Kosovë, rritet deficiti tregtar në shkurt me 20.7 %

Eksporti mbulon importin me vetëm 12.4 për qind. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë prej 169.6 milionë Euro, ose 20.7 për qind në muajin shkurt 2016, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ku deficiti tregtar ishte 140.5 milionë euro.
Kështu thuhet në një komunikatë për media, ku Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit të mallrave për muajin shkurt 2016.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin shkurt 2016, ka vlerën 24.0 milionë euro, ndërsa importi 193.6 milionë euro, ku është një rritje prej 3.2 për qind për eksport dhe 18.2 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Sipas të dhënave të ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së janë 6.9 milionë Euro, ose rreth 28.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, ku shënohet një rënie prej (-26.9%).
Kurse, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Bullgaria me 4.8 për qind, Gjermania me 4.5 për qind, Holanda me 4.3 për qind dhe Franca me 3.3 për qind. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 83.4 milionë euro, ose 43.1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.7 për qind. Importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga Gjermania me 13.8 për qind, Italia me 7.4 për qind dhe Greqia 3.7 për qind.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s, në muajin shkurt 2016, kanë arritur në 8.1 milionë Euro, ose 33.9 për qind të eksporteve të përgjithshme, ku kishte një rritje prej 22.7 për qind. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport janë Shqipëria me 10.3 për qind, Maqedonia me 8.6 për qind, Mali i Zi me 6.3 për qind dhe Serbia me 5.4 për qind. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s, në muajin shkurt 2016, arritën në 50.7 milionë Euro, ose 26.2 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.7%). Ndërsa, vendet me pjesëmarrje me të lartë për import ishin Serbia me 14.5 për qind, Maqedonia me 5.3 për qind dhe Shqipëria me 3.5 për qind.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës, kanë arritur në 9.0 milionë euro, ose 37.4 për qind. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende janë India me 7.5 për qind, Zvicra me 4.4 për qind dhe Turqia 2.4 për qind. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera kanë arritur në 59.4 milionë euro, ose 30.7 për qind. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë Turqia me 9.7 për qind dhe Kina me 9.1 për qind.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 44.3% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.7% e përbëjnë produktet minerale; 8.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.7% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 4.2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 4.0% e përbëjnë produktet bimore etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.5% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.4% e përbëjnë produktet minerale; 9.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 9.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre dhe 6.3% e përbëjnë produktet bimore.

Artikulli paraprakDebati për shëndetësinë, autonomia spitalore sjell cilësi dhe lufton korrupsionin
Artikulli tjetërProkuroria speciale në Maqedoni nis arrestimin e zyrtarëve të lartë