Çmimi i naftës rritje me 60 lekë

Pas rritjes së ndjeshme të çmimit të gazit, vjen një tjetër lajm i keq për qytetarët. Këtë fundjavë çmimi i naftës në pikat me pakicë është rritur me mbi 5 deri në 6 lekë për litër. Më konkretisht, aktualisht në stacionet e karburanteve në kryeqytet një litër naftë shitet minimalisht 173 lekë nga 167 lekë që ishte vetëm pak ditë më parë. Rritja e fundit, sipas tregtarëve ka dy arsye. Së pari, shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me taksat e qeverisë. Ditët e fundit Ministria e Energjisë ka lajmëruar se do të rikthejë taksën e rilicencimit për stacionet e karburanteve. Kjo taksë vitin e kaluar u propozua në masën 5 milionë lekë për çdo karburant, por pasi u ankimua nga tregtarët e naftës u rrëzua si e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria ka lajmëruar se taksa do të rikthehet sërish. Këtë herë Ministria e Energjisë ka propozuar që ajo të jetë 3 milionë lekë për çdo stacion karburanti, çka duket se po jep efekt të menjëhershëm në treg. Kjo është hera e katërt që tregu përballet me një tjetër valë shtrenjtimi të naftës, që nga janari 2016 kur çmimi i naftës zbriti në rreth 160 lekë për litër. Rritja e naftës në bursa mbi 50 USD/fuçi është reflektuar dhe dy herë të tjera përgjatë vitit të kaluar dhe një herë tjetër në janar të këtij viti. Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Evropë. Tregtarët akuzojnë qeverinë si shkakun e çmimeve të larta. Sipas tyre, taksat e qeverisë janë shumë më të larta nga vendet e tjera dhe zënë 67-70% të kostos. Krahas naftës, tregu vendas është përballur dhe me një rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit, të cilat krahasuar me fundin e vitit të kaluar janë rritur me mbi 20 lekë për litër. Ministria e Financave nisi një aksion për të hetuar rritjen e çmimeve, por siç duket e gjitha ishte një farsë, pasi tarifat e gazit jo vetëm që nuk u ulën nga hetimi i financave, por u rritën edhe më shumë. Shkaku kryesor i rritjes së çmimit sipas operatorëve është reflektimi i shtrenjtimit të arit të zi në tregjet ndërkombëtare. Tendenca e rritjes së çmimit filloi prej muajit janar bazuar në ecurinë e naftës në bursë. Në bursën e huaj deri në fund të javës së kaluar u mbyll me çmimin e 55.9 $ për fuçi. Sipas Global Petrol Price deri në fund të shkurtit, Shqipëra rezultoi me çmimin 1.29 dollarë për litër, ndërsa me rritjen e fundit ajo ka shkuar në 1.35.

Koncesionarët e naftës në konflikte për borxhe

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka njoftuar në kuadër të analizës vjetore për vitin 2016 se, kompanitë që shfrytëzojnë me koncesion fushat naftëmbajtëse në vendin tonë nuk kanë bërë transparente dokumentet financiare sipas detyrimeve ligjore. Miratimi i planeve të zhvillimit dhe buxheteve për vitin 2017, por edhe të dokumenteve të tjerë të rëndësishëm, ende nuk është bërë. Për vitin 2017, është miratuar vetëm buxheti i kompanisë Sherwood International, ndërsa kompanitë e tjera ende nuk e kanë finalizuar. “Duhet të evidentojmë faktin që këto programe duhej të ishin dërguar për miratim pranë AKBN qysh në fund të muajit tetor 2016. Me gjithë përpjekjet tona, duke përsëritur kërkesën disa herë, ende nuk është bërë e mundur të konkludohet me këto miratime. Përgjegjësi në këtë proces ka kompania ‘Albpetrol’, e cila në të gjitha rastet dhe gjatë gjithë kohës, nuk ka respektuar afatet e përcaktuara në marrëveshje. Mendojmë se duhet t’i kërkohet me forcë MEI që të detyrojë ‘Albpetrolin’ zbatimin e kërkesave të marrëveshjeve dhe licencave për afatet. Asnjëherë vonesat nuk kanë ardhur nga AKBN”, thuhet në raportin e analizës vjetore.

Artikulli paraprakInvestimet kapitale të bashkive ranë me 16% në 9-mujorin e 2016
Artikulli tjetërPresheva dhe Bujanovci: “Mirësevjen president!