Tahiri, 6 udhëtime jashtë shtetit, mori në kthim ‘ Audin’ A8 në Romë

Zyrtarisht dosja voluminoze e grupit kriminal “Habilaj”, e përkthyer nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, ka mbërritur ditën e djeshme tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe rreth 40 persona janë në hetim. Fillimisht dosja ka kaluar në Prokurorinë e Përgjithshme, ku në total janë 1800 faqe të cikluara.
Ky hetim po zhvillohet në të dy anët e Adriatikut ku më herët Gjykata e Katanias kishte lënë në masë sigurie arrest me burg, Moisi Habilajn, i cilësuar nga akuza si kreu i grupit kriminal. Për të njëjtën dosje, qëndron pas hekurave në vendin tonë, financieri i Habilajve, Nezar Seitaj dhe Armando Koçerri. Këtij të fundit iu gjetën në banesën e tij në Babicë të Vlorës rreth 4 ton kanabis. Ndërkohë, vijon të jetë në kërkim edhe vëllai tjetër i Moisiut, Florian Habilaj.
Gjithashtu, në dokumentat e dosjes italiane të përkthyera gjenden edhe shumë udhëtime me automjetin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin ia kishte shitur më herët familjarëve të Habilajve. Nga përgjimet e kryera mësohet se, zyrtarisht deputeti Tahiri kishte udhëtuar 6 herë jashtë vendit me “Audin” A8, me targa AA 003 GB. Burime konfidenciale pohojnë se, rasti më tipik i përgjimeve është kur Tahiri, kthehet me ish-automjetin e tij nga Italia.
Nga përgjimet rezulton se, deputeti kishte marrë në kthim makinën tip “Audi” A8 në qytetin e Romës dhe nga përgjimet del se automjetin ia kishte dërguar një nga pjesëtarët e grupit të Habiljave. Me përfshirjen e 40 personave nën hetim nga pala italiane dhe ajo shqiptare, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të rikthejë edhe njëherë dosjen në “sitë”, pasi shumë çështje ose janë ndarë ose janë pushuar. Rreth 1 muaj më parë e njëjta Prokurori kërkoi leje nga Këshilli i Mandateve për hetim në masë sigurie arrest me burg për Tahirin, por ajo kërkesë u rrëzua në Parlament me votat e socialistëve.
Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se, ish-ministri Tahiri në vitin 2014 ka udhëtuar 4 herë drejt Italisë nën shoqërinë e Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj. “Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA 003 GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime, rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Këto udhëtime, Tahiri i bie t’i ketë bërë gati një vit, pasi deklaroi se e ka shitur këtë makinë. Në 2015-ën, ish-ministri tha se në vitin 2013 ua shiti makinën kushërinjve të largët. Tahiri shfaqet sërish në prani të Habilajve në Vlorë në vitin 2016. Të dyja këto dokumente i janë vënë në dispozicion Prokurorisë për Krimeve të Rënda, mbrëmjen e së mërkurës nga autoritetet italiane, dhe konsiderohen si prova të forta për implikimin e Tahirit në veprimtarinë e grupit kriminal.
Mbi bazën e tyre dhe jo vetëm, Prokuroria vendosi t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e tij. Mësohet se komunikimi ka qenë tejet sekret dhe vetëm mes Antimafias së Leçes dhe disa prokurorëve të Krimeve të Rënda, për të shmangur dekonspirimin e të dhënave.
Personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë, duke përfituar nga lidhjet e ngushta me ish-ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit. Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal”. Përfitimet monetare shkonin direkt te ish-ministri Tahiri.

Prokuroria vendos nën hetim shoferin e Tahirit dhe llogaritë e tij bankare

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur nën hetim pasuror edhe shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Asetet pasurore dhe llogaritë bankare të shtetasit Gentian Ceka, thanë burimet do të verifikohen nga grupi i prokurorëve që kanë nën hetim prej muajit tetor dosjen “Habilaj – Tahiri”, që gjithashtu është edhe nën hetim pasuror së bashku me të afërmit e tij.
Gentian Ceka, siç rezulton deri më tani, shfaqet jo vetëm në përgjimet telefonike, por edhe lakohet nga biznesmeni Orest Sota si njeriu që kishte harruar patentat e lundrimit në mjetin ku iu gjetën 863 mijë euro.
Prokurorët nuk japin detaje se çfarë dyshimesh kanë ata përderisa e kanë përfshirë edhe Gentian Cekën në listën e të hetuarve, në një kohë që ai ka shpjeguar se patentat e ish-ministrit i kishte marrë në Durrës dhe i kishte harruar në kroskotin e makinës dy muaj më parë.
Shoferi i ish-ministrit Tahiri, Genti Ceka është marrë në pyetje pasditen e të hënës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai ka dhënë sqarime lidhur me 2 patentat e lundrimit të Saimir Tahirit, të cilat u gjetën në makinën e Orest Sotës sëbashku me 863 mijë euro. Ceka ka sqaruar para prokurorëve se i kishte harruar ai ato dokumente në makinën e 25-vjeçarit 2 muaj më parë, kur ai i kishte marrë në Durrës. Sipas tij, Sota nuk ka lidhje me këtë histori dhe se është faji i tij që i ka lënë në kroskotin e automjetit. Kjo dëshmi konfirmohet edhe nga disa përgjime që Prokuroria ka kryer ndaj tij, ku ai mban të njëjtin version. Duke qenë se Genti Caka nga Prokuroria konsiderohet një nga njerëzit më të afërt, ndaj tij ka nisur dhe një verifikim pasuror.
Ndërsa grupi hetimor gjatë kësaj jave ka marrë dëshmitë e disa personave të tjerë për çështjen Tahiri-Habilaj, ndër ta dhe oficerë policie. Por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të sekretit hetimor. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke kryer disa veprime konkrete hetimore në dosjen voluminoze Habilaj-Tahiri-Sota dhe në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime konkrete.
Ndërkohë, për biznesmenët Sota, përveç hetimit pasuror dhe pasqyrimit të parave, Krimet e Rënda po gërmojnë edhe tenderat e fituara nga kompanitë e tyre gjatë viteve, përfshirë edhe rikonstruksionin e Komisariatit të Kombinatit.
Pas përkthimit të dosjes “Habilaj” nga Ministria e Drejtësisë, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në dorë dosjen “Habilaj”, që do të thotë se së shpejti ata do të kryejnë veprime të tjera. Nga ana tjetër, për të hedhur dritë mbi dyshimet e tyre për mbjelljen e kanabisit, gjatë javës së kaluar grupi i hetimit ka marrë në pyetje një numër të madh zyrtarësh e ish-zyrtarësh të policive lokale, të cilët kanë shpjeguar planin e masave për operacionet antidrogë gjatë vitit 2016.

Artikulli paraprakDisa të dhëna që nuk thuhen për Sota-Tahiri dhe “Kurum”
Artikulli tjetërSi vendimi i Gjykatës rrëzon alibinë e Sotës për 863 mijë eurot