A paguan komandot për të emigruar në Britani?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë me disa ushtarë të Repartit Komando, duke e përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes në një skandal ndërkombëtar.
Burime nga ky institucion bëjnë me dije për “Albeu.com” se katër ushtarë Komando të Shqipërisë që ishin për një trajnim në Londër nuk janë kthyer në vendin e shërbimit siç duhej të bënin, duke ngritur alarmin tek autoritetet lokale.
Dyshohet se ata janë arratisur, duke u fshehur në Britaninë e Madhe, ndërkohë që tani duhej të ishin kthyer në atdhe.
Ngjarja ka ndodhur në fund të tetorit, dhe sipas “Albeu”-t, është mbajtur e fshehtë nga Ministria e Mbrojtjes. Policia lokale është vënë menjëherë në kërkim të tyre, por deri më tani nuk kanë patur rezultat.
Kjo është një ngjarje e rëndë që përfshin këtë institucion dhe cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e NATO-s, pasi tashmë askush nuk mund të marrë përsipër pranimin e ushtarëve nga vendi ynë për trajnim në shtete si Britania e Madhe apo SHBA-të.
Po përse janë larguar Komandot shqiptarë në Britani? Askush prej tyre nuk mund ta ketë bërë nga dëshira për të ikur nga vendi. Burimet saktësojnë se kemi të bëjmë me një arratisje për arsye ekonomike. Komandot do të kërkojnë të qëndrojnë në Britani për të punuar dhe jo për të vazhduar misionin e tyre në Forcat e Armatosura. Pyetjet që shtrohen lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes. A e kanë blerë udhëtimin si Komando në Britani katër ushtarakët? Dihet fenomeni që ka prekur prej vitesh shoqërinë, ai i emigrimit masiv të shqiptarëve, vetëm se kurrë më parë nuk kishte ndodhur që ky fenomen të përfshinte edhe Trupat Komando të Forcave të Armatosura të një vendi në NATO. Asnjë vend tjetër anëtar i Aleancës nuk ka pasur një fenomen të tillë ndaj dhe NATO ka arsye për të analizuar arsyet se përse këto komando kanë marrë arratinë nga Forcat tona të Armatosura dhe kanë zgjedhur që të punojnë në ndërtim në Britani.
Fenomeni i emigrimit drejt Britanisë ka bërë që mijëra e mijëra shqiptarë të rrezikojnë jetën e tyre, duke kaluar në mënyrë ilegale nga Franca drejt Britanisë. Pagesat që ata paguanin për një kalim të tillë arrinin deri në 7 mijë euro. Po në rastin e Komandove a kanë paguar ato shuma të tilla për të mbërritur në tokën britanike dhe më pas për t’u larguar nga misioni ushtarak? Përse Ministria e Mbrojtjes e mbajti të fshehtë këtë skandal dhe u detyrua që ta pranojë vetëm, pasi ngjarja u publikua në media? Janë shumë pikëpyetje që ngrihen vetëm se një gjë është e sigurtë, udhëtimi drejt Britanisë i komandove të kujton ditët më të zeza të Shqipërisë, kohën e diktaturës, kur shqiptarët arratiseshin nga vendi për shkak të regjimit kriminal që ishte instaluar.

 

Artikulli paraprakBuka
Artikulli tjetër1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Firence