Dështon tatimi progresiv, rriten kontribuesit bien të ardhurat e TAP

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore konfirmojnë se numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore është rritur me 168 mijë persona vetëm në sektorin privat jobujqësor në periudhën 2013-2016, por kjo rritje nuk është reflektuar në të ardhurat e tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), madje këtë vit prurjet nga ky tatim kanë shënuar rreth 4 për qind rënie në krahasim me një vit më parë.
Ministria e Financave raportoi në treguesit fiskalë të pesëmujorit se të ardhurat nga TAP arritën në janar-maj 2017 në 12,9 miliardë lekë nga 134 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2016 me një rënie 3.8 për qind.
Të ardhurat nga TAP kanë përformuar shumë më dobët se zërat e tjerë të të ardhurave. Për pesëmujorin 2017 të ardhurat nga tatimet dhe doganat shënuan rritje me 7.6%, ndërsa të ardhurat nga TAP ranë me gati 4%.
Sipas të dhënave të detajuara nga Tatimet, për vitin 2016, peshën kryesore në mbledhjen e TAP e zënë të ardhurat nga tatimi mbi pagën në sektorin privat, me 35% të totalit, më pas renditen pagat në sektorin shtetëror, me gati 20%, tatimi mbi të ardhurat e tjera në burim, me rreth 15%; nga qiratë rreth 12%; nga interesat rreth 9% e të tjera.
Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka po nxit një skemë të shmangies ndaj taksave, teksa individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%.
Deri në vitin 2014 tatimi mbi pagat dhe të ardhurat e tjera personale ka qenë 10 për qind për të gjitha nivelet. Pas këtij viti me rotacionin politik tatimi mbi të Ardhurat Personale-TAP është progresiv.
Nga zero deri në 30 mijë lekë TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurave nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Artikulli paraprakHarta e plazheve të ndotura
Artikulli tjetërSeria A