Me çfarë ngrohen shqiptarët në ditët e ftohta

Më shumë se 67% e shqiptarëve përdorin në mënyrë të vazhdueshme energjinë elektrike për të ngrohur banesat e tyre, por edhe për shërbime të tjera si ventilimin apo furnizimin me ujë të shtëpive.
Ecoalbania përmes një studimi, ka nxjerrë në pah faktin, se energjia elektrike zë pjesën më të madhe të përdorimit për të gjitha nevojat e shtëpive, ku pasohet nga lënda drusore dhe gazi i lëngshëm.
Olsi Nika, përfaqësues Ecoalbania:Pjesa më e madhe e energjisë, sidomos e energjisë elektrike për banesa, shkon për ngrohjen e ambientit. Arrin në 67%, pjesa tjetër shkon për ngrohjen e ujit, në kuzhinë dhe tualet, pjesa tjetër për ftohje. Pjesë shumë e interesante, rezultoi pompimi i ujit të pijshëm.
Pyetjes, se a e përdorni energjinë elektrike për pompimin e ujit të pijshëm në banesa, 80% e të pyeturve u përgjigjën pozitivisht. Për ekspertët, banesat që përdorin më shumë energji janë ato që janë ndërtuar përpara viteve 1990.

Olsi Nika, përfaqësues Ecoalbania: Ndërtesat që janë ndërtuar në 5 vitet e fundit, apo ato që janë ndërtuar pas viteve 1990 performojnë më mirë me energjinë, pra, shpenzojnë më pak energji elektrike.
Ata theksojnë, se ndërtuesit e viteve të fundit po e zbatojnë gjerësisht hidroizolimin e ndërtesave, ku kostoja për një metër katror arrin deri në 10 euro.
Olsi Nika, përfaqësues Ecoalbania: Ndërtuesit janë të prirur që ta zhvillojnë akoma më shumë pjesën e izolimit termik të ndërtesave me sisteme të ndryshme.
Edhe evolucioni i këtyre sistemeve është me ritme të shpejta dhe kostoja që do të duhej për izolimin e një metër katror sipërfaqe të ndërtuar është 7-10 euro për metër katror. Parlamenti shqiptar ka miratuar në vitin 2016, një ligj të posaçëm për performancën e energjisë në ndërtesa, por deri tani nuk janë hartuar e zbatuar aktet nënligjore, çka mund të lërë shteg që në ndërtesat e reja të mos instalohet sistemi i termoizolimit.

Artikulli paraprakBanka e Shqipërisë i shpalli luftë euros, por bankat mbushen me valutë në janar
Artikulli tjetërDisiplinimi i fëmijëve, si duhet të veprojmë