Disiplinimi i fëmijëve, si duhet të veprojmë

Të disiplinojmë fëmijët nuk do të thotë të kontrollojmë sjelljen e tyre, por t’u mësojmë atyre që të njohin që në moshë të vogël rëndësinë e bashkëpunimit dhe të të qenurit të përgjegjshëm në vendimet që ata marrin për të kryer apo moskryer një veprim apo sjellje të caktuar. Disiplinimi i fëmijëve nuk përfshin frikësimin, lëndimin dhe as turpërimin e tyre. Ai nuk ka për qëllim që t’i bëjë fëmijët që të ndihen në faj, të ndihen që nuk i duam, apo edhe që t’i detyrojmë ata që të na binden. E thënë ndryshe, disiplinimi i fëmijëve nuk është ndëshkim dhe nuk shprehet me asnjë lloj dhune fizike apo emocionale. Në fakt kur disiplinojmë një fëmijë janë të papranueshme rrahja e fëmijës, të qëlluarit me shuplakë, shkulja e veshit, etj., por edhe etiketimi i tyre me emra tallës, sharjet, mallkimet apo edhe përdorimi i një fjalori ofendues ndaj tyre. Ndryshe nga ndëshkimi, disiplinimi i fëmijëve synon të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit, si dhe të fuqizojnë marrëdhënien prind-fëmijë, por jo vetëm. Disiplina i ndihmon fëmijët që të jenë më të përgjegjshëm për veprimet që kryejnë, më të dashur me të tjerët, më të pjekur (më të maturuar) gjatë shprehjes së emocioneve të tyre, si dhe më të sigurtë. Për një disiplinim të mirë është të mësojmë të nxisim sjelljet e mira te fëmijët tanë, sepse është më e lehtë që të përforcojmë sjelljet e mira sesa të përpiqemi të ndryshojmë sjelljet e tyre të këqija. Kjo gjë shton sjelljet e mira dhe ndihmon në rritjen dhe forcimin e vetëbesimit të tyre. Mbani mend se mënyra se si i mësoni fëmijët tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë u mësoni atyre.

Shkaqet që nxisin sjelljet e këqija tek fëmijët
Përpara se të konsideroni se si t’i disiplinoni sjelljet e këqija të fëmijëve tuaj, përpiquni të kuptoni shkaqet që kanë çuar një fëmijë që të kryejë një sjellje të tillë, disa prej të cilave mund të jenë: Sepse fëmija nuk ka mësuar ende se si ta bëjë një sjellje që pritet nga ai ta bëjë. Sepse përmes kësaj sjelljeje fëmija po përpiqet t’ju shprehë ndjenjat e tij/saj. Për shembull, fëmija juaj dyvjeçar mund të shkulë nga vazoja lulen tuaj të preferuar, sepse ai është i zemëruar që ju jeni duke u marrë me punët tuaja dhe nuk po i kushtoni vëmendje. Në këtë rast fëmija është ende i vogël që t’ju shprehë me fjalë ndjenjat e tij/saj ndaj dhe përdor sjelljen si një mënyrë për t’ua komunikuar atë se çfarë ai/ajo ndjen. Ai/ajo sillet keq që të tërheqë vëmendjen tuaj sepse preferon më mirë një vëmendje me zemërim nga ana juaj sesa të mos ketë vëmendje fare. Diçka po e mundon atë, për shembull ardhja e një bebeje të porsalindur në familje sjell me vete edhe ndjenjat e frikës dhe të xhelozisë që ju si prindër nuk do ta doni më dhe që nuk do t’i kushtoni më vëmendje. Po përpiqet që të përshtatet me ndryshimet që mund të kenë ndodhur, siç mund të jetë ndryshimi i vendbanimit, ndarja e prindërve etj. Mund të ndihet se është trajtuar në mënyrë të padrejtë nga ju. Mund të kërkojë më shumë pavarësi nga ajo që ju i keni lejuar që të ketë.

Si mund ta kuptojmë se si ndihet një fëmijë
Nëse fëmijët janë ende të vegjël dhe nuk kanë mësuar ende të flasin përpiquni të vëzhgoni mimikën, lëvizjet e trupit dhe llojet e ndryshme të të qarit të tyre për të kuptuar ndjenjat që po përjeton. Gjatë muajit të parë ju mund ta keni të vështirë për të kuptuar qartë se çfarë ndjen foshnja juaj, por me kalimin e kohës ju e kuptoni qartë përmes vëzhgimeve të elementëve të mësipërm nëse fëmija juaj është i lumtur, i mërzitur, i gëzuar apo i zemëruar. Ndërsa kur fëmija juaj mëson të flasë, ju mund të përpiqeni të bisedoni me të dhe të flisni rreth ndjenjave që ai ka. Për shembull ju mund t’i thoni: “Më dukesh që je i zemëruar. A mund të më thuash se çfarë nuk shkon?”. Nëse fëmiija juaj e ka të vështirë të flasë rreth ndjenjave të tij, mbase mund të jetë ndihmuese nëse flitet për situatën sikur t’i kishte ndodhur dikujt tjetër. Ju mund t’i thoni: “Kur unë shkova në kopsht për herë të parë isha shumë e frikësuar” ose mund t’i thoni: “Shumë fëmijë ndihen të zhgënjyer dhe të mërzitur nëse nuk e fitojnë garën”. Mbani mend gjithmonë që komunikimi me fëmijët është gjithmonë mënyra më e mirë për të kuptuar ndjenjat e tyre.

Si mund të disiplinojmë një fëmijë
Mënyra më e mirë për të disiplinuar një fëmijë është që t’u përgjigjemi menjëherë sjelljeve të mira dhe të këqija të tyre. Metodat e disiplinës duhet të përshtaten me moshën, zhvillimin, nevojat dhe aftësitë e fëmijës suaj. Kjo do të thotë se ju mund të përdorni mënyra të ndryshme për secilin nga fëmijët tuaj dhe që mund t’i ndryshoni ato me kalimin e kohës. Por në përgjithësi disiplina përfshin: Planifikimin; Të qenurit model për ta; Zhvendosjen e vëmendjes; Dhënien e mundësive për zgjedhje; Vendosjen e rregullave; Shpjegimin e pasojave.

Artikulli paraprakMe çfarë ngrohen shqiptarët në ditët e ftohta
Artikulli tjetërKafshata e mjerimit, skema e re përjashton nga ndihma familjet në varfëri ekstreme