Disa të dhëna që nuk thuhen për Sota-Tahiri dhe “Kurum”

Gjykata e Krimeve të Rënda, një ditë më parë la në burg biznesmenin Orest Sota, të cilit iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në seancën e zhvilluar ditën e hënë, i akuzuari Orest Sota dhe avokatët mbrojtës të tij këmbëngulën se shuma e parave që iu gjetën në makinë ishte një garanci për blerjen e një sasie hekuri në kompaninë “Kurum” në Elbasan. Por sipas një investigimi të kryer nga gazetari Basir Çollaku, rezulton se kompania “Kurum” nuk mund të bënte transferta parash as cash dhe as në numër llogarie mbi 20 milionë lekë të vjetra, për shkak se ishte ndaluar me vendim gjykate.
“Nëse sheh dokumentacionin përkatës të kompanisë Kurum, në QKB, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, bien në sy detaje, të cilat avokatët mbrojtës të Orest Sotës, sipas asaj që kanë pohuar në seancë gjyqsore, nuk duket se i kanë konsultuar fort me nge. Ysuf Kurum adminsitrator, e kishte të ndaluar të bënte çdo lloj transaksioni, mbi 20 milionë lekë, jo vetëm cash, por as nëpërmjet bankës. Ky fakt është depozituar në QKB, më 3 gusht 2017, duke treguar se çdo lloj marrëveshje që do të bënte Yusuf Kurum, mbi 20 milionë lekë, do të ishte e pavlefshme. Ky vendim është marrë nga Gjykata e Tiranës në 30 qershor të vitit 2017 dhe sipas vendimit duhet të viheshin në dijeni të gjithë kreditorët, meqë kompania është në faliment”, shkruan gazetari Çollaku në një postim në Facebook.
Ai shkruan më tej se, ndonëse pretendimi “Sota” është për marrëveshje tregtare, një miliard lekë. Ndërkohë Ysuf është shkarkuar më 31 tetor dhe në vend të tij është emëruar Servet Kurum, edhe kjo më 31 tetor, një ditë para se të arrestohet Orest Sota me 863 mijë euro në makinën e tij “Range Rover”. “Ky vendim është depozituar më 7 nëntor 2017. Kështu Ysuf Kurum nuk mundej të firmoste në shuma të pretenduara mbi 20 milionë, sepse do ishte e pavlefshme. Ndërkohë mbrojtja dhe Sota pretenduan gjatë seancës një ditë më parë në Gjykatë se kishin bërë ujdi pune për shuma të tilla sa ajo që u kap në “Range Rover” më 1 nëntor”, shkruan gazetari Çollaku.
Në seancën gjyqësore të ditës së hënë, prokurorët e çështjes deklaruan se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Orest Sotës janë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët deklaruan se, ka dyshime se ish-ministri Saimir Tahiri i ka përfituar ato përmes aktivitetit kriminal.

Apeli i Durrësit: Dosja “Sota” ka kaluar te Krimet e Rënda

Marrja nën shqyrtim e çështjes ndaj të pandehurit Orest Sota nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe shqyrtimin e rivlerësimit të masës së sigurisë nga ana e tyre, bëri që Apeli Durrës të mos pranojë ankimin e palës mbrojtëse. Në seancën e zhvilluar, prokurori për procedurë kërkoi që çështja të transferohej nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan tek Krimet e Rënda. Kërkesa e prokurorit nuk u kundërshtua nga mbrojtja, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka marrë nën shqyrtim një ditë më parë pjesërisht këtë çështje.
Pasi u njoh me kërkesën, trupi gjykues me relator çështje Petraq Dhimitrin, nuk pranoi ankimimin e bërë nga pala mbrojtëse më herët, për ndryshim mase sigurie. Pas kësaj, mbrojtja pritet t’i drejtohet Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ndryshimin e masës së sigurisë. I pandehuri Orest Sota nuk ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar dje në Gjykatën e Apelit të Durrësit, duke kërkuar të përfaqësohej nga avokati Juljan Mërtiri. Biznesmeni Sota akuzohet për veprat penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së të ardhurave”. Në datë 1 nëntor në automjetin e drejtuar prej tij, policia gjeti 863 mijë euro si dhe dy patenta lundrimi në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

Artikulli paraprakEULEX ka një dosje regjistrimi edhe për Edi Ramën
Artikulli tjetërTahiri, 6 udhëtime jashtë shtetit, mori në kthim ‘ Audin’ A8 në Romë