Bluzat e bardha braktisin Shqipërinë

Qendrat spitalore në rrethe po vuajnë pasojat e mungesës masive të stafeve dhe mjekëve specialistë. Këtë vit, situata duket se është rënduar edhe më tej, pasi ditët e fundit, spitalet rajonale kanë bërë shpallje masive për vende të lira pune.
Pak ditë më parë, Spitali i Përmetit shpalli njoftimin për 12 vende të lira vetëm për mjekë. Qendra spitalore në Përmet kërkonte të punësonte dy mjekë kirurgë, pediatër, obstetër, mjek për ORL, kardiolog, mjek për terapi intensive, radiolog, mjek për bankën e gjakut, etj. Spitali e ka bërë shpalljen pasi është gjetur me vende të lira pune prej fenomenit të emigrimit dhe moskthimit të specializantëve.
Në situatë të ngjashme janë edhe spitalet në qytetet të tjera, sidomos ato periferike. Qendra spitalore rajonale e Vlorës pak ditë më parë nxori shpalljen në Buletinin e Prokurimeve Publike për 15 mjekë dhe 21 infermierë. Duket se mungesat më të mëdha janë në Spitalin e Sarandës. Shpallje për vende të lira pune kanë bërë edhe spitalet e tjera, teksa në disa prej tyre prej vitesh punojnë me mungesa të theksuara në staf. Shërbimi i radiologjisë vijon të jetë problem në shumicën e spitaleve të rretheve.
Një nga shkaqet kryesore të boshatisjes së spitaleve në rrethe është edhe emigracioni, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë, ka argumentuar dikasteri i shëndetësisë në një raport të posaçëm për emigracionin.
Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë. Numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë, ndërkohë që numri i personelit infermieror është i krahasueshëm edhe me disa vende të Bashkimit Europian. Numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 12.7.
Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se megjithëse Shqipëria vazhdon të investojë për formimin dhe edukimin e personelit infermieror, një pjesë e tij po largohet nga vendi, të tërhequr nga njohja e diplomës dhe ofertat e punës për paga më të mira në vendet e Europës Perëndimore, si: Itali, Gjermani etj.
Shpërndarja jo e njëtrajtshme e personelit mjekësor sjell pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Megjithëse popullata gjatë këtyre viteve në zonat urbane është më e madhe se ajo e zonave rurale, nevojitet një shpërndarje më e mirë e mjekëve të përgjithshëm. Në disa zona ka rritje të ngarkesës për mjek kundrejt normës së mbulimit të popullatës. Braktisja nga ana e personelit shëndetësor të zonave të vështira rurale, si dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë vështirësojnë planifikimin e nevojave të burimeve njerëzore në këtë sektor.

Artikulli paraprakKosovë, qeveria aprovon marrëveshjet financiare prej 158 milionë eurosh
Artikulli tjetërBanka deklaron: Çmimet do të vazhdojnë të rriten