Dhomat e huaja të Tregtisë në vend: Në Shqipëri e vështirë të bësh biznes

Në një takim të Dhomave të huaja të Tregtisë në Shqipëri, të mbajtur në zyrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, përfaqësuesit e dhomave më me zë në Shqipëri më 3 maj 2017, ranë dakord që të krijojnë një platformë më të mirë të komunikimit midis këtyre institucioneve me qëllim unifikimin e informacionit, thjeshtëzimit të tij në mbështetje të kërkesave të investitorëve të huaj që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri.
Gjithashtu, edhe 11 dhoma dhe organizata të tjera të biznesit kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj këtij propozimi. Dhomat Bilaterale të Britanisë, Gjermanisë, Austrisë, Turqisë dhe Dhoma Botërore e Tregtisë IÇ propozuan mbi strukturën dhe ecurinë e këtij bashkëpunimi. Takimi u drejtua nga drejtuesi i lartë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe Lordi Watson i Richmond dhe Presidenti i saj Zenel Hoxha.
Takimi zgjati më shumë se një orë e gjysmë dhe pjesëmarrësit ishin unanim në faktin se investitorët e huaj në Shqipëri ndeshen me vështirësi reale, duke përfshirë mungesën e transparencës në kriteret e vendimmarrjes dhe politikëbërjes në Parlament, por edhe në implementimin e këtyre vendimeve nëpërmjet nënligjeve mbështetëse. Kjo në përgjithësi krijon problematika që çon në çështje gjyqësore, të cilat marrin jashtë mase shumë për t’u zgjidhur në gjykata dhe gjithashtu marrëveshjet pësojnë ndryshime arbitrare të kushteve fillestare duke çuar në zhvlerësimin apo tjetërsimin e oportunitetit të biznesit për të cilën kompanitë kanë investuar.
Gjithashtu të pranishmit theksuan se kanë bindjen se një pjesë e mirë e deputetëve apo politikanëve në përgjithësi nuk arrijnë të kuptojnë nevojat e biznesit dhe rrjedhimisht u ra dakord unanimisht që të përgatitet një deklaratë e Dhomave Bilaterale ku të listohen kërkesat për garanci që kërkojnë investitorët e huaj, për të fituar besimin e tyre dhe investimet e tyre.

Artikulli paraprakDyndje gjykimesh në Arbitrazh, 5595 seanca u zhvilluan më 2016
Artikulli tjetërSpaho: Rama identifikohet në Europë me narkotrafikun