Seria A

Juventusi mendon seriozisht për Federico Bernardeschin, i cili nuk pritet të qëndrojë më te Fiorentina duke parë ofertat, por edhe tashmë raportet jo të mira me tifozët. Sulmuesi i talentuar italian ua ka bërë të ditur drejtuesve se nuk do të rinovojë kontratën, e cila skadon më 2019 dhe në kushte të tilla Fiorentina është e detyruar ta shesë për të mos zhvlerësuar kartonin e tij. Një ofertë prej 40 mln euro do të tundonte klubin vjollcë, ndërsa Juventusi pritet të bëjë disa largime për të nisur sulmin për Bernardeschin.
Salvatore Sirigu rikthehet në kampionatin italian. Pas 6 vitesh larg Serisë A, portieri 30-vjeçar ka zgjedhur të rikthehet pikërisht te ekipi i Torinos që po kërkon pasuesin e Joe Hart. Për afrimin e Sirigu klubi granata nuk do të shpenzojë për kartonin pasi lojtari ka rënë dakord me Paris Saint Germain për prishjen e kontratës, ndërsa pritet vetëm firma me ekipin e ri. Portieri italian sezonin e kaluar ishte në huazim te Sevilla dhe më pas Osasuna, por tashmë ka vendosur të rikthehet për të qenë protagonist në Serinë A.
Francesco Acerbi ka admirues në Itali me Romën dhe Interin që janë në pritje për të bërë ofertën për mbrojtësin italian, por duhet të bëjnë kujdes nga Zeniti. Roberto Mançini po kërkon përforcime nga Seria A duke bërë një listë me disa alternativa, ku mes tyre është edhe 29-vjeçari që ka edhe një vit kontratë me Sassuolon. Klubi kërkon 10-12 mln euro për të lënë të lirë mbrojtësin, shumë kjo e përballueshme për arkën e Zenitit.
Napoli ende nuk ka bërë asnjë goditje në merkato teksa De Laurentiis kërkon më shumë të ruajë grupin aktual të lojtarëve. Gjithsesi trajneri Sarri i ka kërkuar drejtuesve një përforcim në mbrojtje dhe emri që ai pëlqen është Mario Rui, portugezi në pronësi të Romës. Sarri e njeh mirë 26-vjeçarin pasi e ka stërvitur te Empoli, ndërsa palët po negociojnë për çmimin e portugezit. Napoli ka bërë një ofertë prej 7 mln euro për mbrojtësin, ndërsa Monchi nuk lëshon asgjë pasi pretendon 10 mln euro.

Artikulli paraprakDështon tatimi progresiv, rriten kontribuesit bien të ardhurat e TAP
Artikulli tjetërKarembeu: Mbappe do të veshë fanellën e Real