Dyndje gjykimesh në Arbitrazh, 5595 seanca u zhvilluan më 2016

Avokatët e Shtetit e kanë përfaqësuar Shqipërinë në 5595 çështje gjyqësore të zhvilluara në gjykatat ndërkombëtare kundër shtetit shqiptar. Ministria e Drejtësisë në analizën vjetore të treguesve financiare të 2016 ka raportuar se, ishin parashikuar 5238 raste për t’u përfaqësuar nga Avokatët e Shtetit, por në fakt janë realizuar rreth 300 përfaqësime më shumë.
Përveç kompanive të huaja që kanë çuar gjykimin e kontratave të tyre në arbitrazhin ndërkombëtar, qytetarë të thjeshtë gjithnjë e më shumë po rrisin kërkesat për gjykim jashtë edhe për çështje krejt të thjeshta.
Janë shtuar ndjeshëm rastet kur qytetarët shqiptarë kanë kërkuar dëmshpërblim nga Arbitrazhi për vonesa që kanë treguar gjykatat vendase në gjykimin e çështjeve të tyre. Tani qytetarët shqiptarë kërkojnë zgjidhjen e çështjeve të pronësisë në Arbitrazh dhe gjithashtu kërkojnë të drejtat që rrjedhin nga Konventa e të Drejtave të Njeriut që i janë mohuar nga gjykatat vendase. Si rrjedhojë vendimet e Arbitrazhit pritet të shndërrohen në kosto të papritur për qeverinë shqiptare. Dosjet e pronave janë një prej tyre.
Gjykata ndërkombëtare ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit.
Rasti Rista (çështja nr. 24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit, ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi që çmimi i referencës për tokën bujqësore dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katrorë.
Vlerësimi i gjykatës për sa i përket aplikimit nr. 24468/10 dhe 39495/10, vëren se autoritetet kishin njohur të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën ndërtimore dhe jo të tokës bujqësore apo kullota si të kontestuara nga qeveria. Vendimi i njëjtë është marrë edhe për tre dosjet e tjera, si rasti Karagjozi kundër Shqipërisë, Halimi kundër Shqipërisë etj.

Artikulli paraprakInteresat negative të euros kanë vënë në vështirësi menaxhimin e rezervës valutore
Artikulli tjetërDhomat e huaja të Tregtisë në vend: Në Shqipëri e vështirë të bësh biznes