Afera ruse e uraniumit që prek Obamën dhe Hillarin

John Solomon, Alison Spann

Administrata Obama është përfshirë në një marrëveshje të debatueshme në vitin 2010, duke i dhënë Moskës kontrollin mbi një sasi të madhe të uraniumit amerikan, madje FBI-ja ka mbledhur prova të shumta që tregojnë për zyrtarë të industrisë bërthamore të Rusisë të implikuar në afera korruptimi, rryshfetesh, zhvatjesh dhe pastrimit të parave në përpjekje për të rritur biznesin e energjisë bërthamore të Vladimir Putnit brenda Shteteve të Bashkuara, sipas dokumenteve qeveritare dhe intervistave me zyrtarë të lartë.
Sipas dokumenteve të FBI-së dhe gjykatës, agjentët federalë kanë përdorur dëshmitarë konfidencialë amerikanë që punonin brenda industrisë bërthamore ruse për të mbledhur të dhëna të shumta financiare, për të bërë regjistrime të fshehta dhe për të interceptuar e-maile të hershme që tregonin se, Moska kishte kompromentuar kompanitë amerikane të uraniumit me rryshfete në shkelje të Aktit të Praktikave Korruptive të Jashtme.
Ata kanë arritur të përftojnë edhe dëshminë e një dëshmitari okular – të mbështetur edhe nga dokumentat – që tregon se zyrtarët rusw të energjisë bërthamore kanë sjellë miliona e miliona dollarë në Shtetet e Bashkuara të kanalizuara përmes fondacionit të bamirësisë së ish-presidentit Bill Clinton, gjatë kohës kur Hillary Clinton shërbente në administratën qeveritare si Sekretare e Shtetit për t’u siguruar që të merreshin vendime që favorizonin Moskën. Natyrisht, skema korruptive është zhvilluar me miratimin e nivelit më të lartë të qeverisjes në Rusi, sipas dëshmisë nën betim të një agjenti vite më pas.
Në vend që të lëshonte akuza konkrete për aferën e vitit 2010, Departamenti i Drejtësisë ka vazhduar hetimin për më shumë se katër vite të tjerë, praktikisht duke mos informuar kongresin dhe publikun amerikan për aktivitetin korruptiv të Rusisë në territorin e Shteteve të Bashkuara gjatë një periudhe kur administrata Obama ka marrë dy vendime të mëdha që kanë favorizuar ambicjet komercionale bërthamore të Putinit.
Vendimi i parë është marrë në tetor të vitit 2010, kur Departamenti i Shtetit dhe agjencitë qeveritare në Komitetin e Investimeve të Huaja në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar me votë unanime shitjen e pjesshme të kompanisë kanadeze të minierave “Uranium One” tek gjiganti i energjisë bërthamore të Rusisë “Rosatom”, duke i dhënë kështu Moskës kontrollin e mbi 20 për qind të uraniumit amerikan. Kur kjo shitje u bë publike nga fushata e Presidentit Trump përpara zgjedhjeve presidenciale, zëdhënësi i Hillary Clinton tha se ajo nuk ishte e përfshirë në shqyrtimin e komitetit dhe pretendoi se një zyrtar i Departamentit të Shtetit kishte deklaruar se ish-Sekretarja e Shtetit nuk ka ndërhyrë në çështjet e investimeve të huaja të komitetit.
Në vitin 2011, administrata Obama i dha miratimin nënkontraktuesit të Rosatom, Tenex, që të shiste uranium komercial tek centralet bërthamore të Shteteve të Bashkuara në partneritet me “United States Enrichment Corp”. Më parë, Tenex, i kishte shitur centraleve amerikane vetë, uranium të ripërpunuar, i cili përftohej nga shpërbërja e armëve bërthamre sovjetike sipas programit të paqes në viteve 1990 Megatonë në Megavatë.
“Rusët janë duke korruptuar kontraktorët amerikanë në industrinë bërthamore me rryshfete dhe kërcënime për zhvatje, gjë që ka ngritur shumë shqetësime legjitime lidhur me sigurinë kombëtare. Asnjë prej këtyre provave që janë marrë vesh përpara aferës së vitit 2010, nuk janë bërë publike përpara se administrata Obama të merrte vendimet që favorizonin biznesin rus”, deklaron një agjent që ka punuar me këtë çështje, i cili flet në kushtet e anonimatit nga frika e zyrtarëve amerikanë dhe rusë. Vendimi i administratës Obama për të miratuar blerjen e Uranium One nga Rosatom ka qenë në qendër të debateve politike që në vitin 2015.
Kjo ka qenë edhe koha kur Peter Schëeitzer, reporter i “New York Times” ka dokumentuar se si Bill Clinton ka mbledhur qindra mijëra dollarë nga gjobat ruse dhe fondacioni i tij i bamirësisë ka mbledhur miliona e miliona nga donacionet e palëve të interesuara për këtë marrëveshje kryenin gjatë kohës që Hillary Clinton ishte në krye të Komitetit të Invetimeve të Huaja në Shtetet e Bashkuara. Administrata Obama dhe çifti Clinton i mbronin veprimet e tyre në atë kohë, duke pretenduar se nuk kishte asnjë provë që rusët apo donatorët e ndryshëm kishin bërë ndonjë shkelje dhe se nuk ekzistonte asnjë arsye që burton nga siguria kombëtare që të pengojë marrëveshjen e Uranium One në komitet.
Por dokumentet e FBI-së, Departamentit të Energjisë dhe të Gjykatës tregojnë se FBI-ja ka mbledhur prova të mjaftueshme shumë kohë përpara vendimit të komitetit se Vadim Mikerin, rusi që qëndron në krye të fushatës së Putinit për ekspansionin bërthamor brenda Shteteve të Bashkuara – kishte kohë që kryente shkelje nga më të ndryshmet në territorin amerikan.
Eric Holder, Prokurori i Përgjithshëm në atë kohë, ka qenë një nga zyrtarët e administratës Obama që iu bashkua Hillary Clintonit në Komitetin e Investimeve të Huaja në kohën kur është miratuar marrëveshja e Uranium One. Shumë zyrtarë aktualë dhe të tjerë të asaj kohe kanë raportuar se nuk e dinin nëse FBI-ja apo Departamnenti i Drejtësisë kishin paralajmëruar anëtarët e komitetit për aktivitetin kriminal që ishte zbuluar. Në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i Holder dhe Clinton nuk i është përgjigjur telefonatave për të komentuar. As Departamenti i Drejtësisë nuk ka dashur të komentojë për momentin.
Mikerin ka qenë drejtuesi i Tenex të Rosatomit në Moskë që në fillim të viteve 2000, ku ka mbikëqyrur bashkëpunimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara sipas programit Megatonë në Megavatë dhe shitjes së uraniumit komercial tek shtetet e tjera. Në vitin 2010, Mikerin u transferua në Shtetet e Bashkuara me vizë punë të miratuar nga administrata Obama për të hapur degën e re amerikane të Rosatom të quajtur Tenam.
Ndërmjet viteve 2009 dhe janarit të vitit 2012, Mikerin “…është angazhuar me qëllim dhe aktivisht në aktivitete konspiracioni dhe ka rënë dakord me persona të tjerë për të penguar, vonuar dhe influencuar tregtinë dhe lëvizjen e lirë të uraniumit të pasuruar në tregti përmes zhvatjes”, thuhet në një padi kundër tij në nëntor të vitit 2014.
Sjellja e tij e paligjshme është evidentuar falë një dëshmitari konfidencial, një biznesmen amerikan, i cili filloi të jepte rryshfete nën udhrin e Mikerinit dhe me leje nga FBI-ja, si agjent i infiltruar. Pagesa e parë korruptive e regjistruar nga FBI mban datën 27 nëntor 2009.
Në dëshmitë e firmosura në vitin 2014 dhe 2015, një agjent i Departamentit të Energjisë i emëruar për të asistuar FBI-në në çështje, dëshmoi se Mikerini ishte mbikëqyrësi i “skemës mashtruese” që përfshinte zhvatje, korrupsion, pastrim parash dhe rryshfete që miratoheshin dhe ofronin përfitime të shumta për zyrtarë të lartë të Rusisë. “Si pjesë e kësaj skeme, Mikerin, me miratimin e zyrtarëve të lartë në Tenex dhe Rosatom (të dy entitete shtetërore ruse), ofronte kontrata pa tender për bizneset amerikane në shkëmbim të ryshfeteve që paguheshin në llogari bankare përetj detit”, dëshmoi agjenti David Gadren. “Në atë kohë, mendohet se Mikerin i ndante përfitimet me bashkëpunëtorë të tjerë në Rusi”, vazhdon agjenti.
Ndërkohë, çështja e industrisë bërthamore ruse rezultoi një minierë ari e vërtetë, pasi zbuloi aparatin e pastrimit të parave që kanalizonte rryshfete përmes instrumenteve financiare në Qipro, Letoni dhe ishujt Seychelles. Një financiar rus në New Jersey ishte ndër të arrestuarit për pastrim parash, sipas të dhënave të Gjykatës. Rasti nxorri në pah edhe rrezikun e sigurisë kombëtare që administrata Obama mohonte: Mikeri i kishte ofruar një kontratë transporti një kompanie të quajtur Transport Logistics International, e cila kishte punën e rrezikshme të transportimit të uraniumit rus nëpër territorin amerikan. Kontrata është ofruar në këmbim të një rryshfeti prej më shumë se 2 milionw dollarësh nga ekzekutivët e kompanisë. Një nga ish-punonjësit e Mikerinit ka thënë për FBI-në se zyrtarët e Tenex në Rusi kërkon specifikisht që të kryhej kjo skemë dhe të aplikoheshin çmime të fryra për të përfshirë edhe rryshfetet, dëshmuan agjentët në Gjykatë.
Zbërthimi i nje skeme të tillë korrupsioni që buronte nga nivelet më të larta të qeverisë ruse dhe që përfshinte asetet e transportit të materialit të rrezikshëm të uraniumit në Shtetet e Bashkuara, duke lehtësuar gjithashtu edhe pastrimin ndërkombëtar të parave, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për çdo agjenci të zbatimit të ligjit. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja vendosën të mos merrnin asnjë meritë në vitin 2014 kur Mikerin, financiari rus dhe ekzekutivët e kompanisë së transportit u arrestuan dhe dënuan.
E vetmja deklaratë publike u bë vetëm një vit më pas kur Departamenti i Drejtësisë lëshoi një deklarartë për shtyp në gusht të vitit 2015. Deklarata theksonte se disa të pandehur kishin rënë dakord për marrëveshje. Në atë kohë, çështja kriminale kundër Mikerinit ishte ngushtuar në një akuzë të vetme, atë të pastrimit të parave, për një skemë që zyrtarët pranuan se ishte zhvilluar gjatë viteve 2004-2014. Edhe pse agjentët kishin prova të shkeljeve të mbledhura të paktën që në vitin 2009, prokurorët federalë vendosën të mos i përmendnin dhe të mos bëhej lidhja me vendimet e rëndësishme qeveritare.
Vendimi i Gjykatës nuk përmendi as lidhjen me bisedat që FBI-ja kishte zbuluar nga informatorët që kishin dëshmuar për zyrtarët bërthamorë rusë, të cilët përpiqeshin përmes rryshfeteve të afroheshin me çiftin Clinton edhe pse agjentët kishin mbledhur dokumente që tregonin transferimin e miliona dollarëve nga industria bërthamore ruse drejt enitetit amerikan që kishte ofruar asistencë për fondacionin e Bill Clinton. Mungesa e publikimit të fakteve ka lënë në errësirë jo vetëm publikun amerikan, por edhe disa prej aktorëve kryesorë të kongresit.
Ish-republikani Mike Rogers, i cili drejtonte Komitetin e Inteligjencës gjatë kohës që FBI-ja zhvillonte hetimet tha se nuk i është thënë asgjë për rastin e aferës korruptive me Rusinë edhe pse shumë politikanë të tjerë kishin shqetësime serioze për vendimin e administratës Obama në lidhje me marrëveshjen e Uranium One.
“Fakti që informacione të tilla të rëndësishme nuk ofrohen përpara se të merren vendime të tilla, tregon se interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë shkelur nga vetë personat që janë përgjegjës për t’i mbrojtur ato”, tha ai. “Përpjekjet e Rusisë për të manipuluar politikën amerikane janë më tepër nga sa imagjinonim”.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPo përfundon hegjemonia gjermane?
Artikulli tjetërBetim para Azem Hajdarit!