Berisha ironizon fushatën e Ramës në Pukë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar takimin elektoral në Pukë të Edi Ramës. Ish-kryeministri shkruan në faqen e tij në Facebook, se Rama ka censuruar qytetarët dhe nuk i ka lënë ata të shprehen. “Pa realizime, asnjë premtim i mbajtur, asnjë projekt serioz të realizuar dhe pa program, por vetëm me llogje, llogje e përralla, kësaj here jo me mbret apo sulltan, doli Edi Rama para pukjanëve. Ai filloi me formulën e mashtrimit ‘shumë kemi bërë dhe më shumë të bëjmë’, pra sikur pukjanët nuk janë aty që kur ka mbirë lisi dhe nuk dinë asgjë, pra sikur ata vijnë nga një planet tjetër! Ai në takim foli për lopë, për dele, gomerë, por jo për mbarështrimin e tyre, por duke krahasuar njerëzit me to. Si hokatar, të shkretit i ka mbetur në gojë gënjeshtra e Sahatit të Tiranës, që sipas tij u ndal ditën që Lulzim Basha e përzuri atë nga bashkia e kryeqytetit. Pastaj, si për t’ju thënë dëgjoni ju pukjanë se ju nuk kuptoni se çfarë është qeveria, programi, premtimet, realizimet dhe projektet e saj, prandaj po detyrohem për t’ua bërë të kuptueshme ju o ‘katunarë’, të përsëris e të bëhem bajat duke përsëritur në çdo takim shembullin e makinës dhe të shoferit pasi ju vetëm kështu merrni vesh sepse keni hipur në makina dhe keni parë shoferë me sy. Pas kësaj, Rama, njëlloj si në Dibër, përsëri censuroi pukjanët, të cilët, aty për aty i thanë: o kryeministër, ne e dimë se ti ke hallin tënd për timonin, por ne kemi halle të tjera të dhembshme. Ne duam punë, punë për të ushqyer veten dhe fëmijët tanë se po na kthen legjendën e misrit, duam që taksat tona të mos vidhen dhe të shndërrohen në vila e saraje luksoze për qeveritarët, duam të rriten rrogat dhe pensionet, se me rritjen e çmimeve sot marrim më pak se 4 vjet më parë, se Pukën qytet nuk e bëre ti dhe se ti ke investuar në Pukë dhe të gjithë Veriun të marrë së bashku, pra në tre qarqet e Veriut, më pak se sa në dy rrethe të vogla, pra se në Patos dhe Tepelenë. ‘Ti shoku Rama e përçmon Pukën dhe Veriun, – i tha pukjani, – ndaj dhe ne nuk kemi votë për ty. Votat tona kësaj radhe janë për PD-në dhe Luzim Bashën’”.

Artikulli paraprak5 drejtorë presion nxënësve dhe mësuesve për zgjedhjet
Artikulli tjetërShkodranët në këmbë me Bashën