Dështon dhënia me koncesion e Portit të Karpenit

Ministria e Ekonomisë në kuadër të një analize pune për vitin 2016 ka bërë me dije se procedurat e zgjatura nga Avokatura e Shtetit sollën mosrealizim të projektit “Projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”.
Projekti i shpallur në fundverën e vitit të kaluar ngjalli mjaft interes dhe mbi të gjitha skepticizëm, pasi projektligji për ndërtimin e një porti gjigant në Karpen të Kavajës, me vlerë 5 miliardë dollarë ishte sa gjysma e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë.
Projekti, sipas draftit parashihte investim në një port të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune.
Por projekti nuk u shoqërua me një plan financiar të qartë për mënyrën se si do të financohej. Mediat zbuluan se projekti zotërohej nga një grup kompanish off shore.
Ministria e Ekonomisë më tej në analizën e saj për punën më 2016 ndalet në faktin se shpenzimet për investime janë realizuar në masën 81%.
“Mosparaqitja e faturave për likuidimin e TVSH-së, pranë aparatit të ministrisë, diferencat nga procesi i prokurimeve, ndërmjet fondeve të planifikuara dhe atyre të kontraktuara,  mosfunksionimi i plotë i ISHMT-s, (Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut) mospërcaktimi i selisë të këtij institucioni dhe si pasojë nuk u realizuan investimet e planifikuara për ISHMT-n” ishin disa nga arsyet pse investimet e planifikuara nga Ministria e Ekonomisë nuk u realizuan 100%.
Nga ana tjetër mosplotësimi i kushteve të kontratës të operatorit fitues të projektit të DPM, për shkak të procedurave të zgjatura nga shteti i kompanisë fituese; ndryshimi i disa projekteve me kërkesë të Kryeministrisë, siç janë rastet e përdorimit të fondeve të AIDA-s prej 29 mln lekë për projektin “Krijimin e fondit në mbështetje të mikrondërmarrjeve, të vogla dhe të mesme që ushtrojnë aktivitetet në zonat turistike/historike”, ndikuan planin e investimeve.

Artikulli paraprakShëndetësia falas? Çmimet për shëndetin drejt rritjes
Artikulli tjetërAgron Duka: Nuk ka zgjedhje me këtë qeveri