Shëndetësia falas? Çmimet për shëndetin drejt rritjes

Teksa Shqipëria ka shpenzimet për shëndetin në nivelet më të ulëta në Europë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, e sigurt është që kostot e shëndetit do të rriten në të ardhmen, por nuk është e garantuar se si do të gjenden burimet shtesë të të ardhurave për të administruar shëndetin e popullatës. Ministria e Shëndetësisë lajmëron se qëndrueshmëria e financimit të shërbimeve shëndetësore publike kërcënohet nga disa faktorë, midis të cilëve përfshihen edhe kostot në rritje në shërbimet shëndetësore e mjekësore, plakja e popullatës, niveli dhe disponueshmëria e teknologjive dhe pajisjeve mjekësore, rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe e pritshmërive të tyre për shërbime cilësore shëndetësore e mjekësore. Një sfidë për sistemin shëndetësor përbëjnë edhe karakteristikat e mjedisit të jashtëm, duke përfshirë emigrantët, lëvizjen e lirë të njerëzve, kujdesin ndërkufitar, epidemitë dhe pandemitë, si rasti i fundit i ebolës dhe minoritetet vulnerabël, veçanërisht komuniteti rom. Shpenzimet për shëndetësinë panë rënie të ndjeshme më 2016, pasi rishikimi i buxhetit çoi fondet dedikuar sektorit në vetëm 31 miliardë lekë nga më shumë se 40 miliardë që janë planifikimet në buxhetet fillestare zakonisht. Në këtë mënyrë, fondet për shëndetësinë arritën vlerë të ulët si në raport me PBB edhe në raport me vlerat neto të një viti më parë. Më 2015, shpenzimet për shëndetësinë ishin 32 miliardë lekë ose rreth 2% PBB-së. Ministria e Shëndetësisë vlerëson se sfidë për sistemin shëndetësor është edhe ngritja e mekanizmave për të vlerësuar efikasitetin në kosto të barnave të reja, në përputhje me praktikat më të mira. Globalisht shëndeti kërcënohet nga mjaft rreziqe. Këto përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në: ngrohjen globale, ndarjen dhe pabarazinë globale (e cila ka të bëjë me varfërinë dhe urinë), sigurinë globale (e cila ka të bëjë me luftërat civile dhe terrorizmin), dhe me mungesën e stabilitetit global (e cila ka të bëjë me krizën financiare).

Jetëgjatësia në rritje

Në dekadat e fundit, ka pasur një rritje të qëndrueshme të jetëgjatësisë për të dy gjinitë në Shqipëri. Jetëgjatësia në lindje në Shqipëri në vitin 2013 ishte 76.0 vjet për meshkujt dhe 80.3 vjet për femrat. Dallimi mashkull-femër në jetëgjatësinë ndikohet nga dallimet në rreziqet që lidhen me pirjen e duhanit, konsumin e alkoolit dhe aksidentet rrugore. Vlerësimet e fundit mbi jetëgjatësinë e shëndetshme për Shqipërinë tregojnë se, mesatarisht, meshkujt priten të jetojnë 62.5 vjet në një gjendje shëndetësore optimale (domethënë pa sëmundje dhe me një cilësi të arsyeshme të jetës), ndërsa femrat shqiptare 67 vjet.
Vdekshmëria foshnjore (për 1,000 lindje të gjalla) në Shqipëri ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit në të dy gjinitë. Kështu, për meshkujt ajo ka rënë nga 16.3 në vitin 2004 në 9.2 në vitin 2013, ndërsa për femrat, vdekshmëria foshnjore ka rënë nga 13.6 në vitin 2004 në 6.5 në vitin 2013. Vdekshmëria neonatale ka rënë, por pesha e saj në kuadër të vdekshmërisë foshnjore është rritur gjatë viteve nga 48% në vitin 1990 në 54% në vitin 2013. Vdekshmëria e fëmijëve ka rënë në një shkallë më të madhe se vdekshmëria foshnjore në dekadën e fundit (nga 20.7 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2002 në 8.4 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2013). Vdekshmëria amtare (vdekje për 100,000 lindje të gjalla) në Shqipëri ka rënë nga 22.7 në vitin 1990 në 11.8 në vitin 2013.

Faktorët e rrezikut

Të dhënat më të fundit mbi ndikimin e faktorëve të rrezikut të sëmundshmërisë në Shqipëri identifikojnë tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë: i) rreziqet e lidhura me dietën ushqimore; ii) hipertensioni arterial; iii) duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë. Gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri. Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, shqiptarët kanë pasur nivel të ulët të ardhurash. Për më tepër, shpërndarja e pabarabartë e rritjes ekonomike dhe e pasurisë ndërmjet rajoneve ka çuar në rritje të pabarazive në shëndetin e popullatës, veçanërisht midis asaj të zonave urbane e rurale. Këta përcaktorë, të kombinuar me mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe pagesat e mëdha nga xhepi për shërbimet shëndetësore, kanë cenuar shëndetin dhe cilësinë e jetës, veçanërisht për grupet vulnerabël si fëmijët, pensionistët, të pasiguruarit, etj. Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar, shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale dhe në perspektivë afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare. Vlerësimet e studimit PISA (2012), tregojnë se produktet dhe cilësia e shkollës shqiptare (rezultatet e nxënësve në matematikë, lexim dhe shkenca; përfshirja në shkollë dhe shkalla e kënaqësisë nga shkolla; motivimi për të arritur rezultate sa më të mira etj.) janë më të ulëtat në rajon. Sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria është rreth një vit shkollor mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysmë shkollorë pas mesatares së OECD-së”. Mjedisi është një nga faktorët kryesorë që influencojnë shëndetin dhe mirëqenien. Evidencat globale dhe rajonale tregojnë që përcaktorët mjedisorë, së bashku me faktorët e stilit të jetës: cilësia e ujit dhe e ajrit, rrezatimet, shëndeti në punë dhe aktiviteti fizik, kanë ndikim të qenësishëm në shëndetin e popullatës. Prandaj për shmangien e rreziqeve dhe adresimin e përcaktuesve të shëndetit kërkohen qasje të integruara e gjithëpërfshirëse.

Shtohet barra e sëmundjeve

Barra totale e sëmundjes për meshkujt dhe femrat shqiptare është më e larta në rajonin e Europës Juglindore. Ndërkohë që sëmundjet infektive në Shqipëri kapin një përqindje të lartë të barrës së përgjithshme të sëmundjeve, barra e sëmundjeve të patransmetueshme (SJT-NCDs) nga viti 1990 në ditët e sotme është rritur me 34%. Ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm si për burrat dhe për gratë. Vdekshmëria për shkaqe të NCDs në Shqipëri ishte rreth 88% (86% te meshkujt dhe 90% te femrat). Sëmundjet kardiovaskulare përbënin rreth 55% të të gjitha vdekjeve (51% te meshkujt dhe 61% femrat). Edhe kontributi i lëndimeve tek barra totale e sëmundjeve (në DALY) ka rënë nga 16% e barrës së përgjithshme të sëmundjeve më 2000 në 9% në vitin 2012.
Aksidentet rrugore ngelen një vrasës i madh në Shqipëri, për sa u përket shkaqeve të jashtme të vdekjes. Për sa i përket shëndetit të fëmijëve, Shqipëria përballet ende me barrën e dyfishtë të kequshqyerjes dhe mbipeshës. Të gjithë treguesit e mësipërm, nëse krahasohen me treguesit mesatarë europianë, shtrojnë nevojën për të përmirësuar më tej gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare. Për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, është e nevojshme të ndërmerren veprime strategjike ndërsektoriale, të cilat do të mundësojnë fillimin e shëndetshëm të jetës dhe zgjedhjet e shëndetshme të qytetarëve në jetën e përditshme.

Financime të varfra, të fundit në Europë për fondet ndaj shëndetësisë

Ndër 43 vendet europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015 shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja evropiane për këtë tregues ishte 6%.
Në këtë renditje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1%.
Vendet e rajonit shpenzojnë mesatarisht për shërbimet e shëndetit 5.5% të PBB-së, ndërsa Shqipëria sa gjysma e këtij treguesi, me vetëm 2.8% të PBB-së. Shpenzimet më të larta shihet t’i kenë Danimarka, Holanda dhe Suedia, të cilat kanë dedikuar 9-10% të PBB-së për shëndetësinë. Shpenzime të larta mbi 8% ofrojnë edhe Gjermania dhe Franca, Belgjika, ndërsa për shumicën e vendeve europiane, ky tregues është 5-7% të PBB-së. Shqipëria ka pasur historikisht shpenzime të ulëta për shërbimet e shëndetit dhe arsimit për shkak të të ardhurave të ulëta që grumbullon arka e shtetit. Për 2012-2015, vendi ka grumbulluar 25.2% të të ardhurave në raport me PBB-në teksa mesatarja e Europës për këtë periudhë është 40.4% e PBB-së. Me gjithë fondet e pakta, shpenzimet dedikuar shëndetit nuk mirëpërdoren dhe nuk arrijnë të alokohen sipas programit. Në dy vitet e fundit, gjatë rishikimit të buxheteve vjetore, fondet për shëndetësinë janë shkurtuar.

Artikulli paraprakShqipëria, me pagat më të ulëta në rajon, por me taksat më të larta
Artikulli tjetërDështon dhënia me koncesion e Portit të Karpenit