Ç’do të ndodhë pas referendumit në Katalonjë

90 për qind votuan për pavarësinë e Katalonjës. Por Madridi mund t’i heqë Katalonjës autonominë. Të dielën në darkë kryeministri i Katalonjës, Carles Puigdemont shpalli në Barcelonë se me referendumin Katalonja ka fituar “të drejtën e një shteti të pavarur”. Kurse kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy deklaroi në Madrid se në Katalonjë nuk ka pasur ndonjë referendum.
Komisioni i BE-së i kritikoi ashpër përleshjet dhe dhunën dhe kërkoi respektimin e rregullave të demokracisë duke iu adresuar si kryeministrit spanjoll edhe qeverisë së Barcelonës.
Tani shumë njerëz që nuk morën pjesë në referendum janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Katalonjës shpall pavarësinë.

A mund ta humbasë Katalonja autonominë?
Në rast se ndodh kjo, qeveria spanjolle mund të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë në Madrid t’ia heqë Katalonjës statusin e autonomisë, thotë Jesus Palomar, profesor i politologjisë në Universitetin e Barcelonës. Por për këtë Rajoy ka nevojë për miratimin e Parlamentit dhe partia Podemos dhe socialistët nuk do të votojnë pro këtij hapi, mendon Palomar. Gjithsesi ai mendon se qeveria spanjolle mund ta arrestojë kryeministrin e Katalonjës, Carles Puigdemont ose anëtarë të tjerë të qeverisë rajonale.
Frontet për një konsensus politik, për shembull përmes një zgjidhjeje financiare janë ashpërsuar dhe tani kjo nuk është më e mundur, mendon politologu. Sipas tij ajo që mund të bëhet është që të ftohet një ndërmjetësues nga jashtë, por ndoshta qeveria spanjolle nuk do ta pranojë këtë.

“Ose separatist ose fashist”
Sipas politologut Jesús Palomar policia spanjolle shkeli dje me dhunën e saj të drejtat themelore të qytetarëve dhe ai mendon se ata mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare.
Por shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se ky konflikt është çështje e brendshme e Spanjës. Ditët e ardhshme në Parlamentin e BE-së do të zhvillohet një debat për Katalonjën.
A ishte referendumi një llogari politike? A u erdhën në ndihmë separatistëve pamjet e demonstruesve të përgjakur që u përhapën në mbarë botën? Sipas politologut Jesús Palomar askush nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë.
Sidoqoftë si politologu edhe një shofer taksie, Berneti, janë të një mendjeje: dhuna e 1 tetorit e ashpërsoi polarizimin e shoqërisë. Shoferi i taksisë Berneti thotë se ka ndodhur një përçarje dhe se tani ti je “ose separatist ose fashist”.

Artikulli paraprakKumbaro shkel UNESKO-n me lejen e ndërtimit
Artikulli tjetërXhihadistët marrin armë nga Bullgaria