Debati për shëndetësinë, autonomia spitalore sjell cilësi dhe lufton korrupsionin

Departamenti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike në bashkëpunim me Degën e Elbasanit zhvilloi një takim me specialistë të sektorëve të ndryshëm në vijim të dialogimit me kolegët e sistemit shëndetësor.
Paraqitja e platformës së Partisë Demokratike për këtë sektor jetik, duke u përqendruar në disa pika thelbësore, ngjalli diskutime e debate të shumë pjesëmarrësve.
Decentralizimi i sistemit shëndetësor e autonomia spitalore ishin në qendër të vëmendjes si bazë e rritjes së cilësisë së shërbimit e uljes së kostos.
Ky është gjithashtu një mekanizëm i domosdoshëm për luftën me korrupsionin, fenomen që rritet nga praktikat e centralizimit, gjë që po ndodh tashmë në vendin tonë.
Në diskutimin e paraqitur u theksua që ky vizion i PD do të rrisë gjithashtu dhe kualifikimin apo do të krijojë mundësi për përmirësimin e shpërblimit të personelit shëndetësor.
Organet shtetërore si Ministria e Shëndetësisë duhet të kryejnë vetëm rolet horizontale: politikëbërëse, standardizuese, akredituese, kontrolluese.
Menaxhimin do ta bëjnë vetë institucionet shëndetësore.Kjo do të rrisë dhe rolin e dinjitetin dhe përgjegjësinë e personelit shëndetësor të kualifikuar.

Çudia, shëndeti, personat e siguruar paguajnë nga xhepi 70% më shumë se të pasiguruarit

Mbulimi nga sigurimet nuk duket të ketë ndonjë ndikim të ndjeshëm në uljen e shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë janë më të larta për personat e siguruar, sesa për personat që nuk janë të siguruar, thuhet në projektdokumentin e qeverisë shqiptare për strategjinë e Zhvillimit Social dhe Ekonomik 2015-2020, që trajton pjesën e shëndetësisë.
Ndërsa kjo mund të reflektojë faktin që personat e siguruar janë më të pasur, njëkohësisht ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve, arsyeton ekspertiza e qeverisë.
Konsumi mesatar familjar për frymë është afërsisht 13 për qind më i lartë për personat e siguruar. Sipas së njëjtës logjikë, personat e siguruar shpenzojnë sa dyfishi i personave që nuk janë të siguruar për barnat pa recetë, 80% më shumë për barnat me recetë, dhe pothuajse 70% më shumë për shpenzimet shëndetësore OOP në përgjithësi.
Ndërsa këto shifra duhen marrë me rezervë, ato shprehin qartazi shqetësime në lidhje me efikasitetin e mbrojtjes financiare që ofrohet nga sistemi aktual. Ato gjithashtu sugjerojnë se përmirësimi i efikasitet të mbulimit duhet të ketë prioritete, përpara se të bëhen shpenzime substanciale publike për rritjen e mëtejshme të mbulesës, sidomos për personat që nuk janë të varfër.
Nivelet e larta të shpenzimeve nga pacientët e siguruar për barnat me recetë – edhe ndonëse këto duhen financuar nga sigurimet – nuk bëjnë gjë tjetër veçse e theksojnë rëndësinë e tyre.
Shqipëria përballet me sfida të mëdha përsa i takon kujdesit të duhur dhe cilësor shëndetësor. Qeveria shqiptare ka propozuar një lëvizje drejt mbulesës së kujdesit shëndetësor universal që do të financohet nga të ardhurat e përgjithshme, por radha dhe implikimet fiskale të këtij tranzicioni duhet të jenë të menduara me kujdes.
Reforma e propozuar përfshin dy elementë kryesorë:
1) Një kalim gradual nga modeli aktual hibrid i financimit të shërbimit publik përmes primeve të sigurimeve të pagave nga borderotë dhe të ardhurat e përgjithshme drejt një modeli të financuar vetëm nga të ardhurat e përgjithshme;
2) Zgjerimi i gamës dhe thellësisë së mbulesës shëndetësore për të gjithë popullatën;
3) Përfundimi dhe miratimi i “Strategjisë së shëndetësisë, 2016-2020” brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2016”. Gjithashtu, mbulesa universale në shëndetësi ka disa dimensione, duke përfshirë përqindjen e popullsisë që mbulohet nga sigurimet, përqindjen e kostove që mbulohen dhe numrin e shërbimeve të mbuluara.

35 mijë të pastrehët, të varfërit nuk përfitojnë banesa sociale

Numri i të pastrehëve deri vitin që kaloi ka arritur në mbi 35 mijë, pavarësisht statistikave problematike, por sakaq varfëria e tejskajshme në të cilën ndodhen këto familje nuk u mundëson atyre mundësinë e pajisjes me banesa sociale. Dokumenti i strategjisë së strehimit 2005-2015 vë në dukje se, shumica e personave kanë bërë kërkesë në programin e banesave me kosto të ulët. Konkretisht, 64,9 për qind ose mbi 22 mijë të interesuar kanë bërë kërkesë për banesa me kosto të ulët, 30,94 për qind kërkojnë të strehohen në banesa sociale me qira, 1,94 për qind dhe 1,13 për qind për truall të pajisur me infrastrukturë. Numri i personave që kanë bërë kërkesë për banesa me kosto të ulët është 2,1 herë më i lartë se i atyre që kanë bërë kërkesë për banesa sociale me qira. Sipas dokumentit qeveritar për strehimin, bashkitë me numrin më të madh të kërkuesve janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, Kuçova, Lezha dhe Saranda. Bashkitë me numrin më të vogël të kërkuesve janë Leskoviku, Roskoveci, Divjaka, Ura Vajgurore, Orikumi, Maliqi, Patosi, Burreli, Tepelena (po aty). Ndërkohë, numri i përfituesve në programet e banesave sociale gjatë periudhës 2005-2014 është 5.0217 ose 14 për qind e nevojtarëve për strehim. Nga të akomoduarit 2,68 për qind kanë përfituar banesa sociale me qira dhe 17,6 për qind kanë përfituar banesa me kosto të ulët dhe 88,64 për qind e përfituesve kanë përfituar subvencione për banesa. Strategjia për strehimin vë në dukje se, programet e strehimit social tërheqin familjet me të ardhura mesatare 6 deri në 8 herë më të larta se kufiri i varfërisë. “Një prej programeve më të mëdha (programi me banesa me kosto të ulët) nuk është i përballueshëm për të varfrit; për këtë arsye, të varfrit nuk përfitojnë nga ky program”, thuhet në dokument. Gjithashtu, procedurat bankare janë tepër të gjata dhe të kushtueshme, nëpunësit e njësive vendore dhe punonjësit e bankave shpesh u japin përparësi miqve dhe nëpunësit e njësive vendore i nxisin individët të bëjnë kërkesë për strehim social edhe nëse këta nuk i përmbushin kriteret e vendosura me ligj, vënë në dukje ekspertët e qeverisë. Nga ana tjetër programi i banesave sociale me qira ka më shumë gjasa të ketë në fokus familjet me të ardhura të ulëta. Por megjithatë, njerëzit që jetojnë afër ose nën kufirin e varfërisë nuk mund ta përballojnë këtë program. Përveç kësaj, programi i banesave sociale me qira nuk trajton nevojat e personave me aftësi të kufizuar. Programi më i vogël është ai i subvencioneve të strehimit. Subvencionet e strehimit shihen si zgjidhje e përkohshme e problemeve të strehimit dhe sakaq nuk ka ndonjë rregull për të dekurajuar varësinë ndaj programit. Këto rezultate sugjerojnë se programet e strehimit social duhet të zgjerohen më tej për të përmbushur kërkesat e grupeve në nevojë. Njëkohësisht, programet e strehimit social duhet të riorientohen drejt shtresave në pozita të pafavorizuara. Deri tani, pjesa më e madhe e burimeve janë alokuar në përfitim të shtresës së mesme. Ndërkohë që mbështetja e kësaj shtrese është e rëndësishme, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe grupeve më të varfëra. Një nga sfidat kryesore është riorientimi i programeve sociale drejt grupeve në pozita të pafavorizuara. Një tjetër sfidë është vënia në funksion e programit të pajisjes së truallit me infrastrukturë, program i cili deri tani nuk është zbatuar.

Pagesa e papunësisë, ulet ndjeshëm përfitimi

Duke filluar nga muaji Prill do të vihet në jetë skema e re e përfitimit nga pagesa e papunësisë. Me një vendim të posaçëm qeverie, pagesa e papunësisë u rrit me gati 60 për qind, çka do të thotë se nëse më parë një i papunë përfitonte 6850 lekë në muaj, tashmë do të përfitojë 11 mijë lekë në muaj. Por, në fakt të gjithë ata që humbin vendin e punës dhe aplikojnë për pagesën e papunësisë, do ti nënshtrohen rregullave të tjera të përfitimit, që janë edhe më penailizuese. Kështu, ata që kanë vetëm një vit të siguruar, u lind e drejta të marrin vetëm tri paga në masën 11 mijë lekë secila.
Ata që kanë kontribuar pesë vite, do të marrin 9 paga dhe ata që kanë mbi 10 vite sigurime, do të marrin për 1 vit rresht pagesën e papunësisë. Deri më tani, çdo i papunë, mjaftonte që të kishte kontribuar të paktën 12 muaj dhe përfitonte, 1 vit pagë për herë të parë në masën 6850 lekë në muaj, 10 muaj për herë të dytë, dhe 8 muaj për herë të tretë. Tashmë duket se kriteret janë forcuar tejmase dhe praktikisht është ulur ndjeshëm masa e përfitimit. Po të bëjmë një krahasim, nëse me vendimin e ri për një vit kontribute, një personi që humb vendin e punës i takon të marrë 33 mijë lekë në total, pra tre paga me 11 mijë lekë, më parë ai përfitonte me po të njëjtat kritere 82.200 lekë në total, konkretisht 12 paga me nga 6850 lekë.
Çka do të thotë se praktikisht me krahasimin e bërë, që pagesa e papunësisë ka pësuar një ulje të ndjeshme me 49.200 lekë dhe është në kufijtë e mbijetesës. Kusht për përfitim është regjistrimi pranë zyrave të punës. Pas depozitimit të kërkesës, bëhet edhe plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm brenda një afati 60¬ditor. Nëse punëkërkuesit të papunë i ofohet punë dhe e refuzon atë, atëherë automatikisht i hiqet e drejta e përfitimit të pagesës së papunësisë.

Performancë e dobët e tregut të sigurimeve

Fillimi i vitit vazhdon të ofrojë një performancë të dobët të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës. Nga të dhënat e AMF-së periudhën janar – shkurt 2016 kanë filluar të duken edhe efektet e ndryshimeve në takimin e sigurimeve, pas rritjes në 10% të taksës. Shoqëritë e sigurimit të kësaj pjesë të tregut deklarojnë se rritja e barrës fiskale ka ndikuar në të ardhurat e tyre. Megjithatë sipas statistikave zyrtare, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.5% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.4% dhe veprimtarinë e risigurimit me rreth 0.1%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38.32% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.68% të totalit të tregut. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-shkurt 2016 arritën rreth 1,169 milionë lekë, ose 0.54% më shumë se e njëjta e një viti më parë. Të dhënat e AMF-së tregojnë se primet e sigurimit TPL për 2-mujorin e parë të këtij viti ranë me rreth 2% kundrejt vitit të kaluar. Kjo u shoqërua edhe me një ulje të numrit të kontratave pothuajse në të njëjtin nivel. Sa i përket dëmeve, ato të paguara për sigurimet e detyrueshme vazhdojnë të mbizotërojnë, duke zënë rreth 65% të totalit.

Artikulli paraprakRekordi, qytetarët tërheqin 32 milionë euro nga bankat në shkurt
Artikulli tjetërKosovë, rritet deficiti tregtar në shkurt me 20.7 %