e e-mail-eve do të shoqëronte gjithë presidencën e saj.
Pasi drejtori i FBI-së tha se po e rifillonte hetimin për e-mail-et, zonja Clinton tha se autoritetet do të arrijnë të njëjtin përfundim si edhe në korrik, që nuk “ka çështje për t’u ndjekur penalisht”.

Artikulli paraprakSekretari britanik: Nuk ka luftë me Rusinë
Artikulli tjetërMartirët e besimit