Kumbaro shkel UNESKO-n me lejen e ndërtimit

Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh për Shqipërinë ku një skandal i vërtetë po ndodh në qytetin antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në ketë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Në zonën ku shekuj me radhë kanë shkruar historinë e Shqipërisë dhe po e bëjnë edhe sot e kësaj dite të njohur në mbarë botën sot po derdhet beton ku dyshimet e para janë ngritur mbi ngritje e një biznesi aty.
Gazetarët janë ndaluar për të hyrë në Butrint me urdhër nga drejtori i Parkut, por mediat kanë arritur të sigurojnë disa foto nga punimet, të cilat po bëhen në akropolin e qytetit pranë Kullës veneciane, ndërtesa më e lartë në Butrint. Punëtorët janë munduar ta mbulonin, duke vendosur disa barriera jeshile megjithëse kurioziteti i turistëve shuhej nga vrimat e rrjetës rrethuese.
Punëtorët janë kapur duke bërë beton me disa pajisje të vjetra dhe dukej si një kantier ndërtimi.
Kjo ndërtesë ka qenë godinë e vjetër që përdorej nga ekspeditat si vend për të grumbulluar materialet e gërmimeve të ndryshme dhe është e mbështetur tek një trakt muri prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në ketë kantier nuk ka tabelë për punimet, madje edhe punëtorët nuk dinë se për kë punojnë.
Mediat kanë ngritur dyshime se aty do të bëhet një lokal me pronar nga Tirana. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se po planifikohet edhe një lokal mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit, duke e çuar ne 2 numrin e lokaleve që do të ndërtohen në qytetin antik të Butrintit.
Mediat bëjnë me dije se në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi.
Siç duket edhe nga fotot e publikuara në media objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. I pyetur nga Shqiptarja.com, Drejtori i Parkut Arkeologjik, Gjergji Mano bën të ditur se leja për ndërtimin brenda zonës së mbrojtur është dhënë nga Ministria e Kulturës.
Ndërsa firma që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij objekti është Hako sh.p.k. Sipas UNESCO brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës ka heshtur përballë këtij fakti, duke mos dhënë asnjë prononcim për skandalin e ndërtimit brenda në zonën historike të Parkut të Butrintit.
Zona rreth qytetit antik të Butrintit në Jug të Shqipërisë nuk është vetëm strehë e një sërë speciesh globalisht të rrezikuara, por ka edhe një histori kulturore të pasur që justifikon njohjen e saj si sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Fatkeqësisht, përmes një leje të firmosur dhe vulosur nga Ministria e Kulturës sot kjo zonë po rrezikon të pësojë fatin e shumë zonave e objekteve të tjera të vjetra në Shqipëri, siç është rasti aktual ai i betonizimit të Velierës në Durrës.
Për këtë rast, Gjykata e Durrësit ka refuzuar kërkesën e Bashkisë Durrës për vazhdimin e ndërtimit të sheshit Veliera. Gjykata e rrethit Durrës pezulloi në mars 2017 punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera. Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë për pezullimin e plotë të punimeve. Në 16 shkurt, Gjykata Administrative vendosi ndërprerjen e pjesshme të punimeve me arsyetimin se gjatë gërmimeve janë gjetur themelet e një ndërtese mijëra vjeçare bizantine. Por, në shkelje të këtij vendimi, Bashkia Durrës vazhdoi me punimet në sheshin Veliera, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare. Punimet në shesh kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë.

Denoncimi: Rama po ndërton vilë familjare brenda në Butrint!

Një banor i zonës së Butrintit i ka dërguar dje ish-kryeministrit Berisha disa foto në të cilat dukshëm dëshmohet se si po punohet në mes të Parkut të Butrintit. Banori që ka denoncuar përmes fotove gjithashtu ka bërë të ditur se sipas të dhënave të tij ndërtimi po ngrihet brenda Parkut të Butrintit është i Kryeministrit. “Përshëndetje Doktor një skandal i madh në Butrint disa media dhe portale e fshinë lajmin thuhet se ndërtimi brenda në park është i njërit nga lart, vetë kryeministrit, skandal i dyfishtë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Artikulli paraprakSHBA-ja do të reduktojë stafin diplomatik në Kubë
Artikulli tjetërÇ’do të ndodhë pas referendumit në Katalonjë