Banka deklaron: Çmimet do të vazhdojnë të rriten

Banka e Shqipërisë ka prezantuar dje raportin e politikës monetare të tremujorit të fundit 2017, ku ka bërë të ditura të dhënat për ecurinë ekonomike në muajt e fundit dhe pritshmëritë për këtë vit.
Sipas ekspertëve të bankës, inflacioni pritet të rritet më tej përgjatë vitit, si rrjedhojë e faktorëve të brendshëm.
Në janar, inflacioni kërceu në 2.8%, teksa dy vitet e fundit kishte qenë përgjithësisht nën nivelin e 2%. Kjo rritje pritet të ndikojë negativisht në buxhetin e familjeve, që do t’u duhet të shpenzojnë më shumë për ushqime (që zënë rreth 50% të produkteve të shportës), ndërsa mund të amortizojë rritjen e pritshme të pagave në administratën publike, duke filluar nga muaji mars. Në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49% të buxhetit për ushqime, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37% (Kosova 43%), duke bërë që vendi ynë, për fatin e keq të qytetarëve të saj, të krahasohet vetëm me shtetet afrikane, si Kenia, Nigeria, Kameruni.

Raporti i BSH

Sipas raportit të BSH, rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të arrijë në 3.3%. Politika monetare pritet që të mbetet e pandryshuar deri në tremujorin e katërt 2017.
Në raport thuhet: Ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja zhvillimi gjatë vitit 2016. Aktiviteti ekonomik ka vijuar që të zgjerohet, inflacioni po i afrohet gradualisht objektivit, tregjet financiare janë të qeta dhe kushtet e financimit të sektorit privat janë përmirësuar. Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka luajtur një rol parësor në nxitjen e kërkesës së brendshme, në fuqizimin e rritjes ekonomike dhe në vendosjen e inflacionit në një trajektore konverguese me objektivin e saj.
Informacioni i ri ka rezultuar në përgjithësi në një vijë me pritjet tona dhe përditësimi i parashikimeve afatmesme ka konfirmuar trajektoret e pritura për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike në afatin e mesëm. Kjo do të krijojë kushtet për rritjen dhe kthimin e objektivit në inflacion brenda 2018-ës.
Këshilli i Mbikëqyrjes gjykon se intensiteti aktual i stimulimit monetar është i duhuri për të arritur objektivin e inflacionit në afatmesëm. Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%, të mbajë të pandryshuar normën e depozitës njëditore, 0.25% dhe atë për kredinë njëditore 2.25%. Bazuar në informacionin e disponuar dhe pritjen për të ardhmen, Këshilli i Mbikëqyrjes gjykon se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të katërt të 2017-ës.
Inflacioni mesatar vjetor shënoi vlerën 1.9% në tremujorin e katërt të 2016-ës, duke mbetur në nivel të ngjashëm me atë të tremujorit të kaluar. Në muajin dhjetor inflacioni shënoi vlerën 2.2%. Rritja e inflacionit gjatë gjashtëmujorit të dytë ka reflektuar presionin nga lëvizjet e brendshme inflacioniste, si pasojë e përmirësimit të kërkesës agregate, si dhe të dobësimit e presioneve të huaja deflacioniste.
Sipas të dhënave të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) rezultoi me një rritje reale vjetore prej 3.1% në tremujorin e tretë të vitit 2016. Rritja ekonomike kryesisht është mbështetur nga aktiviteti i sektorit të shërbimeve. Sektori prodhues dhe gjithashtu kontribut pozitiv, i mbështetur nga ndërtimi dhe bujqësia.
Inflacioni parashikohet që të shënojë vlerë mesatare prej 2.3% gjatë 2017-ës.

Artikulli paraprakBluzat e bardha braktisin Shqipërinë
Artikulli tjetërDroga dhe taksat po rrisin çmimin e banesave në Tiranë