Mjegulla e propagandës mashtruese e dhunuese

Hamit TAKA

Në një vend me tre milionë banorë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga pikëpamja e menaxhimit administrativ të territorit, për çdo demokraci të mirëfilltë, punët, arritjet progresive politike dhe ekonomike, do të kishin qenë krejtësisht të lehta për t’u përftuar, sikur drejtuesit politikë të këtij vendi, të kishin pasur formime (të ngulitura natyralisht) ideologjike e politike liberale dhe demokratike, të zhveshura tërësisht nga tradita komuniste e dyfaqësisë së sjelljes, së mendimit, të veprimit dhe të komunikimit politik. Për fatin e keq, pjesa e emancipuar dhe e qytetarizuar e shoqërisë sonë, me formim të mirëfilltë europian dhe perëndimor, vazhdon ende të jetë e reduktuar në masë, e paarritur në cilësi, jo mbizotëruese në opinion dhe në vendimmarrje, nën peshën e rëndë të mbijetesës sociale dhe familjare. Kjo mungesë nuk mund të mbulohet më me mjegullën rozë të propagandës së shfrenuar, siç  rreket të bëjë mazhoranca dhe Kryeministri ynë.
Aktualisht, Shqipëria është në një situatë të brendshme të paqartë, të shkaktuar nga vijimi i luftës së ashpër politike të pozitës ndaj opozitës. Në të vërtetë një luftë e ftohtë e brendshme mes së majtës (sot në pushtet) dhe së djathtës (sot në opozitë) asnjëherë nuk është ndërprerë gjatë këtyre 25 viteve, pavarësisht përpjekjeve të forcave demokratike më të avancuara dhe publikut për të nxitur një konsensus nacional, për t’u vetëqeverisur mbi bazën e parimeve të së mirës publike, për të pasur institucione e politika të qëndrueshme, shtylla strategjike orientimi të qarta, të mbështetura të gjitha mbi një përparim ekonomik të spikatshëm dhe mbi gjenerimin e përdorimin racional të rezervave të brendshme të vendit. Mungesa e përparimit demokratik e liberal të Shqipërisë është produkt i rezistencës së idelaleve antidemokratike dhe mbartësve të tyre, të cilët zakonisht vijnë nga kastat pushtetmbajtëse gjatë regjimit diktatorial. Po aq është pasojë edhe e një indoktrinimi të skajshëm të një mase të madhe nga shtresat e varfëra të popullsisë, sipas sloganit “ne hamë bar, por parimet nuk i shkelim” dhe për shkak të vështirësive që gjejnë në shoqërinë tonë postdiktatoriale, me një ndërlikim kaq kompleks social, kulturor, pronësor dhe urban, idetë demokratike dhe liberale perëndimore.
Anarkia politike në vendin tonë në fund të mandatit qeverisës të kësaj mazhorance nuk është e re, ajo e ka zanafillën që në startin e proceseve demokratike, kur forcat konservatore iu kundërvunë për jetë a vdekje partisë së parë opozitare dhe përkrahësve të saj, se gjoja do të vinin bejlerët dhe agallarët, borgjezët e tregtarët, por sot, kur aktorëve politikë u janë vënë përpara disa objektiva të qarta, të ofruara si paketë e gatshme nga garantët ndërkombëtarë, për shndërrimin e vendit në një demokraci të mirëfilltë, ajo është një kosto që rëndon në mënyrë të pajustifikuar dhe rrënimtare mbi të ardhmen e qëndrueshme europiane të vendit.
Ndaj këtyre objektivave të qarta për shndërrimin e vendit në një demokraci të mirëfilltë, sot ndeshen dy qëndrime, ai qeveritar dhe ai opozitar, gati diametralisht të kundërt. Ai qeveritar synon t’i mbyllë llogaritë me Reformën në Drejtësi shpejt e shpejt, në mënyrë mekanike, në bazë të kriterit numerik dhe të përfitojë dy elemente jetikë për të. Tentativa e parë është të vendosë në organet e drejtësisë dhe kontrollit njerëzit e vet, pavarësisht nga e kaluara bllokmene apo kriminale, duke siguruar me këtë marifet diabolik të ardhmen e pacenuar nga ligjet e dekriminalizimit dhe antikorrupsionit. Tentativa e dytë, që siguron suport me realizimin e tentativës së parë, të godasë kundërshtarët politikë, sidomos ata demokratë.
Mirëpo mazhoranca në këto tri vjet i ka bërë llogaritë pa hanxhinë, domethënë pa qytetarinë dhe opozitën. Kur opozita i bëri thirrje qytetarisë, e cila dukej e përgjumur, ajo u ngrit në këmbë dhe mbështeti kauzën e opozitës për “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, duke përfshirë këtu edhe hallet e tjera që e kanë pllakosur në këto katër vitet e fundit. Kjo tregon se qytetari shqiptar është ndërgjegjësuar se demokracia nuk sigurohet thjesht nga sistemi ligjor demokratik dhe disa shprehi, të cilat mund t’i mësojë nga librat apo nga përvoja e vendeve demokratike me anë të emigrimit, por themeli i themeleve të saj është respektimi dhe mbrojtja e votës së lirë. Kjo është arma e vetme e demokracisë me anën e së cilës ndryshohet pushteti. Përmes votës së lirë, të qeverisurit vlerësojnë dhe zhvlerësojnë qeverisësit. Demokracia funksionon dhe zhvillohet përmes votës së lirë të popullit. Kur kjo votë dhunohet, minohet drejtpërsëdrejti demokracia. Kush njeh këto postulate të demokracisë e kupton kauzën e protestave të opozitës dhe bëhet pjesë e tyre.
Në këtë situatë pa rrugëdalje të qeverisë mazhoritare dhe Kryeministrit, këshilltarët legalë dhe ilegalë të tyre, u kanë këshilluar përdorimin e armës së vjetër, trumpirëse, mashtruese e dhunuese, propagandës. Kushdo që ka sy e veshë e shikon dhe e kupton se ajo është bërë mëngjesi, dreka dhe darka që u serviret qytetarëve me anë të mediave servile apo të blera, të cilat kanë vetëm një moral-paranë apo karriget e deputetëve, ministrave, zëvendësministrave e atyre bashkiakë. Shembulli më i ndritur është ish-gazetari dhe drejtuesi i “News 24”, zoti Peza. Substrati i kësaj propagande ishin fjalët e deklaratat e Kryeministrit, i ftuar në “Top Story”, me shprehjen e përsëritur nervoze: “Po të ishin ata të çadrës, do të shikonin polic, që hanin kikiriqe rrugës, do të… do të… Sikur ata atje në çadër janë ujqër dhe mund të shqyejnë kopenë”.
Kjo është gjendja konfliktuale e situatës së brendshme sot në vendin tonë. Një propagandë e shfrenuar ndaj opozitës, sikur ajo i trembet Vettingut, kurse në kampin qeveritar gëzimi ka arritur majat. Por frika nuk fshihet nën qyrk. Situata, propaganda dhe ca veprime të pakuptimta, siç është referendumi për Vettingun, tregojnë se mazhoranca është në panik. Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe me qeveritarët e pushtetarët e sotëm të superpasuruar e superkorruptuar. Vettingun dhe reformat i duan të gjithë shqiptarët, por ato duhet të votohen nga një Parlament i përfaqësuesve të pastër të popullit, të zgjedhur me votën e lirë të tij. Një vend që nuk njeh ende të drejtën e protestës, si institucion i qytetarëve, do të thotë se ai ende nuk është dekomunistizuar dhe vazhdon të hedhë ujin e pastër në enën e vjetër, pa derdhur më parë ujin e fëlliqur dhe llumrat. Një qeveri që anatemon protestën e opozitës dhe qytetarëve, duke paragjykuar se ata nuk duan Vettingun, nuk është demokratike dhe as aspiron për demokracinë e vërtetë. Një qytetar që njeh parimet demokratike dhe zotëron shprehitë demokratike habitet kur dëgjon se pozita, 24 orë në 24 orë, shan e mallkon opozitën, ndërkohë që në çdo vend demokratik, opozita kryqëzon pozitën, pasi ajo ka detyrimin të monitorojë hap pas hapi realizimin e programit elektoral të saj.
Pushteti i sotëm politik rreket të ngurtësohet, në varësi të ekipeve të militantëve dhe mercenarëve, që në këtë vend na i la peshqesh diktatura 45-vjeçare, të cilët ndërrojnë padronët në varësi të interesave materiale të ofruara në tregun e këmbimit elektoral. Presioni i heshtur apo i hapur mbi shoqërinë civile, pafuqia dhe përkuljet që ajo pëson, po rëndojnë në formimin e komunitetit të gjerë të shqiptarëve bashkëkohorë, të emancipuar nga pikëpamja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë, qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë dhe të Europës. Një shoqëri civile, që po tkurret nën peshën e falangave partiake e pushtetare, të cilat fshijnë çdo gjë që u del para, duke u bërë patericë e pushtetit, i kundërvihet protestës qytetare për zgjedhje të lira e të ndershme, si gjoja nismëtare e referendumit për Vettingun, është një çiban i dhembshëm në kurmin e shoqërisë shqiptare.
Nëse nuk do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, Shqipëria jonë do të vazhdojë ngecjen në kënetën e vet të patharë postkomuniste, pa mundur dot të dalë në detin europian, pasi mbetet produkt i vizioneve të ndryshme që shoqëria jonë ka për të ardhmen e saj brenda gjirit të vet kaq heterogjen politiko-kulturor e social, produkt i konceptimeve krejt të kundërta mbi vendin real të Shqipërisë. Shqipëria, kështu siç është, pa u dekomunistizuar dha pa u dekriminalizuar, ka treguar në vazhdimësi se nuk ka forcë për t’u ndarë nga e keqja e saj.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërDeliri i Ramës dhe “bandat shqiptare”