Spaho: Rama identifikohet në Europë me narkotrafikun

Deputeti demokrat, Edmond Spaho, argumentoi nga çadra e protestës se pse në vend kemi krizë politike dhe jo krizë të PD siç shprehet kryeministri Rama. Spaho deklaroi se sot Rama identifikohet në Europë si kryeministri që ka lidhje të forta me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar. “Po na thotë Edi Rama që nuk është krizë politike, por është krizë e PD. Por droga dhe krimi janë të PD apo Edi Ramës? E patë sot gazeta ‘Kurir’, e mikut të Edi Ramës, Vuçiçit, në faqen e parë me fotografi shkruante: Rama shet drogë. Është i turpshëm për një Kryeministër që të identifikohet gjithandej si një promotor i drogës në Shqipëri. Mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me drogë? Është krizë e PD-së thotë, por a e dëgjuat dje sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s që tha të zgjidhet kriza politike. Pra, nuk është krizë e PD, është kriza e Edi Ramës dhe regjimit kleptokratik që ka ndërtuar”, tha ai. Spaho tha se më 7 maj në Kavajë do të ketë një protestë paqësore. “Më 7 maj kemi betejën me regjimin e Edi Ramës në Kavajë. Në vitin 1990 rrëzuam regjimin komunist nga Kavajë. Rrëzimin e regjimit kleptokratik do ta fillojmë nga Kavaja, do të bëjmë një protestë paqësore”, u shpreh Spaho.

Artikulli paraprakDhomat e huaja të Tregtisë në vend: Në Shqipëri e vështirë të bësh biznes
Artikulli tjetërGazeta “Kurir”: Rama shet drogë