Buka

Edison YPI

Pas kurvit, “Buka” ishte më e shpeshta fjalë.
Buka ishte lënda e parë pa të cilën nuk bëhej asgjë, nuk ndodhte asgjë, nuk bëhej asnjë spiunim, nuk arrihej asnjë fitore, nuk tejkalohej asnjë plan, nuk bëhej asnjë mbledhje, nuk funksiononte asnjë komitet. Frika se mos shqiptarët mbeteshin pa bukë, ishte e vetmja frikë e papërballueshme nga kurvi dhe nomenklatura.
“Me bukë” mund të bëhej gjithçka; Ushqeheshin masat punonjëse, korreshin fitoret, shtohej hovi revolucionar, përparonin shkencat, zhvillohej Arti, letërsia, teatri, kinematografia, çahej bllokada.
Megjithse nuk u prodhua dot kurrë aq bukë sa shqiptarët të ngopeshin, “Festa e Bukës” tundëte dheun.
Flitej papushim për të mirat e paçmuara që vinin prej ngrënies së bukës; farkëtimi i prangave, mbushja e burgjeve, puna vullnetare, format e edukimit politik.
Sihariqin për “bukën e siguruar vetë” e buçiste rregullisht në çdo kongres vetë kurvi. E megjithatë Shqipëria ishte plot me sabotatorë që rraseshin nëpër burgje sepse kapeshin, jo me grurë e misër por “me preshë në duar” duke dashur të djegin mullarë bari, vija uji, depo drithi, të cilat kurrë nuk ndodheshin ku ndodhte sabotimi dhe sabotatorët, pra në vendin e krimit, por prapa maleve për t’i siguruar nga bombardimet në rast lufte.
Le të mos kishe asgjë për të ngrënë, kocka për t’i lëpirë, dhëmbë për të kafshuar, madje as stomak për të tretur, bukë duhej të kishe patjetër.
Për ta theksuar rëndësinë e bukës, kujtohej shprehja e Napoleonit; Bindja e ushtarit kalon nga mbushja e stomakut, pra nga buka.
Aq shumë bukë në një vend aq bosh, nuk mund të “sigurohej” ndryshe veçse duke e sjellë nga “jashtë shtetit”. Mirpo ta sillje bukën nga jashtë do të thoshte se i ishe gjunjëzuar armikut. Prej këtij kurthi kurvi dhe partia nuk dolën dot kurrë.
U bënë propozime nga shpikësa pararojë për të ngritur fabrika që të prodhonin grurë. “Fabrikat nuk mund të prodhojnë ushqime, thanë agronomët. Gruri është produkt organik që ka brenda Albuminë, pra sipas Engelsit jetë, ndërsa fabrikat prodhojnë produkte inorganike, sende”. Zbulimi se problemi i prodhimit të grurit me fabrika nuk ishte teknologjik por filozofik, i tmerroi. Propozimin e shpiksave proletarë nuk e zunë në gojë.
Propaganda tregonte papushim traktora që çanin arat, kombajna që korrnin grurin, koperativistë të qeshur që grurin e fusnin nëpër depo, e megjithatë gruri s’ndalte së ardhuri nga “jashtë shtetit”.
Rrena se buka sigurohej atje ku ishin arat, fushat, koperativat, pra në fshat, të bënte të besoje se i pari që hante bukë gruri ishte fshatari. Ironi makabre. Fshatari hante vetëm bukë misri.
Llomotitej me të madhe se gruri “sigurohej në vend”, çka kurrë nuk ndodhi. Buka shpërndahej me gramaturë; Kaq gram bukë qytetari, kaq ushtari, aq marinari, aq aviatori, aq minatori. Fshatari nuk llogaritej sa gramë bukë hante.
Buka, pjekja e bukës, blerja e bukës, mplekseshin aq tepër sa “dyqani i bukës” quhej edhe “furri i bukës”.
Nëse tek kafshoje bukën mes dhëmbëve të pështillej një spango e thesit të miellit, kjo ndodhte ngaqë në furrin e bukës brumin e ngjeshin me këmbët e palara disa evgjitër.
Flitej gjërësisht jo vetëm për bukën por edhe për babain e saj të butë, brumin. Nga besnikëria për kurvin, diskutimi që do mbaje në mbledhjen e kolektivit, e deri tek karakteri i individit, edukata e tij, kultura, dhe gjithë të tjerat duhej të ishin “me brumë”. Natyrisht brumë buke, se asnjë lloj tjetër brumi nuk kishte në qarkullim.
Nëse makina punonte me karburant, hidrocentrali me ujë, mulliri me erë, shqiptari punonte me bukë.
“Buka me vete” apo hamburgeri diktatorial, ishin dy copa buke me në mes ca tmerre që s’është mirë të kujtohen.
Të kudondodhurin slogan “Vetëm buka dhe fishekët të mos na mungojnë”, tani që s’të pjerdh kush mund ta quash monstruoz apo makabër, ndërsa atëhere të hidhnin hekurat edhe mendja po të shkonte ta interpretoje sadopak.
Myzeqeja, Devolli, Zadrima, ishin hambarë imagjinarë drithi.
Pse nuk zgjodhën vezën, makaronat, orizin, mishin, por pikërisht bukën, mbeti e errët për një kohë të gjatë. Misterin e zbuloi një ishullar nutricionist autodidakt i cili tha; Veza ka lidhje me Kolombin, domethënë me Amerikën, makaronat lidhen me Italinë, orizi me Kinën, mishi me seksin, pra me gjëra të rrezikshme, ndërsa buka paqësore vetëm me krypë e zemër.

Artikulli paraprakSkema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës
Artikulli tjetërA paguan komandot për të emigruar në Britani?