Deliri i Ramës dhe “bandat shqiptare”

Asllan BUSHATI

Sa herë kam patur rastin kohët e fundit të takohem e të bisedoj me ndonjë përfaqësues të Partisë Republikane, këtu në SHBA si në nivel shtetëror, por dhe me përfaqësues të Kongresit, jam ndjerë keq se biseda fillon me ndonjë romuz për Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke sjellë në fokus deklaratën skandaloze të tij, (gjatë fushatës zgjedhore), për Presidentin Trump. Pa qenë vetë aspak fajtor, befas jam ndjerë si i tillë, se e ka thënë (jo i biri i Kristaq Ramës para shokëve të tij), por njeriu numër një i ekzekutivit të vendit tim, i përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme nga sorosianët e këtushëm. Kjo shije e keqe më ka ardhur mua (dhe shumë të tjerëve), mendoj, vetëm nga deliri fals dhe manjakllëku për t’u dukur, i një njeriu tipik aventurier. Nuk është hera e parë që Edi Rama e bën një gjë të tillë, madje e disata herë, kujtoj këtu rastin e armëve kimike siriane, problemin e Kosovës gjatë vizitës në Beograd dhe kjo e fundit me partitë shqiptare në Maqedoni. Për këtë të fundit do të shpreh një konsideratë, që ndoshta tingëllon pak e çuditshme nga opinionet e tjera të hedhur nga media për konsum publik. E them këtë se dyshoj se vizita e Ramës në Stamboll para një muaji dhe takimi e bisedimi me Erdoganin të ketë qenë thjesht për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë (siç u tha në media). Jo. Më së pari Rama besoj se i ka kërkuar ndihmë Erdoganit që të mund të ndërmjetësojë në administratën e Presidentit Trump, që të mos e marrin për të madhe deklaratën e tij, duke u premtuar me shumë përulësi bashkëpunim në të ardhmen si ta dojë e përse ta dojë administrata e re. Nga ana tjetër do t’i ketë marrë përsipër Erdoganit se do të bisedojë me Kancelaren gjermane Merkel, nevojat e ngutshme që Turqia ka aktualisht me BE-në dhe Gjermaninë në veçanti (vizitë të cilën Rama e realizoi javën e kaluar). Por, po ashtu mendoj se nga ky takim, me porosi të Erdoganit (duke ditur lidhjet që ka Partia Shqiptare Besa me islamizmin dhe me ndihmat financiare të Turqisë), Rama ka marrë përsipër t’i thërrasë partitë shqiptare në Maqedoni në selinë e Kryeministrisë shqiptare që të firmosin një dokument politik, duke bërë në të njëjtën kohë skandalin politik të radhës me aventurizmin që e karakterizon.
Ajo shprehja e tij kundër opozitës në Parlament se: “s’keni parë gjë akoma” rezulton të ketë qenë pothuaj e vërtetë se paska pasur brenda shumë delire të protagonizmit tij individual. Delir për fitoret “madhështore” në zgjedhjet vendore në Korçë dhe veçanërisht në Dibër e Kolonjë (paçka se për to ka ca filmime e regjistrime pak të sëkëlldisshme). Delir për vettingun para dhe pas 22 korrikut, sikur ai të ishte vepër personale e tij (për shembull, pikturë surrealiste), por që rezultoi jo funksional pas prishjes së marrëveshjes së konsensusit me opozitën, duke vonuar e dëmtuar rëndë Reformën në Drejtësi. Delir për politikë të “madhe” të jashme, por që fatkeqësisht çoi pa asnjë arsye në keqësimin e marrëdhënieve me fqinjët. Largimi para dy javësh nga detyra pa asnjë arsye dhe pa asnjë shpjegim për publikun i ministrit Manjani, vetëm se ai i tha të vërtetën se policia është e paaftë të shkatërrojë kanabisin, prandaj duhet përdorur edhe ushtria. Këto ditë shkarkoi nga detyra katër ministra të tjerë me shpjegimin “fantastik” se këta të fundit na duhen për fushatën zgjedhore të 18 qershorit në bazë, (sikur shqiptarët janë të varfër jo vetëm ekonomikisht, por edhe mendërisht). Të gjitha këto dhe shumë të tjera më çojnë tek përfundimi se opozita ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e veprimet e saj dhe se deliri, protagonizmi vetjak, mendjemadhësia, fodullëku, mospërfillja dhe arroganca e shfrenuar e Edi Ramës, kanë dëmtuar rëndë interesat kombëtare.
E kam thënë edhe në një shkrim tjetër se meqenëse disa ministra të LSI-së kanë bërë kritika për qeverinë, më të ashpra e më të rënda se opozita, kjo që sot quhet “Qeveria Rama” faktikisht ka rënë nga fuqia. Çdo ecje më tutje e bashkëqeverisjes PS-LSI është më shumë një shkarravitje qeveritare se sa drejtim i planifikuar i programit të miratuar para elektoratit dhe Parlamentit. Ministrat e LSI-së kam bindjen e plotë se nuk flasin e veprojnë pa marrë urdhër nga Ilir Meta, por ky i fundit për mendimin tim po e keqpërdor Ramën më keq se sorosistët. Mendoj kështu se Meta, në gjykimin tim i bën presion Ramës çdo ditë me largim të menjëhershëm nga koalicioni qeverisës dhe shkuarjen në zgjedhjet e reja veç e veç. Duke qenë të veçuar në zgjedhjet e ardhshme, Rama pret humbjen e sigurtë dhe fundin e hidhur të karrierës së tij politike. Duke e ditur këtë gjë Meta i vë kushte akoma më të rënda si për shembull: “jam dakord për koalicion parazgjedhor PS-LSI me kusht që kryeministri i ardhshëm të jetë Ilir Meta”. Ato zërat e LSI-së poshtë e përpjetë për “Meta kryeministër” pas zgjedhjeve të ardhshne, janë trysni drejtpërdrejt mbi Ramën duke i thënë hyr e zgjidh, o me këtë variant dhe del pak i humbur në fitoren e përbashkët ose i humbur fare përballë opozitës me në krye Lulzim Bashën. Në këto rrethana, zgjedhja që i mbetet Edi Ramës është të pranojë vullnetin e Metës për kryeministër dhe vetë të kërkojë të zgjidhet President po me vullnetin e Metës ose të tërhiqet i vetmuar e pa protagonizëm në qoshen e kryetarit të PS-së. Por a do të jenë dakord ndërkombëtarët me kalkulime të tilla Rama-Meta, pa parë në to interesat e tyre, të vettingut të ardhshëm (se kush do të shkojë në burg) dhe të opozitës që tashmë nuk është e vënë në vështirësi në qoshe të ringut, si më parë? Por ajo pas 18 shkurtit është në fushëbetejë me kredite të brendshme e të jashtme  më të mëdha se dyshja Rama-Meta. Për këtë le të presim, por dhe të shohim më në detaje edhe qëndrimin e opozitës.
Lulzim Basha siç dihet, ka bërë një betejë të lavdërueshme dhe vërtet burrërore për ligjin e dekriminalizimit dhe largimin e të inkriminuarve nga Parlamenti, qeverisja qendrore e vendore, duke i dhënë kështu një ndihmë të vyer të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën e demokracisë e të shtetit ligjor. Ka bërë një betejë të fortë për Reformën në Drejtësi (edhe kundër ndërkombëtarëve të korruptuar), duke mos lejuar që ajo të vihej nën këmbët e Edi Ramës, por të vihej në funksion të ligjit dhe së drejtës. Kurse demonstratën për zgjedhje të lira e të ndershme e ka ngritur në nivelin e kërkesave më të larta europerëndimore, duke e prezantuar vetë para vendasve dhe ndërkombëtarëve si lider i matur, paqësor, largpamës, vizionar dhe i vendosur.
Largimin nga detyra të katër ministrave të PS-së, Basha e quajti farsë dhe të vonuar. Tani tha ai është koha e largimit të vetë Ramës dhe kalimi pa asnjë mëdyshje në qeveri teknike të pranuar nga të gjithë aktorët politikë. Kurse zëvendësimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me Fatmir Xhafën, e quajti zëvendësohet banda Tahiri që mbronte Shullazët me shokë dhe kanabistët, me bandën Xhafa që mbron Hakmarrja për Drejtësi dhe tregun e drogës Shqipëri-Itali e deri në Kolumbi me vëllain e Xhafës. Shkurt zëvendësim bandash se atij i duhen paratë e drogës për zgjedhjet e ardhshme. Për ish-ministrin e Shëndetësisë Beqaj tha se është fytyra më e urryer e popullit shqiptar, hajduti më i paskrupullt që edhe me gjakun e të sëmurëve kërkon të pasurohet duke u dhënë koncesionet miqve e shokëve të tij dhe të Ramës. Këto banda janë rrezik serioz për jetën e çdo shqiptari, shtoi Basha. Asnjë pazar nuk ka e nuk do të bëhet me Edi Ramën, përveç qeverisë teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira të ndershme dhe të barabarta. Ne nuk bëjmë asnjë kompromis në kurriz të interesit publik të shqiptarëve.
Si përfundim, po bëj një “skandal të vogël” duke përsëritur pjesë nga artikulli “Situatë politikë në Shqipëri-dëshpëruese” shkruar nga unë (pra po përsëris veten), disa javë më parë ku tregoj se çfarë këshillash morën politikanët shqiptarë nga administrata e re amerikane: “Edi Rama: je i pabesueshëm për ne. Zullumet që ke bërë janë të shumta (jo vetëm me deklaratën kundër Presidentit Trump), prandaj këshillohesh të mos shkosh më tutje në rrugën e gabuar që ke zgjedhur. Për Ilir Metën: Edhe më parë, por veçanërisht këto tetë vitet e fundit je baltosur shumë. Ka ardhur koha të dalësh në opozitë, ku të kesh kohë të merresh me pastrimin e vetes dhe të partisë, pa hyrë në koalicion parazgjedhor me askënd. Për Lulzim Bashën: Vazhdo të ecësh përpara duke insistuar në zgjedhje të reja të lira e të ndershme dhe minimalja me numërim elektronik. Ne po ju vëzhgojmë nga afër dhe në çdo rast do të keni ndihmesën tonë”. Mendoj se këshilla e mësipërme vazhdon të qëndrojë në fuqi, lum ai që e kupton dhe e merr parasysh dhe mjerë ai që e kupton, por nuk e merr parasysh.

Artikulli paraprakMjegulla e propagandës mashtruese e dhunuese
Artikulli tjetërGjykata Administrative, dyfishohet numri i vendimeve, arrin në 1235 çështje